Punonjësit e shëndetësisë në RMV nesër protestojnë

Punonjësit e shëndetësisë nesër do të dalin në protestë, për shkak të pakënaqësisë së tyre për mos nënshkrimin e aneksit të kontratës kolektive e cila duhej t’u rritte pagat punëtorëve në këtë sektor, transmeton Portalb.mk.

Protesta organizohet nga Sindikata e Pavarur për Shëndetësi, Farmaci dhe Mbrojtje Sociale, e përkrahur nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSDM), dhe do të mbahet para Ministrisë së Shëndetësisë në ora 10:00.

“Ne protestojmë për të thënë se kërkojmë që Aaeksi të nënshkruhet menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor, por me një rritje korresponduese shtesë të koeficientëve të punonjësve sipas kostos së rritur të jetesës. U bëjmë thirrje partive politike që pretendojnë se do të udhëheqin shtetin dhe si partneri ynë i ardhshëm social që të gjejnë kohë për t’u ulur me sindikatat dhe për të dëgjuar kërkesat”, thuhet në njoftimin e LSM-së.

Sipas vlerësimeve të sindikatave, me mosnënshkrimin e aneksit, mbi 20 mijë punonjës të shëndetësisë mbeten pa përshtatjen e pagave me rritjen e pagës minimale.