Mendimtarja Hannah Arendt-i (1906 – 1975) shkroi se e vërteta s’ka qenë kurrë virtyt politik; se për realizimin e qëllimeve politike gjithmonë është përligjur gënjeshtra; se vetëm transparenca siguron sistem të shëndetshëm politik.
Arendt-i shtoi se kotësia dhe apatia e nënshtetasve çojnë në lindjen e regjimeve totalitare; se lëvizjet totalitare nuk i joshin vetëm njerëzit neutralë, por edhe elitat partiake, ideologjike, shtetërore, kulturore e artistike dhe se vetëm kështu regjimi kontrollon çdo sferë shoqërore.
Në sprovat e saj ajo shënoi se klasat mund të shndërrohen në turma nëpërmjet propagandës dhe kontrollit të rreptë; se burimet e totalitarizmit gjenden në regjimet dhe praktikat jototalitare; se lëvizjet totalitare i shfrytëzojnë liritë demokratike, që i suspendojnë më vonë; se ekziston një inteligjencë djallëzore që manipulon me naivitetin e turmave nëpërmjet propagandës sistematike; se regjimet totalitare shpikin armiq dhe teori komploti për të përligjur veprimet djallëzore; se nëpërmjet propagandës, ideologjisë dhe kontrollit e depersonalizojnë njeriun dhe krijojnë shoqëri të kontrolluar, që funksionon sipas skemës ideologjike apo partiake.
Ajo shtoi se në shoqëritë totalitare fuqia përqendrohet në duart e shërbimeve sekrete, që e kontrollojnë sferën publike e private; se aty partia barazohet me shtetin; se propaganda e shtrembëron imazhin e botës jo totalitare; se nëpërmjet indoktrinimit ideologjik dhe kontrollit eliminohet pluralitetin i qenies dhe gjithçka orientohet drejt një qëllimi.
Në këtë sistem, klasat shndërrohen në turmë. Njeriu privohet nga vullneti i lirë dhe më nuk është subjekt, por vetëm objekt i sistemit. Ai duhet t’i bindet hierarkisë nga frika, hipokrizia ose për shkak të indoktrinimit ideologjik.
Në këtë sistem, zyrtarët nuk ndihen fajtorë për veprimet e tyre, sepse aty, siç përshkruhet te “Banaliteti i Ligësisë”, s’ka më vullnet të lirë, kurse zyrtari është makinë shtetërore, një zbatues urdhrash dhe “vrasës administrativ”.
Në këtë sistem kemi “të bardhë” dhe “të zi”. Ai që nuk i nënshtrohet skemës totalitare, shpallet armik, kurse të indoktrinuarit nga ideologjia e humbin empatinë edhe ndaj miqve dhe kolegëve. Nën këtë regjim askush nuk është i sigurt: xhelati mund të bëhet viktimë dhe anasjelltas.
Hannah Arendt-i na flet edhe për dallimin mes regjimit totalitar dhe autokratik.
Në dy sistemet pushon së funksionuari shteti i së drejtës. Nëse sistemi totalitar kontrollon çdo sferë shoqërore, përfshirë jetën private e familjare, sistemi autoritar synon pushtetin politik absolut dhe shkatërrimin e opozitës.
Është rregull i pashkruar se prijësit e lëvizjeve totalitare e autoritare harrohen sapo ta humbin pushtetit.
Arendt-i shkroi edhe për botën moderne në ndryshim, ku turmat besojnë në gjithçka dhe në asgjë. Besojnë se gjithçka është e mundur dhe se asgjë nuk është e vërtetë. Sipas saj, aty ku një popull nuk di ta bëjë dallimin mes të vërtetës dhe gënjeshtrës, mes së mirës dhe së keqes, padashur, i nënshtrohet pushtetit të gënjeshtrës dhe me atë popull mund të bëni ç’të doni.
Tendencat e autoritarizmit dhe të totalitarizmit janë të pranishme edhe në shoqëritë që quhen demokratike.
Prijësit me vetëdije totalitare besojnë se pasi i fitojnë zgjedhjet, prona publike bëhet e tyre dhe duan t’i kenë nën kontroll të gjitha sferat shoqërore. Ndërkaq, nënshtetasit, për të mbijetuar, duhet të veprojnë sipas kallëpeve dhe në përshtatje me dogmën partiake. Kështu lind hipokrizia kolektive. Por, vetën e vërteta na bën të lirë.
Këta prijës mund të duken triumfatorë për një kohë, por zakonisht kanë fund të trishtueshëm. Megjithatë, pasojat e veprimeve të tyre i paguajnë disa breza.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.