Rokas: Të rinjtë nuk kanë vende ku të argëtohen përveç kazinove, Qeveria duhet të gjejë një zgjidhje

Euroambasadori Mihalis Rokas, gjatë vizitës në Komunën e Kërçovës, u njoh nga afër me sfidat e këtij rajoni, siç tha ai, në një moment të rëndësishëm kur vendi po synon anëtarësimin në BE, duke rikujtuar numrin e projekteve që janë realizuar dhe po realizohen në këtë zonë me fonde evropiane. Rokas tha se përveç kazinove dhe bastoreve, të rinjtë nuk kanë kinema, salla sportive dhe vende për argëtim dhe për këtë çështje ata nuk kanë zgjedhje tjetër përveçse të migrojnë, shkruan Portalb.mk.

Kur gazetarët e pyetën për mungesën e atraksioneve për të rinjtë në këtë vend, Rokas propozoi që kjo çështje të zgjidhet në mënyrë kolektive dhe me një qasje gjithëpërfshirëse. Në të kundërt, sipas tij, vala e migrimit do të rritet.

“Është e vërtetë se nëse të rinjtë nuk kanë alternativa të tjera, nuk ka kinema, nuk ka salla sportive, nuk ka vende për argëtim, përveç kazinove dhe bastoreve, mendoj se ata nuk kanë zgjedhje tjetër përveçse të migrojnë. Qeveria duhet të punojë për të gjetur një zgjidhje dhe t’i përgjigjet kësaj çështjeje. Bashkimi Evropian ofron masa për të rinjtë. Gjithashtu, përpiqet të sigurojë arsim cilësor për të rinjtë. Bashkimi Evropian punon me Ministrinë e Arsimit, me qëllim përgatitjen e ligjeve të mira, të cilat do të mundësojnë kushte më të mira për arsimim. Këtu kemi edhe ERASMUS+, i cili gjithashtu i ndihmon sipërmarrësit e rinj të hapin programe të ndryshme START UP”, deklaroi ambasadori evropian Mihalis Rokas.

Me kryetarin e Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, dhe këshillin komunal, diskutimet u përqendruan te përfitimet nga anëtarësimi në BE, si dhe ndikimi i mbështetjes financiare të Unionit në këtë rajon.

“Vetë prania e zotit Rokas më solli një mesazh, ndërsa edhe BE-ja na përcjell një mesazh si komb, si shtet, si komunë, një dorë të shtrirë për bashkëpunim të ndërsjellë, përparim në marrëdhëniet tona, ndihmë reciproke dhe përmirësim të jetës në komunën tonë dhe në përgjithësi në vendin tonë”, theksoi kryetari i Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski.

Vizita e ambasadorit të BE-së, Rokas, në Kërçovë është pjesë e një iniciative për informimin e publikut, që synon ta afrojë Bashkimin Evropian dhe procesin e integrimit të vendit me komunitetet lokale. Për këtë arsye, Rokas u takua edhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mori pjesë në një diskutim të hapur me qytetarët e Kërçovës.

Ndryshe, të rinjtë në Ballkanin Perëndimor përballen me një realitet sfidues: papunësi e lartë, mungesë të aftësive të duhura dhe emigrimi i të kualifikuarve që dobëson tregun lokal të punës. Fondet dhe programet e Bashkimit Evropian ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për t’i përgatitur për tregun e punës dhe për të rritur pjesëmarrjen qytetare, por përfitimet shpesh mbeten të përqendruara tek grupet urbane dhe më të privilegjuarat. Për këtë arsye, dokumenti “Plani B(alkan): Të rinjtë për reformë”,  identifikon strategjitë kyçe për të përmirësuar qasjen në arsimin profesional, financimin, sipërmarrjen dhe përfshirjen aktive të të rinjve. Aty, si rekomandim dhe hap kyç për të rritur ndikimin e Planit të Rritjes përmendet përshtatja e kurrikulave me kërkesat e tregut të punës, veçanërisht në sektorët digjitalë, të gjelbër dhe teknikë.