Dështoi miratimi i rezolutës për ish-krerët e Kosovës, s’kishte kuorum pasi munguan deputetët maqedonas
Në Komisionin për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ka dështuar miratimi i propozim rezolutës për respektimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor në gjykimin ndërkombëtar ndaj ish-krerëve të institucioneve të Republikës së Kosovës, përcjell TV21. Miratimi dështoi pasi deputetët maqedonas bojkotuan mbledhjen, duke pamundësuar sigurimin e kuorumit.
Në mbledhje morën pjesë vetëm deputetët e Frontit Evropian, VLEN-it, Aleancës për Shqiptarët dhe deputeti Rexhep Ismail nga “E Majta”. Shqyrtimi i kësaj çështjeje është shtyrë pa një afat të caktuar.
Deputetët e Aleancës Kombëtare për Integrim -Frontit Europian, më 13 shkurt dorëzuan në procedurë parlamentare Propozim-Rezolutën për respektimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor në gjykimin ndërkombëtar ndaj ish-krerëve të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Integristët thanë se rezoluta riafirmon përkushtimin ndaj shtetit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit dhe respektimin e plotë të të drejtave themelore të njeriut. Nëpërmjet kësaj nisme parlamentare kërkohet që proceset gjyqësore që po zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës të zhvillohen në përputhje të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare, duke garantuar prezumimin e pafajësisë, mbrojtjen efektive dhe gjykimin brenda një afati të arsyeshëm për të gjithë të akuzuarit.
Po ashtu më 13 shkurt u mbajtë protestë në Shkup, në të cilën u shpreh mbështetje për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kërkesën për drejtësi të pandikuar politik. Kjo protestë që pasoi ato në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.