RMV, një grup i deputetëve shqiptarë në Kuvend e dorëzuan Propozim-Rezolutën për gjykimin e luftëtarëve të UÇK-së në Hagë

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut është dorëzuar Propozim-Rezoluta për respektimin e standardeve të procesit të rregullt ligjor në gjykimin ndërkombëtar ndaj ish-krerëve të institucioneve të Republikës së Kosovës, transmeton Portalb.mk.

“Nëpërmjet kësaj nisme parlamentare kërkohet që proceset gjyqësore që po zhvillohen pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës të zhvillohen në përputhje të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare, duke garantuar prezumimin e pafajësisë, mbrojtjen efektive dhe gjykimin brenda një afati të arsyeshëm për të gjithë të akuzuarit”, deklarojnë nga BDI-ja.

Ata vlerësojnë se kjo rezolutë është në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe Deklaratën universal për të Drejtat e Njeriut. Hartuesit e kësaj rezolute vlerësojnë edhe kontributin e pjesëtarë të luftës çlirimtare të Kosovës.

“Deputetët nënshkrues u bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit, pa dallim përkatësie politike, që t’i bashkohen kësaj nisme dhe ta mbështesin Rezolutën me votë, në funksion të forcimit të parimeve universale të drejtësisë dhe respektimit konsekuent të standardeve ndërkombëtare për një proces të drejtë dhe të paanshëm”, thuhet në njoftimin e BDI-së.

Në listën e deputetëve që kanë nënshkruar deri më tani janë: Talat Xhaferi, Dijana Toska, Rina Ajdari, Sali Murati, Arbana Pasholli, Rijad Shaqiri, Sadik Sulejmani, Skender Rexhepi, Blerim Bexheti, Sadulla Duraki, Ismail Jahoski, Ali Ahmeti dhe Ilir Hasani.

Ndryshe, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës këtë javë kanë miratuar rezoluta të ngjashme ne lidhje me gjykimin e luftëtarëve të UÇK-së në Hagë.

Më 9 shkurt, kryeprokurorja Kimberly West tha se Prokuroria kërkon vendim dënues për të gjitha pikat e aktakuzës në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe vendosjen e një vendimi të vetëm prej 45 vitesh.