Dëshmitarja e re në rastin “Onkologjia 2”: Miratimet për terapi nga buxheti i kushtëzuar bëheshin nga Vasevi
Gjykimi në rastin Onkologji 2 vazhdoi sot në Gjykatën Penale me deklaratat e dëshmitarëve. Para fillimit të seancës dëgjimore, u përcaktua se nuk ishin përmbushur kushtet për përjashtimin e prokurores Ana Gogovska Jakimovska, pasi një gjë të tillë paraprakisht e kishte kërkuar mbrojtja, transmeton Portalb.mk.
Gjykata gjithashtu hodhi poshtë kërkesën për përjashtimin e dëshmitares eksperte të prokurorisë Elizabeta Damevska Jovanovska.
Një punonjëse në sportelin e Onkologjisë në departamentin për tumore malinje të gjirit dëshmoi se të gjitha miratimet për terapi nga buxheti i kushtëzuar ishin nënshkruar nga drejtori i akuzuar mjekësor Nino Vasev.
Tani, terapi të tilla miratohen nga një panel ekspertësh në klinikë.
Ajo shtoi se nuk e kishte vënë re nëse terapitë ishin lëshuar me dozë të rritur apo të zvogëluar të barnave sepse kjo nuk ishte fusha e saj e punës, por detyrimi i saj ishte vetëm të vendoste vulë.
Në seancën paraprake dëgjimore, një infermiere nga Klinika e Onkologjisë dëshmoi se në tre raste, kur kishte mungesë ilaçesh, ajo personalisht kishte marrë terapi nga drejtori i atëhershëm Nino Vasev.
Ajo përshkroi situatën kur ilaçi “Tecentrik” nuk ishte i disponueshëm në farmacinë e spitalit, i ishte dhënë nga drejtori në zyrën e tij, në prani të gruas së pacientit.
Infermierja dëshmoi gjithashtu se doza e ilaçit ishte ndryshuar në një nga raportet, dhe gjatë një regjistrimi në vitin 2022, mungonin 90 ampula “Gemzar” dhe 40 ampula të tjera u zhdukën nga tavolina e punës, raste që u raportuan edhe në polici.
Nino Vasev dhe Nehat Nuhi, në rastin Onkologjia 2, akuzohen për abuzim me detyrën zyrtare, mashtrim dhe përvetësim.