Deputetët njëzëri me ligj duan t’i ndalojnë protestat rreth Kuvendit të RMV-së, alarmojnë organizatat qytetare: Goditje e të drejtave demokratike 

Në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut është propozuar një ligj i ri që do ta shpallë zonën përreth ndërtesës legjislativit zonë sigurie, ku mes të cilave parashikohet të mos lejohen mbajtje të tubimeve publike si protestat dhe ngjarjet. Organizatat e shoqërisë civile alarmojnë se me këtë shkilen të drejtat demokratike të qytetarëve, shkruan Portalb.mk. 

Kuvendi sot (3 qershor) e miratoi nevojën për miratimin e propozim-ligjit me procedurë të shkurtuar.

Projektligji u paraqit me procedurë të shkurtuar, i hartuar nga kryetari i Parlamentit Afrim Gashi dhe deputeti Bekim Qoku nga koalicioni VLEN, dhe mbështetet nga deputetët e të gjitha grupeve parlamentare, përfshirë Blerim Bexhetin, Borislav Krmov, Vesna Bendevska, Nikola Micevskin dhe Oliver Spasovskin. 

Qëllimi kryesor i projektligjit, sipas propozuesve, është rritja e sigurisë së institucionit. 

Megjithatë, një pjesë e përmbajtjes tregon edhe përpjekje për të parandaluar zbatimin e aktiviteteve ndërtimore tashmë të miratuara, siç është ndërtimi i një garazhi shumëkatësh në oborrin e Parlamentit, një projekt që daton që nga viti 2014, kur një investitor privat bleu tokë shtetërore në një ankand publik dhe mori miratimin e ndërtimit. 

Projektligji parashikon anulimin e të gjitha lejeve të ndërtimit të lëshuara para se ligji të hynte në fuqi, si dhe ndërprerjen e marrëveshjeve të lidhura të përdorimit të tokës në zonën që do të shpallet zonë sigurie. 

Por më të diskutueshmet janë dispozitat e Nenit 8, të cilat prezantojnë kufizime serioze në hapësirën publike përreth ndërtesës së parlamentit. Këto përfshijnë: 

  • Ndalimin e aktiviteteve të ndërtimit.
  • Ndalimin e instalimit të infrastrukturës së instalimeve dhe linjave. 
  • Ndalimin e mbajtjes së tubimeve publike, protestave dhe ngjarjeve. 
  • Ndalimin e fluturimit të dronëve dhe avionëve të tjerë pa pilot mbi Parlamentin dhe rrethinat e tij.

Propozuesit i referohen shembujve nga Austria, Belgjika, Gjermania dhe Rumania, ku zona të ngjashme janë të rregulluara ligjërisht për mbrojtjen e parlamenteve kombëtare. 

Kundër kësaj nisme janë shprehur disa organizata të shoqërisë civile, me të cilat bisedoi Portalb.mk. 

Nga Më Mirë për Tetovën thonë se ky veprim është një goditje e rëndë ndaj të drejtave themelore demokratike të qytetarëve dhe një përpjekje e hapur për të heshtur zërin e popullit.

“Politikanët e dinë që qytetarët janë zgjuar dhe nuk u besojnë më pallavrave e premtimeve boshe. Kuvendi është shndërruar në një institucion që mbron interesat e grupeve të caktuara dhe jo të qytetarëve që i kanë zgjedhur. Kërkojmë tërheqjen urgjente të këtij propozimi dhe i bëjmë thirrje çdo qytetari, grupi apo organizate që beson në demokraci dhe liri, të qëndrojë kundër këtij autoritarizmi të hapur. Demokracia nuk mbahet me heshtje, por me zë. Dhe zëri ynë nuk do të shuhet”, thanë nga Më Mirë për Tetovën. 

Nga Qendra për Mundësi të Barabarta Mollëkuqja thonë se ky propozim, i cili po procedohet në mënyrë të përshpejtuar dhe me mbështetjen e gjerë ndërpartiake, është goditje e rëndë ndaj të drejtave qytetare dhe lirisë së shprehjes në një shtet që synon të ndërtojë demokraci funksionale.

“Dispozitat të cilat ndalojnë tubimet publike dhe protestat, në një hapësirë që tradicionalisht ka qenë vend i shprehjes kolektive të pakënaqësisë, përbëjnë një përpjekje të qartë për të shtypur zërin qytetar dhe për të krijuar një rreth të paprekshëm rreth pushtetit”, thanë nga Mollëkuqja. 

Edhe nga Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) shprehin shqetësim për këtë ligj.

“Ky ligj përfaqëson një kërcënim për vetëdijen demokratike të brezave të rinj, pasi u dërgon të rinjve mesazhin se pjesëmarrja aktive dhe protestat paqësore janë të padëshiruara apo të rrezikshme. Në vend që të promovojmë kulturën e dialogut dhe angazhimit qytetar, po ndërtojmë barriera që përjashtojnë qytetarët nga hapësirat publike dhe institucionale”, thanë nga Forumi për Ndryshime në Arsim.

Ligji është tashmë në fazën e leximit të dytë dhe reagimet nga publiku dhe sektori civil priten menjëherë pas shqyrtimit të tij të plotë në komisione dhe debatin plenar.