Të paktën 27 palestinezë u vranë pranë një pike ndihmash në Gazë

Të paktën 27 palestinezë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga zjarri izraelit pranë një qendre shpërndarjeje ushqimi në pjesën jugore të Rripit të Gazës, thanë autoritetet lokale shëndetësore të martën, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Ushtria izraelite tha se forcat e saj hapën zjarr ndaj një grupi individësh që kishin devijuar nga rrugët e caktuara afër qendrës së shpërndarjes së ndihmave humanitare, në Rafah.

Ushtria izraelite shtoi se ende po hetonte çfarë kishte ndodhur.

Fondacioni Humanitar i Gazës, i mbështetur nga SHBA-ja, hapi javën e kaluar qendrat e para të shpërndarjes së ndihmave me qëllim të lehtësimit të urisë së përhapur në mesin e popullsisë së rraskapitur nga lufta, shumica e të cilëve janë detyruar të braktisin shtëpitë për t’i shpëtuar luftimeve.

Plani i ndihmave i këtij fondacioni, i cili anashkalon organizatat tradicionale humanitare, është kritikuar ashpër nga Kombet e Bashkuara dhe organizata të njohura humanitare që thonë se nuk ndjek parimet humanitare.

Grupi privat, i cili është i mbështetur nga Izraeli, tha se të martën në mëngjes kishte shpërndarë 21 kamionë me ushqim dhe se operacioni ishte zhvilluar “në mënyrë të sigurt dhe pa incidente brenda qendrës së shpërndarjes”.

Megjithatë, ka raportime të vazhdueshme për vrasje, ndërsa turma të njerëzve grumbullohen për të marrë ndihma jetike.

Të dielën, zyrtarë palestinezë dhe ndërkombëtarë raportuan se të paktën 31 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën. Të hënën, thuhet se tre palestinezë të tjerë u vranë nga zjarri izraelit.

Ushtria izraelite ka mohuar se ka shënjestruar civilët që po mblidheshin për të marrë ndihma dhe i ka quajtur raportimet për vdekjet gjatë shpërndarjes së ndihmave të dielën “trillime” nga Hamasi.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha të hënën se ishte “i tmerruar” nga raportimet për palestinezë të vrarë dhe plagosur ndërsa kërkonin ndihma, dhe kërkoi një hetim të pavarur.

Izraeli luftën gjenocidale në Gaza e nisi më 7 tetor 2023, duke vrarë më shumë se 54,000 palestinezë.