Delegacioni i BE-së në RMV nga nesër me një sërë aktivitete do ta festojë Ditën e Europës

Nën moton “Europa Jonë. Së Bashku më të Fortë”, Delegacioni i Bashkimit Europian në Maqedoninë e Veriut do ta festojë Ditën e Europës 2026 gjatë gjithë muajit maj. Programi përfshin një sërë aktivitetesh dhe festimesh të organizuara në bashkëpunim me rrjetin e “Europe House” dhe autoritetet lokale në të gjithë vendin, njofton Portalb.mk.

Siç informojë nga Delegcioni i BE-së, shënimi i Ditës së Europës fillon që nga nesër me koncert të Orkestrës Ndërkombëtare “Fames” në “Europe House” në Manastir, e vendosur në Shtëpinë e Oficerëve në Manastir.

“Gjatë muajit maj, shumë aktivitete do të zhvillohen në qytete të ndryshme në të gjithë vendin, duke përfshirë koncertet në Manastir, netët e filmit në Koçan, një xhiro me biçikleta rreth Liqenit të Ohrit, një panair për nxënësit në Shtip, një shkëmbim librash në Tetovë ose mbjelljen e pemëve në Veles, deri në përfundimin me një aktivitet rinor në Gjevgjeli më 23 maj”, thuhet në njoftimin e delegacionit të BE-së në RMV.

Informacione më të hollësishme mund të gjenden në faqen e internetit të Delegacionit të BE-së dhe në kanalet e mediave sociale të Europe House. 

Programi i plotë:

Më 4 maj 2026 në Manastir: KONCERTI I ORKESTRIT “FAMES” – Koncerti “Klasikët në kinema” me një orkestër ndërkombëtare artistësh të rinj që interpretojnë muzikë filmike, si pjesë e një projekti të Creative Europe.

Më 7 maj 2026 në Ohër: GARA E NXËNËSVE TË SHKOLLAVE TË MESME – Këshilli Rinor Lokal i Ohrit. Garë humanitare e nxënësve për mbledhje të fondeve për një kauzë bamirësie, duke promovuar solidaritetin dhe angazhimin e të rinjve përmes sportit.

Më 9 maj 2026 në Shkup: SHIJO EUROPËN NË PARKUN E QYTETIT – Parku i Qytetit i shndërruar në një hapësirë ​​publike europiane me eko-biznese, ushqim lokal i përgatitur ngadalë (slow food), shitje-blerje të produkteve të dorës së dytë, lojëra në natyrë të organizuara nga shtetet-anëtare të BE-së dhe muzikë gjatë gjithë ditës te “Shkolka”.

Më 9 dhe 10 maj 2026 në Koçan: PIKTURO KOÇANIN (KRIJIM MURALI) – Këshilli Rinor Lokal i Koçanit. Aktivitet pikturimi i muralit me krijues të rinj në zemër të qytetit.

Më 12 maj 2026 në Veles: RRITEMI SË BASHKU – Vullnetarë, studentë, autoritete lokale, qytetarë dhe ambasadorë mbjellin pemë së bashku në zonën e prekur nga zjarri përreth Liqenit Mladost.

Më 14 maj 2026 në Manastir: SHIJO EUROPËN ME MUZIKË – Koncert në ajër të hapur nga grupi Funk Shui në platonë e Europe House në Manastir (Shtëpia e Oficerëve).

Më 15 deri 17 maj 2026 në Koçan: KINEMA NË AJËR TË HAPUR – Këshilli Rinor Lokal Koçanë. Seri shfaqje filmash në ajër të hapur.

Më 16 maj 2026 në Strugë/Ohër/Pogradec: SHIJO EUROPËN NË LËVIZJE – Xhiro ndërkufitare me biçikleta rreth Liqenit të Ohrit që promovon lëvizshmërinë e qëndrueshme, angazhimin e të rinjve dhe bashkëpunimin ndërkufitar midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Më 19 maj 2026 në Tetovë: SHIJO EUROPËN NËPËRMJET LIBRIT – Panairi i librit me shtëpi botuese të shquara, diskutime në panel me autorë të njohur, shkëmbim librash, muzikë live dhe një program special për fëmijë.

Më 21 maj 2026 në Shtip: ZBULONI MUNDËSITË – Eveniment rinor me një panair për studime/lëvizshmëri (mobility) dhe koncert muzikor.

Më 23 maj 2026 në Gjevgjeli: VALË RINORE 2026 – Këshilli Rinor Lokal i Gjevgjelisë. Eveniment njëditor shumësektorial rinor me forume për aftësi, ekspozitë të sipërmarrjeve, laborator startup-esh dhe shfaqje skenike krijuese.