Debati mbi projektligjet për shërbimin gjyqësor dhe Prokurorinë, Sindikata: Ligji i ri nuk i zgjidh problemet, por krijon dilema të reja

Komisioni Parlamentar për Sistemin Politik dhe Marrëdhëniet Ndërmjet Komuniteteve zhvilloi debat publik për Projektligjin për Shërbimin Gjyqësor dhe Projektligjin për Prokurorinë Publike, dy akte ligjore që synojnë të rregullojnë statusin e veçantë të të punësuarve në gjykata dhe prokurori. Gjatë debatit, Maja Petrova, këshilltare-zëdhënëse dhe nënkryetare e Organizatës Sindikale të Prokurorive Publike, shprehu pakënaqësi ndaj disa zgjidhjeve të propozuara në Projektligjin për Prokurorinë Publike, duke vlerësuar se ai nuk i adreson në mënyrë të mjaftueshme problemet me të cilat përballen të punësuarit në këtë sektor, transmeton Portalb.mk.

Duke folur në emër të rreth 350 të punësuarve në prokuroritë publike të vendit, Petrova tha se sindikata kishte pritshmëri më të mëdha nga ligji i ri, veçanërisht pasi për herë të parë në grupin punues për hartimin e tij morën pjesë edhe përfaqësues të shërbimit prokurorial dhe të sindikatës.

Sipas saj, disa nga propozimet e grupit punues që kishin të bënin me autonominë institucionale të shërbimit prokurorial, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe zhvillimin në karrierë nuk janë përfshirë në versionin përfundimtar të ligjit.

Petrova ngriti dilema edhe për statusin e të punësuarve ekzistues, duke pyetur nëse një pjesë e tyre do të vazhdojnë të kenë statusin e nëpunësve të prokurorisë apo do të kalojnë në kategorinë e nëpunësve shtetërorë sipas Ligjit për Nëpunësit Administrativë.

“Nëse ky ligj krijon vërtet shërbim të veçantë të prokurorisë publike, atëherë na tregoni se ku qëndron kjo veçanti. Nëse krijon zhvillim të vërtetë të karrierës, na tregoni se ku janë mundësitë e reja për avancim. Nëse rrit autonominë e prokurorisë, na tregoni se cilat kompetenca transferohen vërtet brenda sistemit. Nëse zgjidh problemet që ju i përmendni në memorandumin shpjegues, na tregoni se cilat zgjidhje specifike i eliminojnë këto probleme. Sepse një ligj i mirë nuk matet me atë që është shkruar në memorandumin shpjegues. Një ligj i mirë matet me atë që do të ndodhë në të vërtetë në praktikë. Ne si shërbim i prokurorisë publike nuk kërkojmë privilegje. Ne nuk kërkojmë status mbi nëpunësit e tjerë publikë. Ne kërkojmë një ligj që do të njohë specifikën e punës që bëjmë. Një ligj që do të përmbushë pikërisht atë që ju, si propozues, premtoni në memorandumin e tij shpjegues – një shërbim të veçantë, profesional dhe funksional të prokurorisë publike”, tha Petrova.

Ajo kritikoi edhe mungesën e mekanizmave të qartë për avancim profesional, duke theksuar se pozitat më të larta drejtuese parashikohet të plotësohen përmes konkurseve publike dhe jo nga kuadri ekzistues i prokurorive.

Një tjetër shqetësim i ngritur ishte mungesa e përmirësimeve financiare për të punësuarit. Petrova tha se grupi punues kishte miratuar njëzëri propozime që lidhen me koeficientët dhe statusin material të të punësuarve, por ato nuk janë përfshirë në tekstin e dorëzuar në Kuvend.

Ajo vlerësoi se një pjesë e madhe e çështjeve që kanë të bëjnë me statusin e të punësuarve vazhdojnë të lihen për t’u rregulluar me akte nënligjore të Ministrisë së Drejtësisë, gjë që sipas saj mund të krijojë probleme në zbatimin e ligjit.

“Nuk jemi kundër ligjit të ri. Përkundrazi, prej vitesh kemi kërkuar një ligj të ri. Por kërkojmë një ligj që do t’i zgjidhë problemet për shkak të të cilave nisi reforma”, tha Petrova.

Ajo u bëri thirrje deputetëve që para votimit përfundimtar të rishqyrtojnë dispozitat kontestuese dhe të sigurojnë që ligji të krijojë një shërbim prokurorial profesional, autonom dhe me perspektivë të qartë zhvillimi për të punësuarit.

Projektligji për Shërbimin Gjyqësor rregullon statusin e veçantë të të punësuarve në gjykata, përfshirë nëpunësit gjyqësorë, policinë gjyqësore dhe stafin teknik, ndërsa Projektligji për Prokurorinë Publike rregullon statusin e të punësuarve në prokuroritë publike, përfshirë nëpunësit prokurorialë, nëpunësit civilë dhe personelin ndihmës teknik.