Dy salla të mbushura plot, në Shkup u shfaq filmi “Krejt e thirrin Rexhën”

Mbrëmë, në dy salla të Cineplexx, në Shkup u shfaq falas filmi “Krejt e thirrin Rexhën”, në kuadër të iniciativës nga Agjencia e Filmit dhe Cineplexx MK, shkruan Portalb.mk.

Publiku pati mundësi ta përjetojë edhe një herë historinë e Rexhës në ekranin e madh, pas rrugëtimit të suksesshëm të filmit në Maqedoni dhe diasporë.

Ky rikthim në kinema u vlerësua si një mundësi e veçantë për të rikthyer vëmendjen te filmi vendor dhe për të dëshmuar se tregimet, personazhet dhe realitetet tona kanë vend të rëndësishëm në kinematografi.

Filmi “Krejt e thirrin Rexhën” ka arritur të krijojë lidhje të fortë me publikun, duke u kthyer në një nga titujt shqiptarë që është diskutuar, shpërndarë dhe përjetuar gjerësisht nga shikuesit.

Përmes kësaj iniciative, Agjencia e Filmit dhe Cineplexx MK synojnë të rikthejnë vëmendjen te filmi vendor dhe të hapin më shumë hapësirë për prodhimet kinematografike nga vendi ynë.

Pas suksesit te publiku vendas dhe në diasporë, filmi do të vazhdojë prezantimin e tij në festivale të ndryshme ndërkombëtare, duke e çuar më tej historinë e Rexhës dhe duke promovuar kinematografinë shqiptare dhe atë të Maqedonisë së Veriut para audiencave të reja.