DEBATE ME MBUROJË

Bashkëfolësi që merr fjalën në një debat, duhet të dëgjohet me vëmendje dhe respekt duke i lënë hapësirë për ta shprehur mendimin e tij, pavarësisht nëse pajtohemi ose jo me të.

Sot kultura e debatit ka rënë në nivele të ulëta dhe në vend se të debatohet për probleme thelbësore, “debatohet” me fyerje e sharje. Ndodh shpesh që të gjithë folësit të flasin njëkohësisht dhe askush nuk e dëgjon tjetrin.

Atridi tek “Iliada” thotë:

“Është punë e bukur t’i mbash vesh ligjëruesit,

dhe hije s’ka në gojë t’ia presësh fjalën,

pse fillin humb edhe gojëtari i njohur.

Kush dëgjon dot mes zhurmës e rrëmujës?

Këto e mbytin zërin sado të fuqishëm.”

Këto vargje na kujtojnë se çfarë do të thotë kulturë komunikimi. Pra, aftësinë për ta dëgjuar dhe respektuar tjetrin. Kjo kulturë ishte e shprehur edhe në odat e tradicionale. Ka fise që, ndonëse mund të na duken të paprekur nga qytetërimi, zotërojnë kulturë debati më të zhvilluar sesa të qytetëruarit tanë. Një fis i lashtë na jep shembullin më të mirë se çfarë do të thotë kulturë komunikimi. Bashkëfolësi detyrohet ta dëgjojë tjetrin dhe, vetëm pasi dëshmohet se e ka dëgjuar me kujdes, mund të flasë, por pasi t’i jepet një shkop nga kryekuvendori.

Lumo Skendo thoshte se shtypi nuk duhej të ishte pasqyrë e kafeneve dhe as vend i fjalimeve të zbrazëta, por të drejtohej nga njerëz të zotë dhe profesionistë.

Sot nëpër studio televizive duhet të shkosh me mburojë. Aty s’duhet të ketë shishe ose gota qelqi, sepse rrezikohesh të goditesh pas ndonjë shpërthimi të befasishëm.

Prirja për klikime dhe shikueshmëri e ul komunikimin në nivelin e turmës. Në këto rrethana, shumë njerëz, që nuk e durojnë tiraninë e turmës, hezitojnë të japin opinione. Se jo kushdo mund ta përballojë që të bëhet tabelë qitjeje dhe të goditet me fyerje e sharje të pashembullta.

Debati nxit mendimin kritik dhe na mundëson të shohim një problem apo dukuri nga kënde të ndryshme. Gjithçka tjetër është shumë zhurmë për asgjë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.