I dënuari Ismet Guri për ‘Titanik 3’ vazhdon të jetë i lirë, duhet të paraqitet në burg në mars

Ismet Guri, i cili është gjykuar bashkë me Ejup Alimin, për rastin “Titanik 3” vazhdon të jetë i lirë. Pavarësisht se aktgjykimi ka marrë formë finale më datë 03.11.2025, ai ende nuk e ka filluar vuajtjen e burgut, shkruan Portalb.mk.

Nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve për Portalb.mk thanë se pas verifikimit të të dhënave nga institucionet penale-korrigjuese (burgjet), Ismet Guri ende nuk është në ekzekutimin e dënimit me burg në territorin e RMV-së.

“Duhet të paraqitet për ekzekutimin e burgut më datë 02.03.2026”, thanë nga Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve.

Alimi dhe Guri për “Titanik 3” janë akuzuar në qershor të vitit 2017 për shkatërrimin e materialit zgjedhor.

14 korrik të vitit të 2023, nga Gjykata Themelore Penale e Shkupit në gjykimin e përsëritur të rastit “Titanik 3” për shkatërrimin e materialit zgjedhor kanë marrë dënime me burgim prej tre vjet e gjashtë muaj.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit Shkup, KP 294/23, aktgjykimi i shkallës së parë u konfirmua, por janë bërë ndryshime në dënimet, respektivisht Ismet Guri u dënua me 3 vite burg, ndërsa ndaj Ejup Alimit u shqiptua masë alternative, dënim me kusht prej 2 vjetësh, i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda 5 viteve të ardhshme nuk kryen vepër të re penale.

I njëjti aktgjykim më pas është konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ndërkaq vendimi i gjykatës u bë i plotfuqishëm më 3 nëntor 2025.

Kujtojmë se, Guri dhe Alimi u akuzuan se në zgjedhjet lokale të vitit 2013 kanë ndryshuar një pjesë të regjistrave të votimit në Çair.