Debat dhe kritika për ligjet për reforma në administratën publike të RMV-së
Tre ligjet të cilat parashikojnë reforma në administratën publike ishin tema e debatit publik që u realizua sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, raporton Portalb.mk.
Këto ligje parashikojnë ndryshim të mënyrës së punësimit, sitematizimit, ngritjes në detyrë, trajnimin e punonjësve, pagat dhe të tjera.
Profesor Borçe Davidkovski theksoi se njëra nga reformat për të cilat ekspertët angazhohen me vite dhe që duhet të miratohet është Akademia për trajtimin e nëpunësve në administratë dhe bartësve të institucioneve.
“Të paktën 30 vite kërkojmë institucion të veçantë Akademi për trajnim të administratës publike dhe kjo ska ndodhur. Gjithashtu kur u miratua ligji për shërbim të lartë administrativ ne kërkuam diçka si ENA francize. Është mirë të nisim prej diku dhe për shkurt kohë edhe ne të kemi një institucion si ENA”, tha Davidkovsk.
Nga ana tjetër, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë është e dëshpëruar nga ministria se nuk ka ofruar ende metodologji të re për vërtetimin e pagave në administratën publike.
“Jemi të shqetësuar sepse paga minimale si njëra nga komponentët që e ndërton rrogën e të punësuarve në sektorin publik është hequr, pa u futur metodologjia e re sipas marrëveshjes së përgjithshme kolektive për sektorin publik”, tha kreu i LSM-së Sllobodan Trendafillov.
Ministri i Administratës Publike Goran Minçev tha se qëllimi është që ligjet të dorëzohen në Kuvend deri në fund të vitit.
“Këto ligje nuk janë të pushtetit ose të opozitës, këto tre ligje i tejkalojnë ndasitë politike dhe duhet tu shërbejnë interesave të shtetit. Këto reformave bëhen që të krijojnë sistem të fortë nga i cili do të përfitojnë gjeneratat e ardhshme”, tha Minçev.
Procedura e debatit publik përfshin: Ligjin për nëpunës administrative, Ligjin për të punësuarit në sektorin publik dhe Ligjin për përmirësim profesional dhe trajnim të nëpunësve administrativ.
Kujtojmë se në kohën e Qeverisë BDI-LSDM, këto tre propozime për të cilat u debatua sot, si dhe dy të tjera, pra pesë propozim-ligje për reforma në administratën publike dhe transformim digjital u miratuan në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe kaluan leximin e parë në Kuvend. Ligjet u dorëzuan në Kuvend me flamur evropian dhe me procedurë të shkurtër. Por që atëherë, nuk pati më asnjë informacion për ligjet në fjalë.
Më 15 janar të këtij viti, ish-ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu në seancë plenare të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut i prezantoi 5 propozim-ligjet, të cilat paraprakisht u miratuan në Qeveri, gjegjësisht Ligjin për nëpunësit administrative; Ligjin për të punësuarit në sektorin publik; Ligjin për sigurinë e rrjeteve dhe sistemeve informative dhe transformim digjital; Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhim elektronik dhe shërbimeve elektronike; dhe Ligjin për përkryerje profesionale dhe trajnim të nëpunësve administrativ.
Pasi ligjet ishin propozuar me procedurë të shkurtuar leximi i dytë dhe i tretë duhej të mbahen në mbledhjen e njëjtë, me ç’rast menjëherë duhej të fillonte procedura e përcaktuar për lexim të dytë, ndërsa amendamentet mund të parashtroheshin deri në fillim të mbledhjes për lexim të dytë.
Por, pavarësisht paralajmërimeve do të fillonte me leximin e dytë, seanca nuk u caktua.
Ligjet në fjalë janë të domosdoshme për reforma në administratën publike, por edhe për procesin eurointegrues të vendit, duke e pasur parasysh se për disa prej tyre, në raportin e progresit të Komisionit Evropian për vitin 2023 është theksuar nevoja urgjente për t’u miratuar.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut vitin e kaluar mori “karton të verdhë” apo notë 3 për fushën e reformave në administratën publike nga Komisioni Evropian. Shumica e ligjeve të shumëpritura me vite për çështjen e digjitalizimit, shërbimeve elektronike, meritokracinë, punësimet, nuk po arrijnë të miratohen. Në udhëkryq ka mbetur ligji për drejtorë profesional, i cili do të duhet ta rregulloje procedurën që zgjedhja e udhëheqësve të bëhet sipas kritereve përkatëse dhe jo në bazë të koalicioneve mes partive.