Danilovski: Ndryshimet e temperaturës ndikojnë në sistemin kardiovaskular

Rënia ose rritja e papritur e temperaturave ndikojnë në shëndetin e njeriut, paralajmërojnë mjekët. Diferencat e motit tek personat e shëndoshë sjellin jorehati, ndërsa problem kanë edhe të sëmurët kronikë, të cilëve shëndeti u përkeqësohet në periudhën e ndryshimeve të tilla temperaturash, siç kemi pasur dy ditët e fundit, transmeton Portalb.mk.

Temperatura e mëngjesit ka rënë ndjeshëm dje në 12 deri në 20 gradë Celsius, ndërsa vetëm një ditë më parë kemi pasur fazë portokalli dhe temperatura maksimale ditore prej 41 ose më shumë gradë. Për këto dallime të mëdha të temepraturave në kohë të shkurtër kohore, përkatësisht, si ndikojnë ato në shëndetin e njeriut, Meta.mk ka biseduar me epidemiologun Dragan Danilovski.

“Trupi i njeriut ka aftësinë të ambientohet me ndryshimet e temperaturës, por nuk mund ta bëjë këtë brenda pak orësh. Duhen disa ditë, deri në dy javë. Ndryshime të tilla të papritura të temperaturës prishin ekuilibrin e sistemeve ekologjike dhe mund të sjellin probleme me shëndetin e njeriut, veçanërisht për të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike”, paralajmëron ai.

Siç shpjegon Danilovski, organizmi është në një ekuilibër delikat dhe përpiqet shumë të mbajë temperaturën e trupit dhe funksionet vitale, si dhe të gjejë mënyra për të kompensuar variacionet ekstreme të ndikimeve të jashtme.

“Dallimet e temperaturës ndikojnë në sistemin kardiovaskular. Nxehtësia shkakton stres në trup dhe hormonet e stresit e ekspozojnë zemrën ndaj përpjekjes së shtuar. Temperaturat e ulëta mund të shkaktojnë hipotermi dhe të çojnë në trashje të gjakut, gjë që rrit tendencën për të formuar koagulum (mpiksje) të gjakut. Dhe kjo, nga ana tjetër, mund të çojë në goditje në tru dhe zemër dhe trombozë në ekstremitete”, shpjegon Danilovski.

Ekstremet nuk janë problem për një organizëm të shëndetshëm. Mekanizmat e rregullimit të ekuilibrit janë elastikë. Por tek të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, elasticiteti i mekanizmave kompensues ulet.

“Ndryshimet e papritura të temperaturës dhe lagështisë mund të çojnë në tharjen e mukozës së hundës, gjë që rrit mundësinë e infeksioneve bakteriale dhe virale (për shkak të kompromentimit të reagimit imunitar lokal ndaj hyrjes së viruseve ose baktereve). Ato gjithashtu mund të përkeqësojnë gjendjen e atyre që vuajnë nga alergjitë. Ndryshimet e motit mund të shkaktojnë edhe migrenë dhe dhimbje kyçesh”, shton Danilovski.

Me rritjen e probabilitetit të ndryshimeve të papritura të temperaturës në vitet në vijim, thekson profesori, njerëzit në moshë të shtyrë dhe me sëmundje kronike duhet t’i kushtojnë vëmendje rreziqeve të tyre të mundshme dhe të mbrohen kur ndodhin këto luhatje.

Ndërkohë sinoptikanët kanë paralajmëruar rritje të temperaturës për ditën e sotme, e cila do të lëvizë nga 26 deri në 34 gradë.

Deri të dielën do të mbajë mot stabil me netë të freskëta dhe temperaturë mesatare ditore”, njofton DPHM.