Dafina Zeqiri-Nushi: Muzika bashkëkohore nuk njeh kufij, ideja artistike e lindur në Kosovë mund të komunikojë me publikun kudo në botë
Kompozitorja nga Kosova Dafina Zeqiri-Nushi po shënon një tjetër hap të rëndësishëm në rrugëtimin e saj artistik ndërkombëtar. Vepra “Saint Catharine” është prezantuar në Minneapolis Institute of Arts në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën interpretimin e violinistit të njohur ndërkombëtarisht dhe të nominuarit për Grammy. Në një bisedë për Portalb.mk, Zeqiri-Nushi foli për procesin e krijimit të “Saint Catharine”, bashkëpunimin me Peter Sheppard Skærved, prezantimin e muzikës shqipe në institucione prestigjioze ndërkombëtare dhe nevojën për mbështetje më të madhe institucionale për artistët nga Kosova.
Portalb.mk: Çfarë do të thotë për ju që vepra “Saint Catharine” të interpretohet para publikut amerikan në Minneapolis Institute of Arts?
Dafina Zeqiri Nushi: Për mua është një nder i madh dhe një moment shumë domethënës në rrugëtimin tim artistik. Minneapolis Institute of Arts është një institucion me prestigj të jashtëzakonshëm ndërkombëtar, ku arti pamor, historia dhe muzika bashkëjetojnë në një dialog të veçantë. Fakti që një vepër e imja është pjesë e një programi të tillë dëshmon se muzika bashkëkohore nuk njeh kufij dhe se një ide artistike e lindur në Kosovë mund të komunikojë me publikun kudo në botë.
Portalb.mk: Si lindi “Saint Catharine” dhe çfarë historie, emocioni apo figure fshihet pas kësaj vepre?
Dafina Zeqiri Nushi: “Saint Catharine” nuk lindi vetëm si një ide kompozicionale, por si rezultat i një procesi të gjatë hulumtues, ku kërkimi artistik dhe ai shkencor ecën paralelisht. Frymëzimi fillestar erdhi gjatë punës sime në Skt. Petri-Kyrka në Malmo të Suedisë, ku u përballa me skulpturën mesjetare të Shën Katerinës së Aleksandrisë. Figura e saj më tërhoqi menjëherë, jo vetëm për vlerat estetike, por mbi të gjitha për simbolikën e jashtëzakonshme që mbart.
Shën Katerina konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme femërore të historisë së krishterimit. Ajo ishte një grua me kulturë dhe dituri të jashtëzakonshme, e cila pati guximin të sfidonte autoritetin e kohës me argumente filozofike dhe intelektuale. Në një periudhë kur gratë rrallë kishin zë në jetën publike, ajo u shndërrua në simbol të dijes, guximit, lirisë së mendimit dhe sakrificës për të vërtetën.
Ky ishte vetëm fillimi i një kërkimi shumë më të gjerë. Duke studiuar jetën e saj, zbulova se relikat e Shën Katerinës, sipas traditës, u dërguan nga engjëjt në malin Sinai, ku më vonë u ndërtua Manastiri i Shën Katerinës në Egjipt, një nga manastiret më të vjetra që funksionon ende sot. Ky fakt më shtyu të kontaktoja drejtpërdrejt me manastirin, nga ku pata privilegjin të marr materiale muzikore të rralla, korale të lashta kushtuar Shën Katerinës.
Këto korale u bënë një burim i çmuar frymëzimi. Nuk i përdora si citime të drejtpërdrejta, por i analizova dhe i transformova përmes gjuhës sime kompozicionale. Fragmente të tyre shfaqen në vepër si një kujtesë e largët liturgjike, si lutje dhe si homazh ndaj figurës së saj. Në këtë mënyrë, muzika ndërton një dialog mes traditës mijëravjeçare dhe estetikës bashkëkohore.
Portalb.mk: Vepra juaj do të interpretohet nga violinisti i nominuar për Grammy, Peter Sheppard Skærved. Sa e rëndësishme është që muzika juaj të marrë jetë nga një emër i tillë ndërkombëtar?
Dafina Zeqiri Nushi: Është një privilegj dhe një përgjegjësi e madhe artistike. Peter Sheppard Skærved është një nga violinistët më të shquar në botë. Ai është një artist i nominuar për GRAMMY Award, fitues i çmimeve të BBC Music Magazine dhe i nominuar për Gramophone Award, me një karrierë që shtrihet në më shumë se tridhjetë vende dhe me mbi njëqind albume të vlerësuara nga kritika ndërkombëtare. Ajo që e bën Peterin të veçantë nuk është vetëm virtuoziteti i tij, por edhe angazhimi i jashtëzakonshëm ndaj muzikës së kohës sonë. Mbi 200 vepra për violinë solo i janë dedikuar atij nga disa prej kompozitorëve më të rëndësishëm të shekujve XX dhe XXI, si Hans Werner Henze, Judith Weir, Michael Finnissy dhe George Rochberg. Ai është themelues i Kreutzer Quartet, Fellow i Royal Academy of Music, Honorary Professor në Royal Northern College of Music dhe zhvillon projekte kërkimore me muze, universitete dhe institucione prestigjioze në mbarë botën.
Bashkëpunimi ynë nuk kufizohet vetëm në interpretimin e një vepre. Ai është ndërtuar në kuadër të projektit ndërkombëtar Knowledge Exchange Violin, i mbështetur nga Research England dhe Royal Academy of Music, ku muzika, kërkimi shkencor, historia e artit dhe trashëgimia kulturore ndërthuren në një dialog të përbashkët. Përmes këtij projekti, “Saint Catharine” është interpretuar në universitete, galeri arti dhe qendra kërkimore ndërkombëtare, duke u zhvilluar përmes një procesi të vazhdueshëm artistik dhe akademik.
Për një kompozitore, është jashtëzakonisht e rëndësishme që një artist i këtij niveli jo vetëm ta interpretojë veprën, por ta studiojë atë në thellësi dhe ta prezantojë në institucione me ndikim ndërkombëtar. Peter ka një aftësi të rrallë për të depërtuar në thelbin estetik të një kompozimi dhe për ta shndërruar partiturën në një përvojë artistike të gjallë. Besoj se çdo interpretim i tij i jep veprës një dimension të ri dhe e ndihmon atë të arrijë te një publik shumë më i gjerë.
Portalb.mk: Si ndihet një kompozitore nga Kosova kur emri i saj vendoset në të njëjtin program me autorë të mëdhenj historikë dhe bashkëkohorë botërorë?
Dafina Zeqiri Nushi: Është një ndjenjë përgjegjësie po aq sa edhe krenarie. Nuk e shoh si një krahasim me emrat e mëdhenj të historisë, por si një mundësi për të qenë pjesë e një vazhdimësie artistike që lidh shekuj të ndryshëm përmes muzikës.
Portalb.mk: A është ky sukses vetëm personal, apo edhe një dëshmi se muzika bashkëkohore e Kosovës po depërton fuqishëm në skenën ndërkombëtare?
Dafina Zeqiri Nushi: Sigurisht që ka një dimension personal, sepse çdo vepër mbart vite pune, kërkimi dhe reflektimi. Megjithatë, besoj se kjo është edhe një dëshmi se muzika bashkëkohore nga Kosova po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë në arenën ndërkombëtare.
Kur veprat tona interpretohen në universitete, muze, festivale dhe institucione prestigjioze ndërkombëtare, ato nuk përfaqësojnë vetëm autorin, por edhe kulturën nga e cila vijnë. Çdo interpretim ndërton ura të reja bashkëpunimi dhe krijon mundësi për gjeneratat e ardhshme të kompozitorëve dhe artistëve kosovarë.
Portalb.mk: Çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës që artistët tanë të mos mbeten vetëm talente të mëdha, por të shndërrohen në emra të njohur botërisht?
Dafina Zeqiri Nushi: Kosova ka artistë jashtëzakonisht të talentuar. Ajo që shpesh mungon është një strategji afatgjatë për mbështetjen e tyre. Duhet të investohet më shumë në kërkimin artistik, në krijimin e partneriteteve ndërkombëtare, në rezidenca artistike, në komisionimin e veprave të reja dhe në promovimin profesional të artistëve tanë jashtë vendit.
Në botën e sotme, talenti është vetëm pika e nisjes. Ajo që e bën një artist të njohur ndërkombëtarisht është vazhdimësia e mbështetjes institucionale dhe krijimi i mundësive për bashkëpunim global.
Portalb.mk: Pas Minneapolisit, cili është synimi juaj i radhës dhe ku dëshironi ta çoni “Saint Catharine”?
Dafina Zeqiri Nushi: “Saint Catharine” nuk është një vepër që e shoh si të përfunduar me një interpretim të vetëm. Përkundrazi, ajo vazhdon të jetojë dhe të zhvillohet përmes interpretimit, kërkimit dhe dialogut me institucione të ndryshme artistike e akademike.
Deri më tani, kjo vepër ka qenë pjesë e një rrugëtimi ndërkombëtar kërkimor dhe artistik, duke u interpretuar dhe prezantuar në institucione prestigjioze si Skt. Petri-Kyrka dhe Musikhögskolan i Malmo në Suedi, Universiteti i Lundit, Universiteti i Londrës, Universiteti Vanderbilt në SHBA, Universiteti i Wisconsin-it, Akademia e Muzikës në Zagreb, si dhe në Tremenheere Gallery në Cornwall të Mbretërisë së Bashkuar. Çdo interpretim ka qenë pjesë e një procesi të vazhdueshëm reflektimi dhe kërkimi, duke e pasuruar veprën me perspektiva të reja artistike.
Një rol të rëndësishëm në këtë rrugëtim ka pasur projekti ndërkombëtar Knowledge Exchange Violin, i mbështetur nga Research England dhe Royal Academy of Music, si dhe bashkëpunimet me kolokuiumin A Music in the Real World të Universitetit Vanderbilt dhe projektin Facing the Past të Akademisë së Muzikës në Zagreb. Këto projekte kanë dëshmuar se muzika bashkëkohore mund të ndërtojë ura të fuqishme mes kërkimit shkencor, trashëgimisë kulturore dhe krijimtarisë artistike.
Interpretimi në Minneapolis Institute of Arts përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në këtë rrugëtim, por jo fundin e tij. Dëshira ime është që “Saint Catharine” të vazhdojë të interpretohet në festivale, universitete, muze dhe qendra artistike ndërkombëtare, duke krijuar vazhdimisht dialog me publikë dhe kultura të ndryshme.
Paralelisht me këtë projekt, këtë vit pata kënaqësinë të realizoj koncertin tim autorial në Cyrih, ku u promovua edhe monografia ime shkencore “Timbri dhe Estetika e Ngjyrës: Dimensionet e Tingullit në Artin e Kompozimit”.
Hapi i radhës është sjellja e këtij projekti edhe në Kosovë, ku publiku vendas do të ketë mundësi të ndjekë koncertin autorial dhe promovimin e monografisë. Po ashtu, projekti është planifikuar të prezantohet edhe në kuadër të Sofia Music Weeks në Bullgari, duke vazhduar kështu rrugëtimin e tij ndërkombëtar dhe duke krijuar mundësi të reja për promovimin e muzikës bashkëkohore nga Kosova.
Besoj se çdo koncert, çdo bashkëpunim dhe çdo botim nuk është vetëm një arritje personale, por një mundësi për të prezantuar identitetin kulturor të Kosovës në skenën ndërkombëtare. Ky është vizioni im: të vazhdoj të krijoj, të hulumtoj.