Çmimi i femicidit në RMV: Vetëm 250 euro ndihmë shtetërore, përderisa riintegrimi i viktimave kërkon edhe strehim edhe punësim

Dhuna nuk mund të parandalohet nëse nuk sigurojmë mjete financiare për viktimat, thotë Elena Dimushevska, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje. Vitin e kaluar në Maqedoni ndodhën 4 vrasje të grave (femicid), ndërsa gjatë 10 viteve të fundit janë regjistruar 115 vrasje dhe tentativa për vrasje të grave, thonë nga Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje. Për momentin, po punohet për shqyrtimin e lëndëve gjyqësore për rastet e përfunduara me vendim të formës së prerë për të parë sa nga këto raste janë femicide, shkruan Portalb.mk.

Nga Rrjeti Kombëtar thonë se riintegrimi i viktimës është më i rëndësishmi, por për këtë duhen para, ndërsa shteti nuk parashikon mjete në buxhet. Gratë viktima të dhunës në familje, pasi paraqiten në Qendrat për Punë Sociale, marrin nga shteti vetëm 15.000 denarë ndihmë njëherësh (rreth 250 euro), ndërsa për shpenzimet e tjera si qiraja e banesës, shpenzimet e përgjithshme, ushqimi, arsimimi i fëmijëve, nuk jepet asnjë ndihmë. Pikërisht për shkak të mungesës së kësaj ndihme, një pjesë e madhe e viktimave kthehen sërish te partneri.

“Riintegrimi përfshin strehimin, mbështetjen financiare, ndihmën psikologjike, arsimin dhe punësimin. Kur kemi një grua e cila ndodhet në paqëndrueshmëri ekonomike dhe kur shteti i siguron strehim, ndihmë financiare, atëherë ajo tashmë mund të mendojë për zhvillimin e saj dhe të ardhmen e saj. Nëse viktima është e pavarur ekonomikisht, me vetë faktin që i nxjerrim nga ambienti i pasigurt dhe i mundësojmë stabilitet ekonomik, fëmijët nuk do të rriten në një ambient të dhunshëm dhe nuk do të mësojnë modele sjelljeje të dhunuesit apo viktimës. Në lidhje me riintegrimin, ne jemi ende në fillim. Ndonëse ligji ka hyrë në fuqi në maj të vitit 2021, riintegrimi është parashikuar me të gjithë shtyllat, por për fat të keq, shteti nuk i është përkushtuar kësaj çështjeje. Këto janë shërbime që kërkojnë mjete financiare, kjo nuk është diçka që mund ta sigurojmë nëse nuk parashikohen mjete nga buxheti i shtetit dhe buxhetet e komunave. Dhuna nuk mund të parandalohet nëse nuk sigurojmë mjete financiare për viktimat,” thotë Elena Dimushevska, drejtoreshë ekzekutive e Rrjetit Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje.

Rrjeti ofron ndihmë financiare për viktimat, gjegjësisht marrjen me qira të një banese, mbulimin e shpenzimeve të përgjithshme, si dhe sigurimin e ushqimit, por thonë se buxhetet e tyre janë të kufizuara dhe nuk mund t’i mbulojnë këto shpenzime për të gjitha gratë dhe në një periudhë më të gjatë.

Nga Rrjeti Kombëtar thonë se është shumë e rëndësishme që viktimat të pranojnë ndihmën psikologjike që u ofrohet. Për fat të keq, te ne ajo përdoret më së paku dhe më shumë fokusohen te punonjësja sociale dhe ndihma juridike.

“Ne, në përgjithësi, nuk besojmë si shoqëri në ndihmën e specialistit i cili është psikolog apo psikoterapist, sepse ende mbizotëron mendimi se te psikologu shkon personi që ka çrregullim apo shqetësim të thellë psikik. Viktimat e dhunës në familje që pranojnë ndihmën psikologjike e kalojnë atë proces shumë më lehtë,” shton Dimushevska.

Fushata e Rrjetit Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje. Foto nga Portalb.mk
Fushata e Rrjetit Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje. Foto nga Portalb.mk

Raporti i Entit Shtetëror të Auditimit (ESA) “Implementimi i Konventës së Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (Konventa e Stambollit)” u shqyrtua në Komisionin parlamentar për të Drejtat e Barabarta të Burrave dhe Grave më 2 dhjetor. Në Raport citohen të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), se në periudhën 2018-2023 janë kryer gjithsej 6.242 vepra penale për dhunë në familje, si: vrasje (33 vepra), tentativë vrasje (14 vepra), lëndim trupor (3.792 vepra), lëndim i rëndë trupor (155 vepra), shtrëngim (38 vepra), rrezikim i sigurisë (2.179 vepra), privim kundërligjor i lirisë (29 vepra) dhe ndërmjetësim në kryerjen e prostitucionit (2 vepra). Të dhënat tregojnë se shumica e veprave penale nga totali i përgjithshëm kanë të bëjnë me lëndim trupor 61% dhe rrezikim të sigurisë 35%.