Kovaçevski nga Granada: Zgjerimi është në krye të agjendës së BE-së

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në Samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian në Granada të Spanjës, dha deklaratë për shtyp , në të cilën i fokusua në rëndësinë e këtij Samiti të tretë lidhur me procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit dhe i theksoi qëndrimet që do t’i transmetojë sot në kuadër të tryezës së rrumbullakët në Samitin, ku do të flasë për tranzicionin digjital dhe inteligjencën artificiale, transmeton Portalb.mk.

“Sot përfaqësoj Maqedoninë e Veriut në këtë takim jashtëzakonisht të rëndësishëm të komunitetit politik evropian. Praktikisht ka përfaqësues të të gjitha vendeve evropiane, përveç Rusisë dhe Bjellorusisë. Një nga temat kryesore që ka rëndësi më të madhe për ne është zgjerimi i BE-së.Ju e dini se agjenda e BE-së pas një kohe të gjatë është zgjerimi. Normalisht do të diskutojmë tema që kanë të bëjnë me digjitalizimin dhe vendosjen e inteligjencës artificiale, të gjitha me qëllim përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, dhe ky do të jetë një nga takimet e punës ku do të marr pjesë së bashku me kryeministrat e Francës, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, një sërë të tjerësh, përfaqësues të Parlamentit Evropian, të Komisionit Evropian”, tha Kovaçevski.

Gjithashtu, ai tha se, është e rëndësishme që nesër do të mbahet një takim jozyrtar i Këshillit Evropian, ku do të diskutohen çështjet që janë të rëndësishme për ne, si për paqen dhe sigurinë në Evropë, për mbështetjen për Ukrainën, por edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

“Siç njoftoi më shumë se një muaj më parë Kryetari i Këshillit Evropian Sharl Mishel, tashmë ka një debat brenda BE-së në lidhje me përgatitjen e BE-së për pranimin e anëtarëve të rinj nga njëra anë dhe nga ana tjetër proceset e anëtarësimit që vetë vendet anëtare kanë me Bashkimin Evropian. Mendoj se jemi në një pozitë të shkëlqyer duke pasur parasysh që bisedimet me BE-në i kemi filluar vitin e kaluar. Nga ana tjetër, BE-ja ka një interes strategjik dhe një proces tashmë të hapur për përshtatjen e tij, i cili është një proces paralel për faktin se do të duhet të funksionojë në të ardhmen me vende që kanë një numër më të madh se ky aktual. Që do të thotë se do të ketë dinamikë në anën e vendeve kandidate për anëtarësim, para së gjithash kam parasysh vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut, por edhe dinamikën brenda BE-së në drejtim të përshtatjes së funksionimit të disa vendeve anëtare”, theksoi kryeministri.

Ai shtoi se Gjermania dhe Franca kanë përgatitur një dokument pune që u referohet atyre ndryshimeve strategjike që duhen bërë.

“Nuk mund ta komentoj këtë për momentin, sepse është një dokument pune që nuk është finalizuar, prandaj do t’i lë ta komunikojnë ata, megjithëse e kam parë dhe mendoj se ajo që shkruhet në vetë dokumentin e punës është pozitive për vendin tonë dhe vendet e rajonit”, nënvizoi kryeministri.

Komuniteti Politik Evropian është një platformë e koordinimit politik për vendet evropiane në të gjithë kontinentin, e cila synon të bashkojë liderët nga vendet evropiane në frymën e barazisë dhe unitetit dy herë në vit. Samiti i parë i Komunitetit Politik Evropian u mbajt në Pragë në tetor të vitit 2022, i ndjekur nga një samit në Kishinau, Moldavi, në qershor të këtij viti.

Gjatë vizitës e tij në Granada të Spanjës, Kryeministri Kovaçevski shoqërohet nga bashkëshortja Elena Kovaçevska. Bashkëshortja e Kryetarit të Qeverisë Kovaçevski, Elena, ka disa aktivitete në program në kuadër të Samitit, ndërsa do ta shoqërojë Kryeministrin Kovaçevski në darkën formale të organizuar nga Mbreti dhe Mbretëresha e Spanjës.