Çka premtojnë Ilirian Fetahu dhe Fisnik Mela në programet e tyre për Komunën e Dibrës?

Në këto zgjedhje lokale për kryetar të Komunës së Strugës janë tre kandidatë, Fisnik Mela nga VLEN, Ilirian Fetahu nga AKI dhe Ramadan Imeri i pavarur. Në Komunën e Dibrës këto zgjedhje të drejtë vote kanë 19,763 qytetarë. Portalb.mk i ka përmbledhur premtimet kryesore të kandidatëve nga AKI dhe VLEN nga programet e tyre. 

Sipas anketës së Portalb.mk për problemet e kësaj komune, qytetarët kanë vlerësuar si problem më të madh me 24% infrastrukturën (rrugët, parkimi, komunikacioni, ndërtimet), me 19.7% shërbimet komunale (uji i pijshëm, grumbullimi i mbeturinave, ndriçimi publik, pagesat e taksave), me 17,9% mjedisin (mbeturinat/deponitë, ndotja e ajrit, ndotja e ujit, ndotja e tokës), me 17% korrupsionin dhe nepotizmin (punësimi i kuadrove partiake, ndarja e tenderëve dhe mjeteve buxhetore, mito), me 16.8% arsimin (kushtet në shkolla, politizimi, mungesa e stafit) dhe problemet tjera me 4.7%. 

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Infrastruktura

Premtimet e Ilirian Fetahut në programin zgjedhor për infrastrukturën:

Hartimi i rrjetit të ujësjellësit. Ndërtimi i stacionit për klorinim në fshatin Kosovrast i Poshtëm. Ndërtimi i hapësirave të reja për parking në përputhshmëri të planit urbanistik. Parkim me pagesë në rrugë me fluks më të madh sipas një sistemi të ri funksional me orar të caktuar. Riorganizimi i “Shëtitores”, me ndriçim adekuat, pastrim të rregullt dhe orar të përcaktuar për lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve. Ndërtimi i rrugëve të reja në lagjen Tylbe, rruga që lidh nga rrethrotullimi te Komuna në pjesën kodrinore të qytetit, Kosovrast i poshtëm, Lagjen Venëc 1 dhe 2. Ndërtimi i rrjetit të kanalit atmosferik në Lagjen Venec 2. Rikonstruktimi e rrugëve: Ismail Qemali, Shemsi Hatipi, Xhafer Kodra, Naim Frashëri në lagjen Venëc 2, Ali Pustina, Ismail Kadare në lagjen Venëc 2, Normalja e Elbasanit, Naim Frashëri, Vehbi Dibra, Dan Cami, f. Sollokiq, vazhdimi nga f. Bomove deri në Shushice, Naxhi Egriu etj. Rivendosja dhe rinovimi i sinjalizimit rrugor (horizontal dhe vertikal) dhe emërtimi i saktë i rrugëve dhe lagjeve në qytet sipas sistemit të adresave. Rishikimi i regjimit të komunikacionit në qytet për të mundësuar lëvizje më të lehtë dhe efikase për qytetarët dhe bizneset. Zgjerimi i ndriçimit publik në të gjitha zonat urbane dhe rurale, duke përfshirë fshatrat. Hartimi i planeve detale urbanistike për: zonat urbane të qytetit, fshatrat. Ndërtimi i këndeve të lojërave: lagja Vakof Varosh, Konjare dhe Venëc 2. Rritja e kapacitetit energjetik të linjës se transmetimit nga 35 në 110KW. Investim në instalimin dhe përmirësimin e sistemeve modernë për filtrimin dhe trajtimin e ujërave të zeza. 

Premtimet e Fisnik Melës në programin zgjedhor për infrastrukturën:

Përpilimi dhe miratimi i planit gjeneral urbanistik. Përpilim dhe miratim i planeve detale urbanistike. Ritransformim i qendrës të qytetit. Rritja e vendeve të parkimit. Rregullimi i komunikacionit me plane të qarta urbane dhe sinjalizim modern. Rinovimi i sheshit Skënderbeu. Ndërtimi i një centrali fotovoltaik në Dibër.

Mjedisi

Premtimet e Ilirian Fetahut në programin zgjedhor për mjedisin:

Formimi i Sektorit për gjelbërim dhe mirëmbajtje të hapësirave të gjelbërta. Mbjellja e drunjve halore (pisha) në pjese kodrinore dhe në zonat përreth liqeni. Projekt ndërkufitar me një komunë në Greqi për krijimin e një baze për riciklim. Krijimi i një baze moderne për riciklimin e mbeturinave. Trajtim i qenve endacakë në bazë të standardeve europiane.

Premtimet e Fisnik Melës në programin zgjedhor për mjedisin:

Përpilimi i Planit Lokal të Veprimit për Mjedisin. Monitorim i rregullt i ndotjes së mjedisit dhe marrja e masave konkrete për sanksionimin e ndotësve. Përfshirja e OJQ-ve dhe ekspertëve në monitorimin e mjedisit, në procesin e planifikimit dhe vendimmarrjes, si dhe në fushata ndërgjegjësimi dhe ngritjeje të vetëdijes. Zgjerim i gjelbërimit dhe transformim i hapësirave publike përmes mbjelljes së pemëve dhe krijimit të parqeve e zonave rekreativ. Menaxhimi me qentë endacak, zgjidhje humane dhe afatgjatë për menaxhimin e qenve endacakë

Shërbime Komunale

Premtimet e Ilirain Fetahut në programin zgjedhor për shërbimet komunale:

Zgjerimi i shërbimit komunal të grumbullimit të mbeturinave. Shërbimi i pastrimit në mënyrë sistematike do të përfshije edhe fshatrat Banjisht, Mogorçë dhe Xhepisht/Otishan. Digjitalizimi i shërbimeve komunale, për të reduktuar burokracinë dhe për t’i mundësuar qytetarëve qasje më të shpejtë dhe më të lehtë në shërbime (online pagesa, certifikata, leje ndërtimi, ankesa, etj.). Krijimi i një platforme digjitale komunale që do të shërbejë si qendër komunikimi dhe transparence ndërmjet Komunës dhe qytetarëve. Zhvillimi i një sistemi bazuar në Inteligjencën Artificiale për të analizuar ankesat, sugjerimet dhe nevojat e qytetarëve në kohë reale, si dhe për të ndihmuar në planifikimin më të mirë të burimeve komunale. Instalimi i sistemeve smart (smart city) në infrastrukturë – ndriçim publik inteligjent, monitorim i konsumit të ujit dhe menaxhim elektronik i mbetjeve. Përmirësimi i kushteve të punonjësve në ndërmarrjet publike. Investim në kushtet fizike të punës: ambientet e brendshme, pajisjet e nevojshme për punë, veshje punë dhe mjetë mbrojtëse për stafin teknik. 

Premtimet e Fisnik Melës në programin zgjedhor për shërbimet komunale:

Themelimi i ndërmarrjes publike për menaxhim me parkingjet e qytetit. Përmirësim të pastërtisë publike – rritje dhe përmirësim i pastërtisë publike në çdo lagje, me shërbime më të shpeshta dhe menaxhim më efikas për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm. Vendosje, mirëmbajtje dhe sofistikim i rrjetit të ndriçimit publik në gjithë komunën.. Vendosje dhe zëvendësim të ulëseve nëpër qytet. Menaxhimi me mbeturinat, zgjerim i zonës së mbulimit me shërbim të rregullt të grumbullimit të mbeturinave edhe në zonat rurale.

Arsimi

Premtimet e Ilirian Fetahut në programin zgjedhor për arsimin:

Alokim i buxhetit për stimulim të kreativitetit të nxënësve përmes aktiviteteve. Formimi i sektorëve për veprimtarive kulturore përbrenda institucioneve shkollore. Bashkëpunime ndërkufitare me institucionet shkollore me Republikën e Shqipërisë. Mbikëqyrje aktive dhe realizim i projekteve ekzistuese për përmirësimin e infrastrukturës së shkollave dhe institucioneve edukative – izolim termik, lyerje, ndërrim i dyerve dhe dritareve për efikasitet më të lartë energjie. Ko-financim për pajisje modernë mësimore në shkollat fillore dhe të mesme (projektorë, tabela interaktive, kompjuterë, etj.). Përkrahje dhe shpërblim për nxënësit që arrijnë rezultate të larta në gara lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare. Organizim i aktiviteteve komunale shkollore për edukimin mjedisor, aksione ekologjike dhe vetëdijesim për mbrojtjen e natyrës. Do të kërkohet nga Ministria e Arsimit profilizimi i shkollës së mesme në Dibër – “Gjimnazi 28 Nëntori”, me drejtime profesionale që i përgjigjen tregut vendor dhe rajonal të punës. Ndërtimi i një terreni sportiv (poligon) në Gjimnazin “28 Nëntori”. Zbatim i drejtë i vendimit për shpërndarjen e nxënësve sipas rajoneve, me qëllim mbajtjen funksionale të të gjitha shkollave fillore. Mbështetje financiare për nxënës dhe studentë të dalluar dhe ata nga familje me gjendje të vështirë ekonomike, përmes bursave dhe formave të tjera të ndihmës. Bursat dhe mbështetja financiare për student të cilët do të orientohen në profesione deficitare. 

Premtimet e Fisnik Melës në programin zgjedhor për arsimin:

Balancim i numrit të nxënësve nëpër shkollat fillore. Procedura transparente në prokurimet publike duke i dhënë prioritet furnizimit me lëndë ngrohëse dhe kushteve bazike për shkollat. Çdo shkollë do të ketë siguri të plotë dhe kushte të denja për zhvillimin e procesit mësimor. Pajisja e shkollave me mjete adekuate dhe didaktike – shkollat do të furnizohen me të gjitha pajisjet e nevojshme për mësimdhënie bashkëkohore, duke siguruar kushte të barabarta për të gjithë nxënësit dhe mundësi reale për zhvillim cilësor. Mbështetje dhe organizim të aktiviteteve jashtë-mësimore. Kushte të barabarta për mësim, zhvillim dhe përfshirje. Mbështetje financiare për nxënësit e suksesshëm. 

Transparenca dhe llogaridhënia 

Premtimet e Ilirian Fetahut në programin zgjedhor për transparencë:

Përfshirja e qytetarëve, planifikimi urban dhe investimet infrastrukturore do të realizohen në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me qytetarët, arkitektët lokalë dhe ekspertët përkatës, secili projekt do të hapet për diskutim publik dhe do të zhvillohet me transparencë të plotë. Krijimi i një platforme digjitale komunale që do të shërbejë si qendër komunikimi dhe transparence ndërmjet Komunës dhe qytetarëve. Lehtësim i procedurave administrative dhe transparencë në ndarjen e fondeve komunale për shoqërinë civile. 

Premtimet e Fisnik Melës në programin zgjedhor për transparencë:

Transparencë në punën e komunës, publikimi online i vendimeve, tenderëve dhe buxhetit në një faqe të dedikuar për transparencë. Administratë e qasshme dhe pa barriera, komunë me “dyer të hapura” për qytetarët, ku çdo ankesë ose pyetje merr përgjigje të shpejtë dhe të qartë. Procedura transparente në prokurimet publike. 

Probleme tjera 

Premtime tjera në programin e Ilirian Fetahut nga fusha e turizmit, kulturës, rinisë, sportit, mbrojtjes sociale: 

Krijimi i Qendrës Informative për turistët. Mbështetje e kapaciteteve ekzistuese të turizmit me qëllim të nxisim zhvillimin e turizmit të kombinuar. Përpilimi i “Hartave zonale” për zhvillimin e turizmit. Modele biznesi për bujtina, resorte dhe agroturizëm. Krijimi i një “Guide turistike digjitale”. Vendosja e QR kodeve në hyrje të qytetit dhe në pika kyçe për qasje më të lehtë në informacion. Bashkëpunim me grupin punues të formuar në komunë për identifikimin, hartimin dhe implementimin e Strategjisë për Zhvillim Ekonomik Lokal dhe Projekteve Kapitale. Përgatitja e planeve detale për Zonat Ekonomike që do të mundësojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Masa mbështetëse dhe stimulative për bizneset dhe familjet. Mbështetje dhe subvencionim për lyerjen e fasadave të ndërtesave të vjetra. Promovimi i produkteve vendore dhe bashkëpunimi ndërkufitar. Organizim i aktiviteteve dhe projekteve për promovimin e produkteve lokale me karakter rajonal. Aplikim dhe shfrytëzim maksimal i fondeve IPA dhe IPARD nga Bashkimi Evropian për mbështetje të projekteve zhvillimore dhe bashkëpunimit ekonomik ndërkufitar. 

Hapja e Qendrës Rinore. Themelimi zyrtar i Këshillit Rinor Komunal. Përkrahje për startup-e rinore. Organizim i forumeve rinore dhe aktiviteteve kulturore e sportive, në bashkëpunim me shkollat, shoqatat dhe komunitetin e biznesit. Trajnime për zhvillimin e aftësive personale dhe profesionale, duke përfshirë fushat si teknologji, menaxhim projektesh, lidership, mjedis dhe pjesëmarrje demokratike. Themelimi i Qendrës për Trashëgimi Kulturore të Dibrës. Vazhdimi i Muzeut Etnografik të Dibrës. Përkrahje të rregullt për shoqëritë kulturore-artistike. Organizimi i festivaleve kulturore lokale. Krijimi i një kalendari me aktivitete kulturore gjatë sezonit veror. Mbështetje e vazhdueshme financiare dhe logjistike për të gjitha klubet sportive. Rikonstruktimi dhe mirëmbajtja e të gjitha terreneve sportive, me theks të veçantë në “Stadiumin e klubit Korabi” dhe fushat sportive në lagje dhe shkolla. Organizimi i ngjarjeve tradicionale sportive: Triatloni i Dibrës (vrapim, notim, çiklizëm), maratona qytetare, turnire të futbollit, basketbollit dhe shahut. 

Bashkëpunim i vazhdueshëm me stacionin policor lokal për rritjen e sigurisë publike. Mbështetje për kategoritë të pa mbrojtura, përfshirë të moshuarit, personat me nevoja të veçanta dhe familjet në nevojë. 

Premtime tjera në Programin e Fisnik Melës nga fusha e turizmit, kulturës, rinisë, sportit, mbrojtjes sociale: 

Bashkëpunimi me OJQ-të dhe klubet lokale për të zhvilluar projekte në ekonomi, turizëm dhe agroturizëm. Krijimi i info-qendrave turistike. Mbështetje e agroturizmit si formë zhvillimi ekonomik. Rol aktiv në mbështetjen e iniciativave që synojnë zhvillimin e turizmit. Mbështetje për bujqit, informim, trajnime dhe asistencë për aplikimin dhe menaxhimin e subvencioneve. 

Mbështetje dhe zhvillim të festivaleve tradicionale dhe artistike. Bashkëpunim me OJQ-të dhe institucionet kulturore. Themelimi i muzeut të Qytetit të Dibrës. Krijimi i regjistrit komunal të trashëgimisë kulturore të Dibrës. Themelimi i Këshillit Rinor Lokal. Revitalizimi i terrenit sportiv multifunksional (poligonit) të qytetit. Rinovimi i poligoneve sportive në fshatrat Mogorçë dhe Kosovrast të Poshtëm. Iniciativë për rregullimin e statusit të pronësisë të stadiumit të qytetit. Mbështetje për të rinjtë, OJQ-të dhe klubet sportive përmes fondeve, hapësirave dhe bashkëpunimit. Mbështetje për individët e talentuar dhe sportistët e suksesshëm. Krijimi i Qendrës Rinore. Ndërtimi i Pishinës të mbyllur. 

Organizim i shëtitjes njëditore falas për pensionistët. Për çdo fëmijë të porsalindur, familja do të marrë një shpërblim të njëhershëm financiar nga komuna. Programe edukative dhe sensibilizuese. Ndërtimi i qendrës ditore për fëmijët me nevoja të veçanta. Mbështetje për OJQ-të dhe ofruesit e licencuar të shërbimeve sociale duke siguruar që çdo qytetar të ketë qasje në ndihmë dhe shërbime profesionale. Mbështetje për shërbim mjekësor, ndihmë e parë në zonën rreth liqenit të Dibrës gjatë sezonit veror. 

Ndryshe, këto janë zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e vendit. 

Rrethi i parë do të mbahet më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor. 

Fushata për rrethin e parë ka filluar më 29 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë do të vazhdojë deri më 31 tetor.