Çka premtojnë Daut Beqiri dhe Skender Isufi në programet e tyre për Komunën e Haraçinës?

Në këto zgjedhje lokale për kryetar të Komunës së Haraçinës garojnë tre kandidatë, Daut Beqiri nga VLEN, Skender Isufi nga AKI, dhe Fekri Bakiu i pavarur. Në Komunën e Haraçinës këto zgjedhje të drejtë vote kanë 10,584 qytetarë. Portalb.mk i ka përmbledhur premtimet kryesore të kandidatëve nga AKI dhe VLEN nga programet e tyre. 

Sipas anketës së Portalb.mk për problemet e kësaj komune, qytetarët kanë vlerësuar si problem më të madh me 23.7% infrastrukturën (rrugët, parkimi, komunikacioni, ndërtimet), me 22.9% shërbimet komunale (uji i pijshëm, grumbullimi i mbeturinave, ndriçimi publik, pagesat e taksave), me 18.8 % mjedisin (mbeturinat/deponitë, ndotja e ajrit, ndotja e ujit, ndotja e tokës), me 14 % korrupsionin dhe nepotizmin (punësimi i kuadrove partiake, ndarja e tenderëve dhe mjeteve buxhetore, mito), me 12.5% arsimi (kushtet në shkolla, politizimi, mungesa e stafit) dhe problemet tjera me 8.1 %. 

Infografik: Albina Ramadani/Portalb.mk
Infografik: Albina Ramadani/Portalb.mk

Infrastruktura 

Premtimet në programin e Daut Beqirit për infrastrukturën: 

Investime në rrugë lokale për lehtësim të transportit të mallrave. Përmirësim i rrjetit elektrik dhe ujësjellësit në zonat industriale. Sigurimi i hapësirave të përbashkëta logjistike (depo, qendra shpërndarjeje). Ndërtimi i dy këndeve të lodrave në Komunën e Haraçinës. 

Premtimet në programin e Skender Isufit për infrastrukturën: 

Asfaltimi i të gjitha rrugëve dhe rrugicave. Përfundimi i fazës së dytë dhe të tretë të kanalizimit fekal. Kanalizim atmosferik në rrugët ku mungon. Rregullimi i kanalit të hapur. 

Haraçinë: Përfundimi i kanalizimit fekal dhe ndërtimi i impiantit filtrues. Ujësjellsi me kapacitet të plotë. Kanali i hapur 700m të mbetura. Kanalizim atmosferik.

Grushinë: Shtrati i lumit dhe asfaltimi i rrugëve lokale. Zgjërim i rrugës kryesore dhe asfaltimi i rrugës Grushinë-Nikushtak.

Orllancë: Shtrati i lumit dhe asfaltimi i rrugëve lokale. Zgjërim i rrugës kryesore për Orllancë.

Mojancë: Asfaltimi i rrugës lokale.

Mjedisi

Premtimet në programin e Daut Beqirit për mjedisin: 

Mbjellja e pemëve në çdo lagje dhe krijimi i mini-parqeve urbane. Pastrimi dhe mbrojtja e lumenjve e përroskave të komunës nga mbeturinat. Investime në sistemet e kanalizimit dhe filtrimit të ujërave të zeza. Futja e programeve të edukimit mjedisor në shkolla dhe aktivitete për nxënësit. Fushata ndërgjegjësuese për qytetarët mbi riciklimin dhe ruajtjen e mjedisit. Mbështetje për organizatat lokale ekologjike. Mbështetje për organizatat lokale ekologjike. Edukimi ekologjik. 

Premtimet në programin e Skender Isufit për mjedisin: 

Kujdes dhe pastrim i hapësirave publike. Vendosje e kontejnerëve dhe menaxhim më i mirë i mbeturinave. Përfundimi i ndërtimit të stacionit bazë për selektimin e mbeturinave dhe vendosja në funksion të plotë. Projekte për gjelbërimin e komunës. 

Shërbimet komunale

Premtimet në programin e Daut Beqirit për shërbimet komunale: 

Organizimi i një sistemi efikas për grumbullimin dhe ndarjen e mbeturinave (organike, plastike, qelqi, metali). Vendosja e kontejnerëve për riciklim në çdo lagje. Bashkëpunim me kompani riciklimi për të zvogëluar ndotjen dhe për të krijuar mundësi të reja pune. Fushata sensibilizuese për ruajtjen e burimeve ujore. 

Premtimet në programin e Skender Isufit për shërbimet komunale: 

Rregullimi i ujësjellësit dhe sigurimi i orëmatësve për çdo familje. Ndriçimi publik në disa segmente do të zëvendësohet plotësisht me solar.

Arsimi

Premtimet në programin e Daut Beqirit për arsimin:

Investim në trajnimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve që fëmijët të mësojnë me metoda moderne. Teknologji digjitale në klasa. Çdo shkollë do të ketë kabinete moderne për shkencë, informatikë dhe gjuhë. Nxënësit e dalluar do të shpërblehen me bursa dhe konkurs. Transport i sigurt dhe falas për çdo nxënës.

Premtimet në programin e Skender Isufit për arsimin: 

Përmirësimi i kushteve në shkolla me investime në infrastrukturë dhe mjete bashkëkohore. Mbështetje për mësimdhënësit dhe ngritja e cilësisë së arsimit. Krijimi i kushteve për aktivitete jashtëshkollore. Bursa për nxënësit më të dalluar. Rinovimi i shkollës në Mojancë.

Korrupsioni, nepotizmi, transparenca, llogaridhënia

Premtimet në programin 2025/2029 të Daut Beqirit për transparencë dhe llogaridhënie: 

Digjitalizimi i procesit të aplikimit për licenca dhe leje (një sportel unik). Vendosja e afateve të shkurtra ligjore për lëshimin e dokumenteve. Publikimi online i disa formularëve dhe udhëzuesve. Trajnimi i administratës komunale për shërbim më efikas dhe transparent. Departizimi i arsimit. Garantimi i transparencës përmes kontratave të qarta dhe monitorimit.

Premtimet në programin e Skender Isufit për transparencë dhe llogaridhënie:

Transparencë dhe vendimmarrje bashkë me qytetarin. Publikim i rregullt i buxhetit dhe shpenzimeve. Përfshirje e qytetarëve në konsultime dhe vendimmarrje. 

Probleme tjera 

Premtimet në programin e Daut Bajramit nga fusha sociale, kultura, sporti, mërgata, rinia: 

Zhvillim i aktivteteve të rregullta kulturore, artisitke dhe edukative. Promovim i trashegimisë kulturore të komunës. Rritja e pjesëmarrjes rinore në jetën piblike dhe kulturore. Krijimi i partneriteteve mes komunës, institucioneve dhe OJQ-ve.

 Punëtori arti dhe muzike: kurse pikture, këndimi, instrumente, art digjital. Trajnime për teknologji dhe media: IT, gazetari lokale, prodhim videosh. Debate dhe sesione leximi: klub leximi, mbrëmje poezie, debate tematike. Promovim i trashëgimisë kulturore lokale: ekspozita me veshje tradicionale, këngë e valle popullore, kulinari tradicionale. 

Ndërtimi i një fushe sportive multifunksionale komunale (futboll, basketboll, volejboll) me ndriçim modern. Subvencionim për inicimin e klubeve të ndryshme sportive përmes mbështetjes financiare për pajisje për klubet sportive lokale që përfaqësojnë Haraçinën. Organizim i turneve vjetore rinore dhe shkolla sportive falas për fëmijë. 

Bashkimi i komunitetit vendas dhe mërgatës përmes aktiviteteve kulturore-artistike të komunës, duke forcuar lidhjet emocionale dhe sociale. 

Premtimet në programin e Skender Isufit nga fusha sociale, kultura, sporti, mërgata, rinia: 

Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në Haraçinë. Organizimi i aktiviteteve kulturore për të ruajtur traditën dhe për të zhvilluar identitetin kulturor lokal.

Mbështetje për KF Shkëndija 77 Haraçinë. Ndërtimi i stadiumit për futboll dhe sporte të tjera. Krijimi i kushteve për zhvillimin e sporteve për të rinjtë dhe fëmijët.

Hapësira rinore dhe qendra për aktivitete kulturore e edukative. Përfshirja e të rinjve në proceset vendimmarrëse. Mbështetje për nismat e të rinjve në arsim, biznes dhe sport.

Ndryshe, këto janë zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e vendit.

Rrethi i parë do të mbahet më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor.

Fushata për rrethin e parë ka filluar më 29 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë do të vazhdojë deri më 31 tetor.