Cilat sëmundje mund të shfaqen te banorët pas epidemisë në Gostivar?

Hepatiti A dhe E, për momentin, nuk janë arsye për shqetësim te banorët e Gostivarit që kanë konsumuar ujë të ndotur. Nëse brenda 15 deri në 30 ditët e ardhshme shfaqen simptoma karakteristike, vetëm atëherë duhet të testohen, thotë infektologia dr. Zhaklina Shopova, subspecialiste për infeksione intestinale, shkruan Kolegium.mk, transmeton Portalb.mk.

Sytë dhe lëkura e verdhë, të vjellat, urina me ngjyrë të errët, lodhja e madhe dhe humbja e oreksit janë simptoma që mund të tregojnë për hepatit A ose hepatit E në dy deri në katër javët e ardhshme te personat që mund të jenë infektuar nga përdorimi i ujit të ndotur me fekale nga ujësjellësi i Gostivarit. Megjithatë, këto infeksione deri më tani nuk janë konfirmuar te qytetarët që u sëmurën pas përdorimit të ujit të ndotur. Nëse shfaqen simptoma, atëherë ata duhet t’i nënshtrohen testimit, thotë Shopova.

Sipas saj, te shumica e pacientëve është vërejtur një pasqyrë klinike më e lehtë dhe simptomat lidhen kryesisht me infeksione akute të zorrëve të shkaktuara nga viruse ose baktere.

“Zhvillimi i simptomave është pothuajse i njëjtë pavarësisht shkaktarit. Mund të bëhet fjalë për viruse, baktere, por edhe për viruse që sulmojnë mëlçinë, si hepatiti A dhe hepatiti E”, shpjegon Shopova.

Simptomat më të shpeshta janë të vjellat, dhimbjet e barkut, të përzierat dhe diarreja. Te një pjesë e pacientëve mund të paraqitet edhe temperaturë e lartë dhe humbje e lëngjeve, prandaj më e rëndësishmja është marrja e mjaftueshme e ujit dhe elektroliteve.

“Të gjitha këto infeksione të zorrëve, pavarësisht nëse shkaktohen nga viruse apo baktere, në shumicën e rasteve janë vetëkufizuese. Kjo do të thotë se organizmi lufton vetë kundër tyre”, thotë infektologia.

Ushqim i lehtë dhe probiotikë në vend të antibiotikëve

Për pacientët që trajtohen në shtëpi rekomandohet të përdorin vetëm ujë të sigurt, të ambalazhuar dhe të mos përdorin ujin e ujësjellësit derisa institucionet kompetente të konfirmojnë zyrtarisht se ai është i sigurt për përdorim.

Në ushqim rekomandohen produkte të lehta si patate të ziera, oriz i zier, supa të kthjellëta, banane dhe mollë të pjekura.

“Terapia është simptomatike. Është e rëndësishme marrja e lëngjeve dhe probiotikëve. Pacientët nuk duhet të marrin vetë antibiotikë, sepse në shumicën e rasteve ata nuk janë të nevojshëm. Vetëm mjeku mund të vlerësojë kur ka indikacion për terapi me antibiotikë, veçanërisht te pacientët me rrezik”, paralajmëron Shopova.

Hepatiti A dhe E nuk janë arsye për testim masiv

Pas shfaqjes së një epidemie të shkaktuar nga uji i ndotur, punonjësit shëndetësorë gjithmonë marrin parasysh mundësinë e paraqitjes së hepatitit A dhe E, pasi edhe këto sëmundje mund të transmetohen përmes ujit të kontaminuar. Megjithatë, sipas Shopovës, nuk ka nevojë që qytetarët të testohen menjëherë nëse nuk kanë simptoma.

“Jo çdo pacient me simptoma të zorrëve duhet të testohet menjëherë për hepatit A ose E. Nëse pas një periudhe të caktuar shfaqen simptoma që ngjasojnë me këto sëmundje, atëherë, përmes anketës epidemiologjike, mjeku do të vendosë nëse është i nevojshëm testimi”, thotë ajo.

Hepatiti A dhe E kanë një periudhë më të gjatë inkubacioni, që do të thotë se simptomat nuk shfaqen menjëherë pas infektimit. Për këtë arsye, autoritetet shëndetësore i monitorojnë si pasoja të mundshme të situatave të tilla epidemiologjike.

Nuk ka prova se uji i ndotur lë pasoja të përhershme

Kjo deklaratë vjen pasi disa mjekë në opinion publik ndanë komente shqetësuese se banorët e Gostivarit që u sëmurën mund të zhvillojnë sëmundje kronike të zorrëve pas epidemisë së shkaktuar nga përdorimi i ujit të ndotur.

Shkak për këto pretendime ishin rezultatet e publikuara nga Prokuroria, të marra nga Instituti i Shëndetit Publik, sipas të cilave në ujin e ujësjellësit të Gostivarit janë gjetur baktere koliforme, të cilat zakonisht jetojnë në zorrët e njerëzve dhe kafshëve me gjak të ngrohtë.

Shopova i hedh poshtë pretendimet se infeksionet akute të zorrëve të shkaktuara nga uji i ndotur lënë domosdoshmërisht pasoja të përhershme në organizëm, si inflamacion kronik ose çrregullim të përhershëm të florës së zorrëve.

“Çdo vit kemi epidemi të vogla helmimesh ushqimore dhe infeksionesh intestinale. Pacientët trajtohen në mënyrë ambulatore ose spitalore, varësisht nga gjendja, por kjo nuk do të thotë se ata zhvillojnë sëmundje kronike”, thotë ajo.

Sipas saj, shkaktarët e këtyre infeksioneve zakonisht nuk qëndrojnë gjatë në organizëm.

“Qytetarët nuk duhet të kenë frikë se kjo do të çojë menjëherë në një sëmundje kronike. Për momentin, kjo nuk është diçka që duhet të shkaktojë frikë, pasi shumica e këtyre infeksioneve janë vetëkufizuese”, shton Shopova.

Ndalesa për përdorimin e ujit nga sistemi i ujësjellësit të Gostivarit vazhdon të mbetet në fuqi.

Drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Milanov, deklaroi se të gjitha objektet ku përgatiten dhe shërbehen ushqime dhe pije, si dhe institucionet e tjera publike, duhet të sigurojnë ujë teknik për funksionimin e pandërprerë. Në të kundërtën, paralajmëroi ai, do të pasojnë sanksionet përkatëse.

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, njoftoi se vazhdon trendi i uljes së numrit të pacientëve të rinj në Gostivar, përkatësisht personave që për herë të parë kërkojnë ndihmë mjekësore për shkak të simptomave të gastroenteritit.

Sipas të dhënave të institucioneve publike shëndetësore, më 20 korrik, në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit janë kryer 183 kontrolle mjekësore, ndërsa në Shtëpinë e Shëndetit në Gostivar janë regjistruar 110 kontrolle, si dhe 25 thirrje në Shërbimin e Ndihmës së Shpejtë.

Kujtojmë se me propozim të Prokurorisë, Gjykata Penale në Gostivar shqiptoi 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarve për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar. Gjykatësja Dragoslada Veselinova tha se duke pasur parasysh dënimin e paraparë me ligj që iu ngarkohet të dyshuarve sanksionohet me të paktën 4 vjet burg, ndërsa, shtoi ajo nëse lihen të mbrohen në liri, ekziston rreziku që ata të arratisen ose të ndikojnë te dëshmitarët.