Turistët e huaj dominuan në maj, numri më i madh i vizitorëve erdhi nga Turqia

Turistët e huaj përbënin 81 përqind të numrit të përgjithshëm të turistëve në Maqedoninë e Veriut gjatë muajit maj 2026, ndërsa turistët vendas përbënin 19 përqind, sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS), transmeton Portalb.mk.

Gjatë këtij muaji janë regjistruar gjithsej 236.727 netqëndrime. Prej tyre, 75,8 përqind janë realizuar nga turistët e huaj, ndërsa 24,2 përqind nga turistët vendas.

Numri më i madh i turistëve të huaj ka ardhur nga Turqia, gjithsej 34.681 vizitorë. Pasojnë turistët nga Gjermania me 9.578, nga Serbia me 7.605 dhe nga Bullgaria me 4.858 turistë.

Të dhënat për pesë muajt e parë të vitit 2026 tregojnë rritje të aktivitetit turistik. Nga janari deri në maj, numri i përgjithshëm i turistëve është rritur për 2,6 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Numri i turistëve të huaj është rritur për 4,9 përqind, ndërsa ai i turistëve vendas është ulur për 4,4 përqind.

Në të njëjtën periudhë, numri i përgjithshëm i netqëndrimeve është rritur për 1 përqind. Te turistët e huaj është regjistruar rritje prej 3,3 përqind, ndërsa te turistët vendas është shënuar rënie prej 4,1 përqind.