Çerek shekulli nga Marrëveshja e Ohrit, çfarë mesazhe u dërguan sot?
Maqedonia e Veriut sot e shënon 25-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, dokumentit që i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001 dhe vendosi bazat për një model të ri të bashkëjetesës ndëretnike në vend. Në përvjetorin e çerek shekullit, krerët e institucioneve dhe përfaqësuesit politikë e vlerësuan rëndësinë e marrëveshjes, por theksuan edhe nevojën për zbatim të plotë të saj. Nga barazia dhe përfaqësimi i drejtë, te përdorimi i gjuhës shqipe dhe decentralizimi, 25 vjet pas nënshkrimit, Marrëveshja e Ohrit vazhdon të jetë një nga temat kryesore të debatit politik në vend, ndërsa me këtë rast, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, u mbajt seancë solemne, shkruan Portalb.mk.
Këto janë disa nga porositë në këtë përvjetor.
Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit:
Kjo marrëveshje, ishte përgjigje politike dhe institucionale ndaj një krize që kërkonte përgjegjësi, dialog dhe vizion për të ardhmen. Mbi të gjitha, ajo vendosi paqen, dialogun dhe barazinë në themel të ndërtimit të një shoqërie të qëndrueshme.
Njëzet e pesë vjet më vonë, rëndësia e saj duhet parë përtej dallimeve politike dhe interpretimeve të përditshme. Marrëveshja e Ohrit mbetet një shtyllë e rëndësishme e arkitekturës kushtetuese dhe institucionale të shtetit tonë. Përgjegjësia jonë sot është të ndërtojmë mbi mësimet e saj dhe t’i shndërrojmë ato në standarde të qëndrueshme të demokracisë dhe bashkëjetesës.
Hristijan Mickoski, kryeministër:
Jemi të vetëdijshëm se Marrëveshja Kornizë përjetohet dhe interpretohet ndryshe nga qytetarët. Historinë nuk duhet ta përshtatim me politikën ditore, dhe as të presim që të gjithë të kenë të njëjtin qëndrim ndaj ngjarjeve të së kaluarës. Por, detyrimi ynë është që nga e kaluara të nxjerrim mësime dhe të ndërtojmë një shtet ku dallimet nuk do të jenë shkak për ndarje, por realitet me të cilin do të menaxhojmë me mençuri, përgjegjësi dhe në kuadër të institucioneve.
Është koha që politika gjithnjë e më pak të merret me atë që na ndan dhe shumë më tepër me atë që duhet ta ndërtojmë së bashku. Maqedonisë i nevojitet një shoqëri në të cilën vlera e njeriut nuk do të matet sipas prejardhjes së tij, por sipas dijes, punës, ndershmërisë dhe kontributit të tij ndaj komunitetit. Një shtet ku institucionet do t’i shërbejnë qytetarit dhe ku përparimi do të varet nga aftësia dhe rezultatet.
Denion Meidani, ambasador i Shqipërisë në RMV:
Pas 25 vitesh, misioni mbetet një, i thjeshtë dhe i palëkundur: ta zbatojmë Marrëveshjen. Plotësisht, çdo ditë dhe pa kthim pas! Gjuha Shqipe sipas ligjit, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat me garanci reale dhe decentralizimi funksional janë detyrime dhe standarde mbi të cilat është ndërtuar paqja e vitit 2001 dhe e ardhmja evropiane.
Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë të drejtave të shqiptarëve dhe pranë një Maqedonie të Veriut sovrane, demokratike dhe evropiane. Këto dy qëndrime nuk përjashtojnë aspak njëri-tjetrin. Përkundrazi, një shtet është më i fortë kur qytetarët e tij janë, dhe ndihen, të përfshirë e të barabartë.
- LEXO: BDI dhe VLEN nuk i kursyen “kunjat” ndaj njëra-tjetrës as në 25-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit
Maqedonia e Veriut sot e shënon 25 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur disamujor në vend në vitin 2001.
Pas pavarësisë së Maqedonisë nga ish-Jugosllavia në 1991, Kushtetuta e vendit përmbante kufizime për të drejtat e komuniteteve të tjera etnike, veçanërisht të shqiptarëve.
Kërkesat për arsim të lartë në gjuhën shqipe dhe përdorimin e flamurit kombëtar u shoqëruan me përplasje me autoritetet.
Në vitin 1994, shqiptarët themeluan universitetin e tyre, por ai u rrënua nga policia. Në përleshje humbi jetën një person dhe u plagosën shumë të tjerë.
Tre vjet më vonë, vendosja e flamujve shqiptarë në komunat e Gostivarit dhe Tetovës u shpall e paligjshme. Pas intervenimit policor pati viktima dhe arrestime.
Niskur nga këto ngjarje dhe të tjera,më 22 janar 2001 nisi konflikti i armatosur me sulmin ndaj stacionit policor në Tearcë, ku një polic humbi jetën dhe tre të tjerë u plagosën. Përgjegjësinë e mori UShtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Përleshjet u përhapën në pjesë të ndryshme të vendit dhe vazhduan gjatë muajve të pranverës.
Më 5 korrik u arrit një marrëveshje e përgjithshme armëpushimi, e ndërmjetësuar nga OSBE-ja dhe NATO-ja, por ajo u shkel disa herë. Në periudhën 22 janar–12 nëntor 2001, humbën jetën qindra persona nga të dyja palët, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë u zhvendosën.
Pas rreth dy muajsh negociata në Ohër, Marrëveshja Kornizë u nënshkrua më 13 gusht 2001, nën patronazhin e presidentit të atëhershëm Boris Trajkovski dhe me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së.
Marrëveshjen e nënshkruan Branko Cërvenkovski, Arben Xhaferi, Lubço Georgievski dhe Imer Imeri, ndërsa si garantues morën pjesë përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së, Francois Leotard dhe James Pardew.
Marrëveshja i dha fund konfliktit dhe vendosi bazat për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera. Ajo përfshiu përdorimin zyrtar të gjuhëve, decentralizimin, mosdiskriminimin, përfaqësimin e drejtë dhe mekanizma të veçantë për çështjet që lidhen me gjuhën, kulturën, arsimin dhe simbolet.
Në vitin 2018, Kuvendi miratoi Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, ndërsa më 15 janar 2019 shqipja u bë gjuhë zyrtare krahas maqedonishtes.
Për zbatimin e Marrëveshjes, në vitin 2004 u themelua Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, i cili më vonë u shndërrua në Ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.
Sot, 25 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, në vend ende debatohet se e njëjta nuk është përmbushur në tërësi.