Rrotull zjarrit të djallit!

Nëse do të ishim pak më të zgjuar, tani do të festonim 20 vjetorin e anëtarësimit në BE me një ekonomi të qëndrueshme dhe të rinj në shtëpi

Në librin “Një kohë për vallëzim, një kohë për vdekje”, historiani John Waller përshkruan ngjarjen  e çuditshme në Strasburg në vitin 1518. Një mëngjes, një zonjë Madame Trofea kishte dalë në rrugë për të vallëzuar me shumë eufori! Pa pushim e pa arsye, por me plot ekstazë ajo me ditë kishte vazhduar të vallëzonte pa pushim. Brenda pak ditësh asaj iu bashkuan edhe shumë të tjerë, pa arsye. Që kjo nuk është një shpikje shakaxhiu, tregon fakti se epidemia është regjistruar me detaje në të dhënat e shumta kishtare të kohës, pastaj në të dhënat nga kronikat e qytetit dhe në dokumentet e këshillit të qytetit të Strasburgut. Për shkak të rraskapitjes së madhe, të cilën edhe maratonistët e sotëm nuk do e mbijetonin, vdiqën shumë njerëz dhe familje të tëra. Të vdekur në çdokënd, por vallja euforike nuk ndalej.

Disa këtë e interpretuan atë si ndëshkim nga Zoti për mëkatet, të tjerë si ndëshkim për madhërim të djallit! Sot, mjekët kanë teori të ndryshme për atë fenomen – nga histeria masive, te tifoja ose helmimi kolektiv me myk, nënprodukti i të cilit është LSD (dhe rritet në thekër dhe drithëra të tjera).

Dhe ne sot, sikur të kemi myk brenda në kokë, përkrahim çmendurinë. Çdo ditë kërcejmë në dukje të gëzuar, por në thellësi të shpirtit të trishtuar, sepse më të dashurit na kanë ikur nga katër anët e botës. Duket se kudo në botë ndjehen më mirë sesa në atdheun e tyre, ku të vetmet krijesa të lumtura mbeten politikanët e vegjël e me shpirt të imtë, që vazhdojnë të shesin çdo ditë me bollëk patriotizëm primitiv. Prandaj rinia janë kapur në një “valle” të madhe që quhet eksod, shumë më e rrezikshme se ajo vallja mesjetare. E tani, çfarëdo që të thuhet për këtë, i ngjason një kënge në çarshinë e të shurdhërve.

Çka është më e keqja, politikanët vendas pa asnjë grimë ndjenje, e justifikojnë eksodin e këtij vendi me atë se ajo qenka kudo në Ballkan. Por ja se çfarë thonë statistikat e demografëve me famë për emigracionin e të rinjve deri në moshën 35 vjeç në 20 vitet e fundit, për indeksin 1000 banorë! Nga Mali i Zi kanë emigrua 92 të rinj, nga Kroacia 215, nga Serbia 283, nga Shqipëria 290, nga BeH 291 dhe nga Maqedonia 402 të rinj. Duhet theksuar se rekordin absolut evropian e mban rajoni veriperëndimor i Maqedonisë, ku ikja është 603 të rinj! Tmerr! Kurse ne vazhdojmë të kërcejmë çmendurisht ndërsa fshatrat dhe qytetet tona vdesin, kurse politika nuk ka lejuar kurrë një numërim të ndershëm të njerëzve në to. Sepse do të shihej se mbreti ishte krejtësisht cullak. Nga mbretër të tillë, tani vetëm të vdekurve u takojnë lule. Por, vallëzimi vazhdon me numër gjithnjë në rënie. Duke ndjekur djallin arritën në ferr. Pastaj, djalli kur kuptoi se ne vet dimë ta bëjmë ferrin ai u largua.

Ndërsa opsioni i vetëquajtur evropian “angazhohet” për një Evropë me vlera anti-evropiane, opsioni tjetër “mbrojtës” nga “bullgarizimi” detyron njerëzit të lypin pasaporta bullgare. Kurse opsionet tjera janë përplot me zbrazëtira. “Çfarë mallkimi na ka rënë” – nga të gjitha anët dëgjohen vajtime të pashpresë, që burojnë nga thellësia e shpirtit për dhimbjen për fëmijët dhe nipërit e dashur që s’janë më këtu. Kurse hienat e uritura përpiqen të pine edhe pikën e fundit të gjakut nga ato që kanë mbetur. Të mbeturit, qoftë për shkak të çmendurisë apo frikës nga një e keqe më e madhe, vazhdojnë të vallëzojnë të pa shpresë.

Në vitin 1996, midis të gjitha vendeve të Evropës Lindore – Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Estonia, Letonia, Lituania, Ukraina, Moldavia, Sllovenia, Kroacia, Shqipëria, BeH, Serbia (që asaj koha mbante Malin e Zi dhe Kosovën), Bullgarinë dhe Rumaninë – realisht, Maqedonia ishte e dyta sipas barometrit evropian, menjëherë pas Sllovenisë. Atëherë problemi ynë i vetëm ishte emri i kontestuar nga Greqia. Në vend që të gjendej një zgjidhje që kërkohej asaj kohe me disa shtesa, udhëheqja e atëhershme u bë peng i patriotizmit primitiv dheu humbën shumë vite, shumë njerëz dhe një e ardhme e tërë. Nëse do ishim të përgjegjshëm, Maqedonia do ishte bërë anëtare e BE-së që në vitin 2004 së bashku me Slloveninë. Tani do të festonim 20 vjetorin e anëtarësimit në BE. Nuk thuhet kot – para se të shkoni në kërkim të lumturisë, duhet të kontrolloni, ndoshta ate jeni duke e lëshuar nga dora!

Shansi tjetër u shpërdorua nga Gruevski, i cili hodhi turbo patriotizëm të rremë për inat të Greqisë. Buçkovski si kryeministër dukshëm e qetësoi topin me Greqinë me ndihmën e SHBA-së dhe të gjithë parametrat ishin në drejtim që Maqedonia të bëhej anëtare e BE-së në vitin 2010, por me emrin e përkohshëm “FYROM” për përdorim të jashtëm. Por, askush nga shqiptarët s’kishte guxim t’i kundërvihej tij!

Tashmë të rinjtë në lulen e jetës po largohen nga atdheu i pashpresë “patriotik”, i cili kujdeset më shumë për të vdekurit se sa për të gjallët. Është një politikë e bazuar në varreza shekullore! Politikë e bazuar në – “Rrofshin të vdekurit e vdekshin të gjallët”. Tani krimi e korrupsioni janë bë vlera elitare derisa politikanët konkurrojnë se kush mund të ofrojë më shumë të kaluar, e sa më pak të ardhme!

Nuk është vlerë evropiane me këso drejtësie katastrofike. S’bëhet vlerë evropiane me patriotizma të rrejshëm, sepse bota normale e ka definuar se patriotizmi më i lartë është ekonomia, të cilës disa s’ia dine as germën “E”! Tradhti shekullore është partizimi i institucioneve dhe ajo do mbetet e shënuar në histori si e tillë bashkë ma autorët. Të gjithë paguajnë tatim që të jenë të barabartë, përndryshe vjedhin para nga i drejti që t’i jepni poltronit! Nuk është as një vlerë afrikane nëse shkelni mbi “merit-sistemin” që është çelësi i çdo zhvillimi. As në Afrikë s’ndodh 40% e tokës pjellore të mbetet e pambjellë (në Pollog madje 70%)! Ka makro-sisteme si bëhet bujqësi moderne, por për atë duhet mendje moderne.

Shteti nuk ka nevojë as për patriotizëm të rremë, as për integrime false. Ajo ka nevojë për zhvillim dinamik, për një sistem funksional, për iniciativa e udhëzime. Shumë akademikë marrin paushallë të mëdha vetëm për të heshtur injorancën dhe nepotizmin e partive në pushtet. Njerëzit kanë nevojë për këshilla dhe udhëzime ekspertësh, kanë nevojë për iniciativa, për instruksione që askush s’i bën. Çdo fshat duhet të ketë ferma të vegla dhe zona të vegla industriale që do u ofrohej pa pagesë atyre që do të investonin, sado i vogël të jetë investimi. Shteti ka nevojë për punë produktive, jo për administrim të plogësht e parazitar. Tani habitemi se si masovisht lëshohet puna në administrate! Po lëshohet se s’ka ekonomi që  e ushqen sa duhet. Njerëzit kanë nevojë për informacion për ndihmat nga fondet evropiane. Madje edhe kreditime pa kamate për investime. Njerëzit kanë nevojë për këshilla dhe udhëzime më shumë se paratë e hedhura në erë për qëllime elektorale. Kompanitë e mëdha të huaja morën miliarda euro subvencione nga këtu dhe u larguan! Nuk është rastësi që tani jemi të fundit, jo vetëm në rajon, por edhe në të gjithë Evropën. Pastaj ne zemërohemi që Banka Botërore na rendit të fundit. A akoma vazhdojmë të kërcejmë rrotull zjarrit të djallit!?