Burgasi do të mirëpresë Eurovisionin 2027, gara mbahet nga 12 deri më 15 maj

Festivali Evropian i Këngës, Eurovision 2027, do të organizohet në qytetin bregdetar të Burgasit në Bullgari. Gara muzikore do të zhvillohet nga 12 deri më 15 maj, ndërsa vendimi u bë publik nga Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) dhe Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT), bëjnë të ditur nga faqja zyrtare e festivalit Eurosong Song Contest 2027, transmeton Portalb.mk.

Bullgaria fitoi të drejtën e organizimit pasi këngëtarja Dara triumfoi në edicionin e këtij viti në Vjenë me këngën ritmike “Bangaranga”. Kjo ishte fitorja e parë e Bullgarisë në historinë e pjesëmarrjes së saj në Eurovision.

Dy gjysmëfinalet, finalja e madhe dhe të gjitha provat do të zhvillohen në “Arena Burgas”, kompleks sportiv dhe argëtues i përuruar në vitin 2023.

Drejtori i Festivalit, Martin Green, deklaroi se Burgasi i plotëson të gjitha kushtet për organizimin e një ngjarjeje të përmasave të tilla.

“Burgasi është qytet i gjallë dhe mikpritës në Detin e Zi, me identitet të fuqishëm muzikor dhe kulturor. Ai ka ambicien, infrastrukturën dhe pasionin e nevojshëm për ta mirëpritur familjen e Eurovisionit. Synimi ynë është të krijojmë një festival që do të ketë frymë bullgare, por që njëkohësisht do të jetë padyshim Eurovision”, tha Green.

Burgasi fitoi garën përballë Sofjes, Varnës dhe Plovdivit

Zgjedhja e Burgasit u prit me befasi nga një pjesë e publikut, pasi pas fitores së Darës, Sofja përmendej si favoritja kryesore për organizimin e festivalit.

Edhe drejtuesja e BNT-së, Milena Miltenova, si dhe vetë këngëtarja bullgare, kishin shprehur dëshirën që Eurovisioni të mbahej në kryeqytet.

“Jam shumë e lumtur që do të vini në Sofje vitin e ardhshëm. Jam e lumtur që Eurovisioni do të jetë në shtëpinë time”, kishte deklaruar Dara pas fitores.

Megjithatë, sipas EBU-së, vendimi u mor pas një procesi konkurrues në të cilin morën pjesë katër qytete: Sofja, Burgasi, Varna dhe Plovdivi.

Burgasi u vlerësua si kandidati më i përshtatshëm për shkak të kapaciteteve teknike, infrastrukturës hoteliere, sistemit të transportit dhe lidhjeve ndërkombëtare.

Organizimi i Eurovisionit pritet t’i sjellë qytetit edhe përfitime të konsiderueshme ekonomike. Në vitet e fundit, Liverpooli përfitoi rreth 66 milionë euro nga organizimi i festivalit në vitin 2023, Malmö rreth 40 milionë euro në vitin 2024, ndërsa Bazeli gjeneroi afërsisht 58 milionë euro gjatë edicionit të vitit 2025.

Rregull i ri për shtetet e përfshira në konflikte

Së bashku me shpalljen e qytetit pritës, drejtuesit e Eurovisionit miratuan edhe një ndryshim të rëndësishëm në rregulloren e konkursit.

Sipas rregullit të ri, një shtet që është i përfshirë në konflikt të armatosur ose në një situatë të ndjeshme gjeopolitike mund ta humbasë të drejtën e organizimit të festivalit, edhe nëse fiton konkursin. Vendimi do të merret duke u bazuar në vlerësimet për sigurinë dhe stabilitetin.

Ky ndryshim pason debatet që shoqëruan pjesëmarrjen e Izraelit në Eurovision 2026 në Vjenë. Përfaqësuesi izraelit Noam Bettan u rendit i dyti me këngën “Michelle”, ndërsa gara u zhvillua mes protestave dhe bojkotit nga disa transmetues publikë evropianë, përfshirë ata të Spanjës dhe Irlandës.

Një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe pas fitores së Ukrainës në vitin 2022. Për shkak të luftës me Rusinë, Ukraina nuk mundi ta organizonte Eurovisionin në Kiev, ndaj edicioni pasues u mbajt në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndryshe, pas pesë vitesh mungesë, Maqedonia e Veriut do të marrë pjesë në edicionin e ardhshëm të Eurovizionit 2027.