BUKA ME SHTATË KORE

Më 3 maj bota shënon Ditën Botërore të Lirisë së Medias. Kjo ditë është një thirrje kundër çdo forme ndikimi, presioni apo censurimi që e cenon pavarësinë e gazetarisë. Njëkohësisht, kjo ditë, është një përshpirtje për punonjësit e medias që kanë humbur jetën duke ushtruar profesionin e tyre.

Gazetaria është profesioni i “bukës me shtatë kore”. Gazetari vazhdimisht përballet me presione e rreziqe, por pa gazetarë të lirë, nuk ka as shoqëri të lirë.

Gazetaria është profesion dinamik, stresues dhe i rrezikshëm, veçmas në vendet totalitare ose në vendet me demokraci të brishtë, ku mendimi kritik ose nuk pranohet fare, ose pranohet me vështirësi.

Gazetari nuk ka pushtet real, por me punën e tij ai mund të krijojë autoritetin e vet moral. Ky autoritet krijohet vetëm kur gazetari i zbaton me ndershmëri kodet profesionale dhe etikën mediale.

Gazetarët e ndershëm, që i kanë kritikuar dhe i kritikojnë dukuritë negative në shoqëri, gjithmonë kanë qenë dhe janë në shënjestër të autoriteteve politike ose të grupeve të ndryshme të interesit. Ata i kanë paguar dhe i paguajnë tagër profesionit, veçanërisht kur pushteti i sheh si armiq të përbetuar.

Megjithatë, ka një rregull të artë: çdo pushtet, sado i fuqishëm të jetë, herët apo vonë, e humb luftën me mediat. Apo, siç tha Elitisi, fryma gjithmonë ka triumfuar mbi shpatën. Thuhet se regjimet që mëtojnë ta shuajë fjalën e lirë janë si fëmijët që besojnë se do të bëhen të padukshëm duke i mbyllur sytë.

Pavarësisht nëse pajtohemi ose jo me një gazetar kritik, aktet e kërcënimit apo dhunës ndaj tyre janë të papranueshme, kurse mungesa e solidarizimit me ata do të thotë trimërim i dhunuesve të fjalës së lirë.

Edhe pse jam larguar prej kohësh nga ky profesion, vazhdoj t’i ndiej më të afërt gazetarët sesa autoritetet politike, sepse aty ku gazetarit tentohet t’i mbyllet goja me dhunë ose nëpërmjet frikësimit, nuk mund të flitet për liri dhe për demokraci.

Por mediat nuk rrezikohen vetëm nga autoritetet e ndryshme. Mund të rrezikohen edhe nga pronarët dhe gazetarët. Kur humbet besimi te media, kur gazetarët dezinformojnë në vend që të informojnë, atëherë gazetaria është në gjendjen më të rëndë të mundshme.

Sipas Indeksit të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij për vitin 2026, Maqedonia ka rënë për tri vende. Ajo është në grupin e vendeve ku situata vlerësohet si “problematike”.

“Dezinformimi i përhapur gjerësisht dhe mungesa e profesionalizmit kontribuojnë në rënien e besimit të shoqërisë në media”, thuhet në raport.

Shoqërisë nuk i duhen media që na tregojnë se kë duhet ta urrejmë, siç ka thënë një shkrimtar, dhe aq më pak media sensacionale. Kur gara për audiencë shndërrohet në një betejë të egër, atëherë rregullat e gazetarisë dhe etika profesionale mbeten fjalë në letër.

Neil Postman (1931 – 2003) shënoi në veprën “Duke u argëtuar deri në vdekje” se televizioni (media), duke shprehur ide përmes imazheve e redukton politikën, lajmet, historinë dhe temat serioze në argëtim. Kur njerëzit shihen vetëm si audiencë, atëherë kultura bie. Sipas tij, kur mediat e shkatërrojnë “bisedën publike serioze dhe racionale”, atëherë jemi në gjendjen që përshkruhet te vepra “Më e mira botë” e Aldous Huxleyt, ku njerëzit nuk kontrollohen nga frika, por nga kënaqësia dhe e pranojnë skllavërinë me vetëdëshirë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.