Shkrimtari dhe historiani britanik Noel Malkolm konsiderohet njohës i mirë i çështjeve ballkanike. Ai është njëri ndër autorët që kanë shkruar me kompetencë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Këtë e dëshmoi fillimisht me veprën “Kosova, një histori e shkurtër”, që u vlerësua edhe nga bota perëndimore, kurse u sulmua ashpër nga qeveria dhe “studiuesit” proqeveritarë serbë, duke qenë se bie ndesh me pallavrat e tyre shekullore mbi Kosovën “djep të Serbisë”.
I rëndësishëm është edhe libri “Rebelët, besimtarët, të mbijetuarit”, që hedh dritë mbi kombin tonë – mbi konvertimet fetare, politikën, personalitetet e njohura dhe të panjohura deri më tani, metodat shtypëse të pushtuesve otomanë, gënjeshtrat mbi shpërnguljen masive të serbëve nga Kosova në sh. XVII dhe mitet e identitetit tonë.
Po ndalemi në vijim pikërisht te studimi “Mitet e identitetit kombëtar shqiptar”, të ndarë në 4 pjesë: “Miti i Origjinës dhe Prioritetit”, “Miti i Homogjinitetit Etnik dhe i Pastërtisë Kulturore”, “Miti i Luftës së Përhershme Kombëtare” dhe”Miti i Indiferencës ndaj Religjionit”.
Studimi hapet me pikëpamjet e shprehura të autorëve shqiptarë në Amerikën e sh. XX, të cilat Malkolmi i lidh me mentalitetin mitik në veprim, sepse, sipas tij: “ato nënkuptojnë ekzistencën e një ‘kombi’ thuajse të pakohë shqiptar, identitetin e tij që qëndron prapa ose përtej vetë historisë”.
Lidhur me mitin e origjinës…, Malkolmi citon Konstandin Çekrezin – botuesin e revistës “Illyria” në Boston, sipas të cilit: “Shqiptarët janë produkt i kombinimit të ilirëve të lashtë, maqedonëve dhe epirotëve, të cilët ishin pasardhës të pellazgëve akoma më të lashtë – popullit të parë që erdhi në Evropë”.
Të njëjtën bindje e shpërfaq publikisht Kristo Dako – redaktori i gazetës “Dielli” të Vatrës: “Shqiptarët ishin banorët autoktonë të Gadishullit Ballkanik, të cilët e sunduan me mijëra vjet para se barbarët ta kalonin Danubin”.
Malkolmi citon edhe Fan Nolin, i cili më 1916 shkroi: “Shqiptarët janë të vetmit pronarë legjitimë të Shqipërisë. Ata e kanë zotëruar këtë tokë aq sa mbahet mend, shumë gjatë para se grekët dhe sllavët të vinin në Gadishullin Ballkanik”.
Të afërt me mitin e origjinës Malkolmi e sheh edhe mitin e homogjenitetit etnik dhe pastërtisë kulturore. Historiani britanik këtë e konsideron qëndrim të pambrojtshëm, sepse: “Asnjë popullsi ballkanike s’ka mbetur në enë të papërshkueshme uji, dhe se të gjithë kanë kaluar përmes gjithfarëlloj ndërpërzierjesh etnike”. Gjithnjë sipas tij edhe gjenet e shqiptarëve, gjuha, kultura dhe mënyra e të jetuarit jënë pikëluar nga popujt me të cilët kanë ndarë jetën në periudha të gjata historike.
Lidhur me mitin e luftës së përhershme për mbrojtjen e identitetit kombëtar nga të huajt, historiani britanik u referohet të dhënave të autorëve shqiptarë: shkrimit të K. Çekrezit për luftërat e pandalshme të stërgjyshërve tanë me romakët, me osmanët dhe me pushtuesit tjerë; memorandumit të cilin Fan Noli ia dorëzoi më 1918 presidentit Woodrow Wilson, ku thuhej se: “Shqiptarët qenë të fundit që iu dorëzuan turkut, pa iu përulur kurrë”; raportit të Ismail Qemalit, ku thuhet: “Edhe pas vdekjes së Skënëdrbeut, shqiptarët nuk hoqën dorë nga dëshira për pavarësi. Ata e ndihmuan Perandorinë Osmane me qëllim të përfitimit nga fuqia e saj, por kur e panë se ajo po shkon drejt rrënimit, u ngritën për të shpëtuar vetveten”; artikullit të Faik Konicës të vitit 1911, në të cilin shkroi: “Do të doja të prishja çfarëdo lidhje mes Shqipërisë dhe Turqisë, t’i zhdukja sa më larg që është e mundur pasojat e pushtimit, si dhe ta lidhja të tashmen me të kaluarën duke mundësuar që vendi im ta vazhdojë zhvillimin e saj të natyrshëm, aty ku qe ndërprerë nga pushtuesit e huaj”.
Të gjitha këto qëndrime, studiuesi N. Malkolm i konsideron si qasje mitike, sepse: “Një histori gjysmëmijëvjeçare nuk mund të zhbëhet sikur fare të mos kishte ndodhur”.
Qëndrime të mendësisë mitike të publicistëve shqiptarë në Amerikë, historiani i shquar i konsideron edhe ato për indiferencën e shqiptarëve ndaj religjionit. Malkolmi përmend të dhënën se: “Shqiptarët gjatë shekujve kanë dhënë mjaft besimtarë të devotshëm, myslimanë e të krishterë…” dhe kjo dëshmon të kundërtën e mitit mbi indiferencën e tyre fetare. Sipas tij, këtë mit e ushqejnë përzierjet e dukurive të ndryshme, si: sinkretizmi i praktikave popullore fetare; kujtesa e gjallë për besimin e të parëve (nderimi nga shqiptarët muslimanë i shenjtorëve të fesë së mëhershme, si Shën Gjergji dhe Shën Mitri); praktika normale e burrave muslimanë që martoheshin me gra të krishtera pa iu kërkuar konvertimin në Islam; toleranca e bektashinjëve, që K. Çekrezi e përshkroi si “element protestant të islamizmit”; dukuria e rallë e kripto-krishterimit; sistemi shoqëror i anëtarëve të fiseve të Shqipërisë Veriore (besnikëria e tyre ndaj fisit, që kishte prioritet mbi cilëndo ndarje të fisit në degë katolike dhe muslimane) dhe faktorë të tjerë që shumëkushi i ngatërron me sindromin e vetëm të “indiferencës”.
Studimin mbi 4 mitet e identitetit kombëtar shqiptar, Noel Malkomi e mbyll me shkrimin e Tajar Zavalanit, të cilin e konsideron më shpalosësin e strukturës mitike të të menduarit që kishte provuar ta përshkruajë në esenë, me fragmentin e së cilës po e mbyll shkrimin e sotëm:
“Shqipëria nën sundimin osman u zhvillua në një drejtim tërësisht të kundërt nga ai që kishin marë popujt e tjerë ballkanikë. Arsyeja mund të jetë se shqiptarët qenë formuar shpirtërisht nën paganizmin romak, i cili u ishte shtuar traditave pagane të ilirëve. Për ilirët, zhvillimi i vetëdijes kombëtare nuk ishte kanalizuar përmes pranimit të krishterimit. Kështu, që prej kohëve të lashta, të menduarit dhe aktivitetet shoqërore të shqiptarëve karakterizoheshin nga një ndarje e qartë mes fesë dhe kombësisë”.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.