Shpesh flasim për demokracinë sikur të ishte një arritje e përhershme, një strukturë institucionesh dhe të drejtash që, pasi të themelohen, nuk mund të zhbëhen më. Por në realitet, demokracia është shumë më e brishtë sesa kemi guximin ta pranojmë. Ajo nuk është një monument i gdhendur në gur, por një organizëm i gjallë, i ndjeshëm ndaj neglizhencës, i cenueshëm nga manipulimet dhe gjithmonë i varur nga kujdesi ynë.
Në rajonin tonë, këtë të vërtetë e njohim shumë mirë. Kemi parë sa të brishta mund të bëhen strukturat tona përballë populizmit, nacionalizmit dhe tundimit të liderëve që premtojnë zgjidhje të shpejta për probleme të ndërlikuara. Demokracia nuk shkatërrohet brenda natës; ajo gërryhet gradualisht, me lëshime të vogla, me heshtje, me normalizimin e sjelljeve që dikur do të ishin të paimagjinueshme.
Çarjet e para shfaqen shpesh në narrartivë. Diskursi i urrejtjes fillon të tolerohet, më pas të justifikohet, dhe në fund të kthehet në diskurs të zakonshëm. Udhëheqësit, në vend që ta dënojnë, shpesh shfrytëzojnë valën e zemërimit publik, duke e kthyer ndarjen në kapital politik. Qytetarët mësohen me këtë normalitet të ri, duke ngritur supet ndaj fjalëve që dikur do të shkaktonin indinjatë. Dhe kështu, terreni ndryshon, në fillim pa u vërejtur, derisa papritur e gjejmë veten në një vend krejt tjetër, ku premtimi për dinjitet të barabartë për të gjithë nuk është më i sigurt.
Demokracia dobësohet gjithashtu kur institucionet humbasin pavarësinë e tyre. Gjykatat shndërrohen në mjete presioni politik, mediat shërbejnë si makina propagande, dhe parlamentet kthehen në teatro ku vendimi merret shumë përpara se të fillojë debati. Fasadën e mbajmë, ende ka zgjedhje, ligje dhe procedura formale, por shpirti ka ikur. Ajo që mbetet është vetëm demokraci në pamje, e zbrazur nga brenda.
Megjithatë, kërcënimi më i madh për demokracinë nuk vjen nga politikanët; vjen nga apatia. Kur qytetarët humbasin besimin se mund të ndikojnë në jetën publike, kur votimi duket i pakuptimtë, kur njerëzit tërhiqen në jetën private dhe ia lënë politikën më të zhurmshmëve e më agresivëve, atëherë demokracia vyshket. Një demokraci pa qytetarë është si një trup pa qarkullim gjaku, mund të qëndrojë drejt për pak kohë, por rrëzimi është i pashmangshëm.
Dhe megjithatë, pikërisht për shkak se demokracia është e brishtë, ajo është edhe e çmuar. Brishtësia e saj nuk është dobësi, por një kujtesë për përgjegjësi. Ne nuk mund t’ia delegojmë demokracinë institucioneve dhe të presim që ato të funksionojnë pa vigjilencën tonë. Demokracia nuk është diçka që e trashëgojmë; ajo është diçka që duhet ta krijojmë vazhdimisht, përmes pjesëmarrjes, përmes llogaridhënies dhe përmes guximit për të folur kur heshtja duket më e lehtë.
Prova e vërtetë e demokracisë nuk vjen në kohë paqeje dhe stabiliteti, por në momente krize. A i qëndrojmë ende besnikë sundimit të ligjit kur pasionet janë të ndezura? A i mbrojmë ende pakicat kur shumica kërkon uniformitet? A e mbrojmë ende lirinë e shprehjes edhe kur ajo na ofendon? Këto janë pyetjet që e ndajnë një demokraci në emër nga një demokraci në praktikë.
Nuk duhet të ngushëllohemi me iluzionin se “këtu nuk mund të ndodhë.” Historia na tregon se demokracia mund të shembet kudo, në çdo kohë, nëse njerëzit e lejojnë. Shekulli XX është i mbushur me shembuj shoqërish që mendonin se ishin të sigurta, vetëm për t’u zgjuar një ditë nën hijen e autoritarizmit.
Demokracinë duhet ta ushqejmë si një flakë të brishtë. Ajo kërkon pjesëmarrjen tonë, vigjilencën tonë dhe refuzimin tonë për të heshtur përballë padrejtësisë. Kërkon që të kërkojmë më shumë nga ata që na qeverisin, dhe edhe më shumë nga vetja jonë si qytetarë.
Nëse demokracia është e brishtë, ajo është edhe rezistente, nëse kujdesemi mjaftueshëm për ta mbrojtur. Por nëse e marrim të mirëqenë, nëse lëmë që cinizmi të zëvendësojë shpresën dhe indiferenca të zëvendësojë përgjegjësinë, atëherë demokracia jo vetëm që mund të dobësohet ajo mund të zhduket tërrësisht. Dhe kur humbet një herë, ajo kurrë nuk rikthehet lehtë.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.