Borell akuzoi Izraelin për financim të Hamasit

Një diplomat kryesor evropian, Josep Borrell, akuzoi hapur Izraelin për financimin e Hamasit, shkruan SDK.

“Hamasi u financua nga qeveria izraelite në një përpjekje për të dobësuar Autoritetin Palestinez,” tha Borrell ndërsa merrte një doktoraturë nderi nga Universiteti i Valladolidit, raportoi gazeta spanjolle “El Pais”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mohuar akuza të tilla në të kaluarën.

Komisioneri Evropian për Politikë të Jashtme theksoi se krijimi i një shteti palestinez është i nevojshëm për të zgjidhur konfliktin aktual.

“E vetmja zgjidhje është formimi i dy shteteve që do të ndajnë tokën për të cilën vdesin prej 100 vitesh. Një zgjidhje e tillë duhet të imponohet nga jashtë”, tha Borell.

Qeveria izraelite mohoi pikëpamjet e Borell.

“Borrell e ka gabim. Kryeministri Netanyahu goditi fort Hamasin me tre operacione të mëdha ushtarake, në 2012, 2014 dhe 2021, dhe pas masakrës së 7 tetorit, ai urdhëroi ushtrinë të shkatërronte plotësisht Hamasin”, tha këshilltari i Netanyahut, Ofir Falk.

Pretendimet se qeveria e Netanyahut ka lejuar financime për Hamasin, duke përfshirë financimin e Qatarit për Gazën, janë bërë më parë nga opozita izraelite, analistët dhe mediat si The New York Times. Zyrtarët izraelitë thonë se kjo është pjesë e një politike që shumica e politikanëve kryesorë izraelitë e kanë përqafuar si një mënyrë të mundshme për të moderuar Hamasin me supozimin se grupi militant do të zbusë ideologjinë e tij dhe do të inkurajohet të fokusohet në qeverisje.

Mes zyrtarëve të lartë izraelitë po shfaqen përçarje lidhur me mënyrën se si duhet trajtuar lufta kundër Hamasit në Rripin e Gazës. Gadi Eisenkot, një prej katër anëtarëve të kabinetit të luftës, hodhi dyshime mbi strategjinë për lirimin e pengjeve, qëndrim që vjen ndërsa kryeministri Netanyahu hodhi poshtë thirrjet e Shteteve të Bashkuara, për të ulur intensitetin e operacioneve ushtarake.