Biletat e ndeshjes Maqedoni – Belgjikë do të jenë falas për 3 mijë fëmijë
Ndeshja e futbollit në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026, Maqedoni – Belgjikë, do të jetë një mundësi e mirë për fëmijët e Ligës së Fëmijëve dhe Futbollit Shkollor. Biletat e tyre do të jenë falas, transmeton Portalb.mk.
“FFM-ja do të mundësojë hyrje falas për tribunën lindore në Arenën Nacionale “Todor Proeski” për të gjithë nxënësit që kanë marrë pjesë në turneun final në Ligën e Fëmijëve dhe në projektin e futbollit shkollor “Hajde në futboll”, në ndeshjen e ardhshme ndërmjet Maqedonisë dhe Belgjikës”, raportoi Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM).
Tribuna lindore do të jetë e rezervuar për fëmijët e rinj, si një ardhme e futbollit në Maqedoni të Veriut. Në këtë projekt përfshihen 2000 fëmijë nga 96 ekipe në Ligën e Fëmijëve dhe 1000 fëmijë në shkollat fillore.
“Përmes kësaj nisme, dërgojmë mesazh për mbështetjen e të rinjve, duke e ngritur akoma më shumë dashurinë për futbollin dhe entuziazmin për reprezentacionin e Maqedonisë së Veriut”, deklaruan nga Federata.
Ndryshe, Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) më 28 maj ka filluar shitjen e biletave për ndeshjen ndërmjet Maqedonisë dhe Belgjikës, ndërsa çmimi i biletave pritet të jetë 300, 400 dhe 500 denarë.
Ndeshja do të luhet më 6 qershor në Arenën Nacionale “Todor Proeski” në Shkup, duke filluar nga ora 20:45. Biletat do të shiten përmes ueb platformës online KËTU.