Biden: Marrëdhëniet SHBA-Kinë janë në ‘shtegun e duhur’ pas vizitës së Blinkenit

Marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Kinës janë në “shtegun e duhur” pas vizitës së Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Pekin, tha presidenti amerikan Joe Biden, raporton Anadolu.

Gjatë një vizite në shtetin e Kalifornisë për të njoftuar një financim prej miliona dollarësh për përpjekjet për qëndrueshmërinë e klimës, Biden iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, duke thënë se Blinken bëri përparim në udhëtimin e tij dyditor, i cili përfundoi të hënën.

“Mendoj se jemi në shtegun e duhur për t’u siguruar që do të jemi në gjendje t’i bëjmë të dyja: të kemi një botë më të sigurt sepse Amerika po angazhohet në një mënyrë që nuk ka qenë në të kaluarën; si dhe të sigurohemi që të kemi një ekonomi nga e cila përfitojnë të gjithë”, tha ai.

Duke mbështetur përpjekjet e Blinkenit, Biden tha se ai bëri një punë të mirë.

SHBA-ja dhe Kina ranë dakord të stabilizojnë marrëdhëniet e tyre dhe të mbajnë kanalet e komunikimit të hapura për të shmangur një konflikt të gjithanshëm midis dy kombeve.

Blinken është zyrtari më i lartë amerikan që vizitoi kryeqytetin kinez pas pesë vjetësh. Në vizitën e tij, ai u takua me presidentin Xi Jinping dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Kinës u përkeqësuan gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump për një luftë tregtare, ndërsa që atëherë kanë mbetur të tensionuara për shkak të pretendimeve të Pekinit mbi Tajvanin dhe një incidenti të një balone të dyshuar kineze të spiunazhit mbi qiellin e SHBA-së.