Trump e bëri betimin e presidentit: Epoka e artë e Amerikës fillon pikërisht tani

Presidenti i sapobetuar i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u zotua se “do ta vendosë Amerikën në vend të parë”. Në fjalimin e parë pas betimit, Trump tha se “epoka e artë e Amerikës fillon pikërisht tani”, raporton Radio Evropa e Lirë.

Donald Trump sapo bëri betimin si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai u betua se “do të ruajë dhe mbrojë” Kushtetutën e SHBA-së.

“Betohem solemnisht se do të shërbej me besnikëri në Zyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe do ta bëj më të mirën për të ruajtur dhe mbrojtur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”, tha Trump.

“Epoka e artë e Amerikës fillon tani”, tha Donald Trump me të nisur fjalimin e parë si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara.

“Prioriteti ynë kryesor do të jetë krijimi i një kombi krenar, të begatë dhe të lirë”.

“Sovraniteti ynë do të rifitohet, siguria jonë do të rikthehet, peshorja e drejtësisë do të ribalancohet”, tha Trump, duke shtuar se “armatosja e egër, e dhunshme dhe e padrejtë” e Departamentit të Drejtësisë në SHBA, do të marrë fund.

Ai e kritikoi administratën e paraardhësit të tij, Joe Biden, për trajtimin e krizës së imigrantëve, duke thënë se ajo u ka siguruar “strehë dhe mbrojtje kriminelëve të rrezikshëm” që “kanë hyrë ilegalisht në vendin tonë”.

Qeveria ka dhënë “fonde të pakufishme për mbrojtjen e kufijve të huaj”, por ka refuzuar t’i mbrojë kufijtë amerikanë, tha Trump.

Ai shtoi se Amerika, së shpejti, do të jetë “më madhështore, më e fortë dhe më e jashtëzakonshme”.

“Rrezet e diellit po shtrihen në të gjithë botën dhe Amerika e ka rastin ta shfrytëzojë këtë mundësi si kurrë më parë”, tha Trump.