Iranianët në Shqipëri kundërshtojnë kontrollet policore

Që në orët e para të mëngjesit të 20 qershorit, Policia e Shtetit në Shqipëri po kryen kontrolle në mjediset ku janë të strehuar rreth 3.000 pjesëtarë të opozitës iraniane, në kampin e Manzës të Durrësit.

Sipas njoftimit, policia tha se kontrollet po kryhen me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).

Përfaqësuesit e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), thanë se një person ka humbur jetën si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës nga policia, transmeton REL.

Sipas MEK disa të tjerë u plagosën si pasojë e ndërhyrjes së policisë. Këto pretendime u rrëzuan nga Ministria e Brendshme në Shqipëri.

“Ndërhyrja e Policisë së Shtetit ka qenë konform ligjit dhe në zbatim korrekt të procedurave që kërkojnë operacione të tilla. Veprimet e Policisë së Shtetit për zbatimin e ligjit janë kryer si në çdo pjesë tjetër të territorit të Republikës së Shqipërisë. Fatkeqësisht, brenda kampit ka pasur rezistencë ndaj kryerjes së punës së Policisë së Shtetit”, u tha në njoftimin e Ministrisë së Brendshme shqiptare.

Sipas kësaj ministrie, kontrollet kanë qenë të detyrueshme, pasi organizata MEK ka shkelur marrëveshjen që ka nënshkruar me Shqipërinë më 2014.

“Vendimi i gjykatës është pasojë e veprimeve që bien haptazi ndesh me marrëveshjen dhe angazhimet e marra nga grupimi MEK prej vitit 2014 kur u vendosën në Shqipërim vetëm për qëllime humanitare. Fatkeqësisht ky grupim nuk iu është përmbajtur këtyre angazhimeve duke thyer marrëveshjen”, tha Ministria e Brendshme.

Policia tha më herët se kontrollet po kryhen duke respektuar etikën dhe komunikimin, si dhe liritë dhe të drejtat themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp.

Aktualisht nuk dihet nëse janë lëshuar urdhërarrestime, por autoritetet thanë se në fund të kontrolleve do të ofrojnë detaje.

Më 2013, autoritetet shqiptare janë pajtuar – me kërkesë të Shteteve të Bashkuara – që të pranojnë rreth 3.000 pjesëtarë të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK).

Irani i konsideron pjesëtarët e kësaj organizate si terroristë. Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pasi e fajësoi Iranin se qëndron prapa një sulmi kibernetik që ndodhi në korrik të vitit 2022.

Ndërkaq një vit më parë u anulua, për arsye sigurie nga kërcënime terroriste, Samiti Botëror i Iranit të Lirë, që do të mbahej më 23 dhe 24 korrik në “Ashraf 3” në Manzë të Durrësit.