Bertrand Shijaku: Animacioni shqiptar ka traditë, por mungesa e financimit e pengon zhvillimin e tij

Piktura, ilustrimi dhe filmi i animuar janë tri fusha që ndërthuren në krijimtarinë e artistit shqiptar Bertrand Shijaku. Me një veprimtari të gjatë në artet pamore, ai ka ndërtuar një gjuhë artistike që mbështetet në realitetin e përditshëm, trashëgiminë kulturore dhe eksperimentimin me teknika të ndryshme. Në një bisedë për Portalb.mk, Shijaku foli për rrugëtimin e tij krijues, sfidat e animacionit shqiptar, rëndësinë e edukimit artistik dhe vështirësitë që hasin autorët në financimin, promovimin dhe shpërndarjen e filmave të animuar. Sipas tij, mungesa e mbështetjes së vazhdueshme financiare dhe e interesimit institucional mbetet një nga pengesat kryesore për zhvillimin e kësaj gjinie artistike dhe për përfshirjen e krijuesve të rinj.

Portalb.mk: Në krijimtarinë tuaj ndërthuren piktura, ilustrimi dhe filmi i animuar. Cilat janë temat që i lidhin këto fusha dhe si ka ndryshuar trajtimi i tyre gjatë rrugëtimit tuaj artistik?

Bertrand Shijaku: Këto tri fusha artistike i lidhin temat e jetës së përditshme, drita, ngjyrat dhe realiteti ynë bashkëkohor. Natyrisht, çdo fushë ka veçoritë dhe karakteristikat e veta. Piktura ka qenë e para që më ka nxitur si artist të merrem edhe me zhanre të tjera të artit pamor. Duke u zhvilluar në pikturë, më pas fillova të vizatoj dhe të pikturoj edhe në zhanre të tjera, siç është ilustrimi. Pikërisht ilustrimi më çoi më tej, drejt realizimit të filmave të animuar, duke u bërë piktor dhe regjisor i tyre. Megjithatë, dua të theksoj se piktura është zanafilla e rrugëtimit tim artistik.

Me kalimin e viteve, këto fusha u zhvilluan në mënyrë krejt të natyrshme, falë punës së pandërprerë. Nëse për momentin kam një projekt të filmit të animuar, punoj me të deri në përfundim. Pas përfundimit të tij, kaloj në fushën e pikturës, ku punoj vazhdimisht, dhe po kështu edhe me ilustrimin. Kjo është, si të thuash, një punë e ndërthurur mes këtyre fushave.

Portalb.mk: Si e vlerësoni gjendjen e animacionit shqiptar sot dhe çfarë nevojitet për të siguruar vazhdimësinë e prodhimit dhe përgatitjen e krijuesve të rinj?

Bertrand Shijaku: Po, është e vërtetë se animacioni shqiptar ka një traditë të mirë në fushën e filmit të animuar. Unë, si artist më i ri se krijuesit e tjerë që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në këtë fushë, vijoj të merrem me këtë gjini kaq të bukur të artit të shtatë.

Gjendja nuk është shumë e mirë, megjithëse ka prodhime të filmave të animuar dhe puna vazhdon. Problemi kryesor mbetet gjithmonë financimi, i cili, për hir të së vërtetës, duhet të jetë më i madh. Kjo do të mundësonte edhe afrimin e krijuesve të rinj, të cilët kanë filluar të angazhohen në këtë fushë, por nuk arrijnë ta vazhdojnë punën në mënyrë të pandërprerë. Shpesh ata realizojnë një film dhe më pas nuk merren më me realizimin e filmave të tjerë.

Portalb.mk: Në një film të animuar, figura duhet të ndërtojë personazhin, të përcjellë emocionin dhe të zhvillojë rrëfimin. Si e ndërtoni këtë gjuhë dhe çfarë vendi zë eksperimentimi në punën tuaj?

Bertrand Shijaku: Në filmin e animuar, sigurisht që personazhet dhe dekoret janë elementet kryesore. Por, për t’i jetësuar këto personazhe, është i domosdoshëm ndërthurja e zërit me figurën, zhurmat, muzika dhe dialogu. Unë përpiqem, me të gjitha mundësitë e mia, që personazhet t’i realizoj jo vetëm nga ana piktorike, por edhe nga ajo filmike. Pra, dramaturgjinë e filmit e ndërtoj përmes të gjithë këtyre komponentëve artistikë.

Sa i përket eksperimentimit artistik, ai është i pafund. Në çdo film të animuar përzgjedh një skenar që ndryshon tërësisht nga ai i filmit paraardhës, teknikën me të cilën do të realizohet filmi nga ana figurative, temën dhe audiencën së cilës i drejtohet. Një film i animuar për të rritur ndryshon nga ai që u kushtohet fëmijëve.

Po kështu, eksperimentoj edhe me programet e animacionit, qofshin ato 2D apo 3D, me realizimin e xhirimeve dhe me postproduksionin. Në njëfarë mënyre, çdo film i ri i animuar që realizoj është unik në llojin e vet. Kjo tregon qartë eksperimentimin tim të vazhdueshëm në këtë fushë.

Foto nga arkivi personal i Bertrand Shijakut
Foto nga arkivi personal i Bertrand Shijakut

Portalb.mk: Si e ruani saktësinë historike dhe identitetin e vendeve në ilustrimet tuaja për trashëgiminë kulturore shqiptare, duke i lënë njëkohësisht hapësirë interpretimit artistik?

Bertrand Shijaku: Në përgjithësi, figurat në ilustrimet e mia janë shqiptare, duke filluar nga kostumet, peizazhet, portretet, lëvizjet e deri te ndërtimet. Ato pasqyrojnë identitetin shqiptar, sepse unë ilustroj realitetin shqiptar.

Nëse bëhet fjalë për një histori, legjendë apo përrallë nga e kaluara, natyrisht që hulumtoj, shfletoj dhe studioj materiale që i përkasin periudhës përkatëse. Përpiqem të jem sa më realist në vizatimin, tipizimin dhe pikturimin e figurave. Padyshim, interpretimi artistik është i pashmangshëm, sepse vetë natyra e ilustrimit ta jep këtë mundësi.

Portalb.mk: Nga përvoja juaj në mësimdhënie, sa arrin arsimi artistik t’i përgatisë të rinjtë për punën si krijues të pavarur dhe cilat mangësi kërkojnë më shumë vëmendje?

Bertrand Shijaku: Përvoja artistike ka shumë vlerë për t’u transmetuar nxënësve dijet dhe njohuritë e nevojshme për realizimin e detyrave artistike që janë pjesë e programit mësimor.

Kur je artist me një veprimtari të pandërprerë, u përcjell çdo ditë artistëve të rinj përvoja dhe përshtypje nga krijimtaria jote. Kështu, ata nuk mbeten vetëm te njohuritë klasike që marrin në shkollë, por përfitojnë edhe nga përvoja artistike e përditshme.

Natyrisht, nxënësit duhet të punojnë edhe jashtë klasës, të pikturojnë dhe të vizatojnë në mënyrë të pavarur, të vizitojnë ekspozita të artit pamor, të ndjekin koncerte, të shkojnë në kinema e teatër, si dhe të marrin pjesë në ekspozitat që organizohen nga shkolla apo institucionet e tjera kulturore.

Portalb.mk: Përtej pjesëmarrjes në festivale, sa arrin filmi shqiptar i animuar te publiku? Çfarë roli duhet të kenë institucionet kulturore dhe transmetuesit publikë në financimin, promovimin dhe shfaqjen e tij?

Bertrand Shijaku: Unë, si krijues i filmit të animuar shqiptar, i kam shpërndarë dhe promovuar filmat e mi në Shqipëri dhe në vende të ndryshme të botës. Por problemi qëndron te producentët, të cilët, pas përfundimit të filmit, shpesh nuk interesohen për promovimin, shpërndarjen dhe shitjen e tij.

Pikërisht këtu qëndron problemi. Përveç shfaqjeve në festivale, filmat e animuar shqiptarë të realizuar pas viteve ’90 rrallë transmetohen në televizionet publike apo private shqiptare.

Përjashtim bën filmi im i fundit i animuar, “E bija e Hënës dhe Diellit”, i cili po promovohet dhe shfaqet nga Televizioni Publik Shqiptar.

Vlen të përmendet se filmat e animuar shqiptarë mund të shikohen edhe në YouTube, në kanalin “Filma vizatimorë shqiptarë”.

Pra, mekanizmi i prodhimit dhe shitjes së produktit pothuajse nuk funksionon fare, përveç përpjekjeve që bëjnë vetë autorët për shpërndarjen dhe promovimin e veprave të tyre.

Institucionet, të paktën deri më tani, nuk kanë treguar interesim të mjaftueshëm për promovimin e kësaj gjinie artistike, kaq të dashur veçanërisht për publikun e moshës së vogël.