Burimet e ujit në Leshnicë ende të pambrojtura, duhet të zhvillohet elaborat për zonat e mbrojtura që më pas të intervenohet

Burimet e ujit në hapësirat e Leshnicës prej ku Tetova furnizohet me ujë janë të pambrojtura. Ndonëse diçka e tillë u paralajmërua gjatë periudhës parazgjedhore nga kryetari aktual i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, në teren diçka e tillë nuk është realizuar ende. Sot, Kasami thekson se e njëjta nuk është bërë pasi nuk ka studim dhe elaborat të saktë për këtë dhe se mungon interesimi dhe bashkëpunimi nga ana e Ministrisë së Mjedisit. Nga kjo ministri për Portalb.mk theksuan se që nga ardhja e Kasamit në krye të komunës nuk kanë pranuar ndonjë elaborat.

I pyetur më 14 tetor të vitit 2021 në një nga debatet parazgjedhore për sigurinë e ujit për pije në Leshnicë, konkretisht se si do të adresohet ky problem, të rrethohen rezervuarët që uji të jetë i sigurt për pije, Kasami deklaroi:

“Menjëherë me marrjen e mandatit në gjashtë mujorin e parë ne si Lëvizje Besa do të sigurojmë gjithë ambientin ku grumbullohet uji i pijshëm për Tetovën dhe tetovarët do të kenë njëherë e përgjithmonë ujë të sigurt sepse nga ai ujë ne e sigurojmë jetën”

Më pas me të ardhur në krye të Komunës së Tetovës, më 16 nëntor të vitit 2021, gjatë prezantimit të planit të punës për 100 ditëshin e parë të qeverisjes, rrethimi i burimit në Leshnicë ishte i vendosur si pikë. Konkretisht kështu thuhej në programin 100 ditor:

“Rrethimi i burimit të ujit të pijshëm në hapësirat e Leshnicë (Lajthizës).

I pyetur më 23 shkurt 2022 gjatë konferencës për shtyp pas 100 ditëshit Kasami tha se duhej të bëhej elaborati që më pas Ministria e Mjedisit ta miratojë vendimin dhe më pas të bëhet mbrojtja e hapësirës më të gjerë.

“Rrethimi, ne kemi plasuar foto në opinion që është bërë por nëse flasim për komplet projektin e Leshnicës fatkeqësisht nuk kemi gjetur elaborat për mbrojtjen e burimeve që ka të bëjë me Leshnicën. Në këtë rast ne fillimisht duhet të përpilojmë elaboratin, Ministria e Ambientit të miratojë vendimin që burimi i Leshnicës të jetë zonë e mbrojtur e burimeve për ujë të pijshëm që pastaj ne të bëjmë mbrojtjen e hapësirës më të gjerë. Sa i përket vendit ku është kaptazha e burimit është i mbrojtur”, tha Bilalll Kasami.

Megjithatë burimet mbeten të pambrojtura, afërsisht dy vjet më vonë e njëjta nuk është realizuar në terren.

I pyetur për atë se pse kjo nuk është realizuar deri më tani, Kasami thotë se nuk ka studim për mbrojtjen e burimeve dhe se nuk ka interesim për bashkëpunim nga ana e Ministrisë së Mjedisit.

“Po nuk ka ndodhur sepse fillimisht nuk ka studim për mbrojtje të burimeve, elaborat të saktë dhe në bazë të ligjit cila është zonë e mbrojtur e burimeve. Kjo sigurisht që duhet të bëhet në bashkëpunim me Ministrinë e Ambientit Jetësor dhe institucionet tjera qendrore. Ne kemi treguar gatishmëri dhe interesim që e njëjta të ndodh por fatkeqësisht nuk kemi arritur një gjë të tillë. Edhe më tutje do të kërkojmë edhe zyrtarisht që përmes Ministrisë së Ambientit Jetësor që të përpilohet një studim për zonën e mbrojtur të burimeve edhe të Leshnicës edhe të Vakëfit në Malin Sharr që pastaj ne si komunë të planifikojmë dhe të njëjtat të mund t’i mbrojmë ashtu siç e kërkon ligji dhe ashtu siç e kërkon rregulli”, tha Bilall Kasami.

Nga ana tjetër, Ministria e Mjedisit thekson se që nga viti 2019 e këndej te ata nuk është dorëzuar ndonjë elaborat.

“Në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nga ana e NPK Tetova më 16 prill 2019 është dorëzuar elaborat për përcaktimin e kufijve të zonave mbrojtëse të burimeve për ujësjellës në Tetovë, përkatësisht për Burimet e Mëdha në Kodrën e Diellit dhe Vakëfit me numër teknik GT-06/01/2019 nga shkurti 2019 dhe është dorëzuar Vendimi për nevojën për përcaktimin e zonave mbrojtëse Nr. 08-8571/4 të datës 22.08.2018 të miratuar nga Këshilli i Komunës së Tetovës. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor tjetër Elaborat për përcaktimin e zonave mbrojtëse të trupave të tjerë ujorë nuk i është dorëzuar as nga NPK Tetova as nga Komuna e Tetovës”, thanë nga Ministria e Mjedisit.

Zona e Leshnicës së poshtme është e mbrojtur nga NPK-ja, dhe janë vendosur rrjetat rrethuese dhe sinjalizimi i nevojshëm për të siguruar mbrojtjen e ujërave sipërfaqësore.

Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk thonë se burimet e ujit në Leshnicë janë brenda territorit të malit Sharr dhe janë në përgjegjësi të “Parkut Kombëtar Sharr”. Këto burime uji janë përdorur për ujërat sipërfaqësore nga NPK-ja, dhe pastaj ky ujë është trajtuar në stacionin e filtrimit në Lisec.

“NPK, në bashkëpunim me “Parkun Kombëtar Sharr” në të ardhmen e afërt, do të zhvillojë një studim të detajuar për zonat e mbrojtura dhe pjesën tjetër të Leshnicës së Epërme për të garantuar mbrojtjen e ujërave sipërfaqësore”, thane nga Komuna e Tetovës.

Ujësjellësi i Leshnicës - Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Ujësjellësi i Leshnicës – Tetovë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Përndryshe, Tetova përdor dy rrjete-sisteme të ujësjellësit, gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit furnizohet nga i riu, ai i Leshnicës ndërsa në pranverë dhe verë nga ai i Kodrës së Diellit, rezervarët e Malit Sharr apo njohur ndryshe si burimet e vjetra.

Sistemi i Leshnicës është sistem i hapur, që domethënë se merr ujërat e hapura dhe i fut ato në sistem, ndërsa ai i burimeve të vjetra është i mbyllur.

Qyteti ka mungesë të ujit, prandaj përmes stacionit të filtrimit të lëshuar në përdorim në vitin 2017 sigurohen sasi shtesë të ujit, kur rezervarët e Malit Sharr nuk sigurojnë ujë mjaftueshëm.

Uji që merret nga Leshnica, nuk është burim i mbyllur por është ujë sipërfaqësor i marrë nga lumi. I njëjti kalon në disa faza, filtrohet përmes stacionit të filtrimit dhe sillet në rrjetin e ujit të qytetit.

Edhe pse e planifikuar është që stacioni i filtrimit të lëshohet në funksion nga muaji dhjetor e deri në mars, kur njerëzit, kafshët dhe vegjetacioni ndalojnë lëvizjet atje, kjo nuk ndodh, e njëjta është në përdorim gjatë gjithë viti për shkak të mungesës së ujit.

Kështu, gjatë vjeshtës kur gjethet kalben dhe bien në burimin e ujit, e njëjta më pas shkakton ndryshim të shijes, aromës dhe ngjyrës së ujit. Ky fenomen në Tetovë ndodh nga viti 2017.

Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte.