BE me plan të ri për integrimin dhe rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor

Në forumin e Ministrave të Ekonomisë, “Tregu i përbashkët rajonal -një hap drejt Tregut Unik të BE” të zhvilluar të martën, (26.09) në Tiranë, në kuadër të Procesit të Berlinit u diskutua  forcimi i ekonomive të vendeve të rajonit përmes përfshirjes në sferën ekonomike të BE. Diskutimet vunë në dukje kontekstin e ri gjeo-politik për përshpejtimin e integrimit rajonal dhe afrimit me BE, transmeton DW.

Zgjerimi i BE me BP – një emergjencë gjeopolitike

Në forum të dyja palët, BE dhe BP u shprehën se lufta e Rusisë kundër Ukrainës e ka shndërruar në një emergjencë gjeopolitike progresin e rajonit drejt hyrjes në BE. “Gjërat kanë ndryshuar. Në BE ka një bindje shumë të fortë dhe janë më syhapur karshi rëndësisë që Ballkani Perëndimor për BE. Besoj se nuk e teproj nëse them që sot Bashkimi Europian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për Bashkimin Europian”, tha në fjalën e hapjes se forumit kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, në përshëndetjen e tij, theksoi se “në kontekstin aktual gjeopolitik, zgjerimi i BE në BP është më shumë se kurrë një investim për paqen, sigurinë dhe prosperitetin në kontinentin tone.” Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Olivier Becht, ministër i Tregtisë me Jashtë dhe Ekonomisë në Francë. “Ne kemi një objektiv, përshpejtimin e ndërlidhjes mes Ballkanit Perëndimor dhe BE. Do lehtësohet sektori privat dhe përshpejtohet procesi i anëtarësisë në BE”, theksoi ai në Tiranë.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dje mori pjesë dhe iu drejtua Forumit të Ministrave të Ekonomisë.

Ministri Bekteshi në fjalimin e tij në forumin e biznesit me titull “Sfidat dhe potencialet e tregut të përbashkët rajonal – rruga drejt një tregu të vetëm përmes integrimit të përshpejtuar” theksoi se Maqedonia e Veriut është plotësisht e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit rajonal duke hequr të gjitha barrierat, duke miratuar të gjitha protokollet dhe zbatimin e tyre bazuar në standardet dhe rregulloret që kërkuan dhe vendosën vendet e BE-së.

“Kur dëgjojmë fjalime emocionale nga ata që udhëheqin sektorin e biznesit dhe që kthehen në të kaluarën, mendoj se jemi në rrugën e gabuar. Duhet të ecim përpara për të ngritur standardin e jetesës së qytetarëve, për të pasur rritje ekonomike dhe në këtë mënyrë të krijojmë mundësi për prosperitetin e të rinjve”, tha ministri Bekteshi në Forumin e Biznesit të vendeve të Procesit të Berlinit, ku morën pjesë mbi 180 kompani nga rajoni dhe nga Evropa.

Sa i përket rolit të BE-së, ministri theksoi se duhet të jetë një derë e hapur për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke qenë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë tashmë në proces skriningu. “Nëse duam të kemi rritje, një plan rritjeje që do të zbatohet brenda Ballkanit Perëndimor, duhet të punojmë së bashku dhe të mos shikojmë vetëm ekonomitë tona të brendshme”, tha ministri Bekteshi.

Ai shtoi se Maqedonia e Veriut është plotësisht e përkushtuar dhe mbështet iniciativa të tilla, veçanërisht në ngjarje të tilla për t’u bashkuar, për ta lënë pas të kaluarën sepse e kaluara na krijon probleme të vështira.

“Të rinjtë janë në kërkim të mundësive të reja, brenda BE-së, dhe ne jemi pjesë e kontinentit europian, ndaj pse të mos e kemi atë prosperitet edhe në vendet tona”, tha Bekteshi.

Gjithashtu, ministri theksoi se Maqedonia e Veriut mbështet plotësisht protokollin e CEFTA-s dhe nismat e BE-së. “Por ne po kërkojmë më shumë se kaq, sepse mendoj se BE-ja ka potencialin të kushtojë më shumë vëmendje jo vetëm me fjalë por edhe me vepra për vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe sa i përket problemeve të brendshme që kemi, është detyrimi ynë, të flasim hapur por edhe të reflektojmë”- tha ministri Kreshnik Bekteshi.

Plani i ri ekonomik i BE për BP

Komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi bëri me dije detaje të këtij plani. “Plani i ri i BE për rritjen ekonomike do të përshpejtojë ritmin e konvergjencës social ekonomike të rajonit me BE dhe duke e bërë këtë, do të përshpejtojë përgatitjet për anëtarësimin në BE, Është koha për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të BP duke përfshirë integrimin tonë ekonomik. Konvergjenca ekonomike është në qendër të përfitimeve të anëtarësimit në BE. Konvergjenca e BP është e ulët, me të ardhura për frymë midis 30% dhe 50% të mesatares së BE,” bëri me dije komisioneri i BE. Varhelyi. Fjala është për një paketë që “do të ofrojë përfitime të menjëhershme dhe do të stimulojë progresin në Ballkanin Perëndimor”, sipas Varhelyi.

Forumi i Ministrave të Ekonomisë të BE dhe të BP bën pjesë në serinë e takimeve parapërgatitore për Samitin e Procesit të Berlinit, 2023, që do të zhvillohet më 16 tetor në Tiranë, nën presidencën e Shqipërisë. Për herë të parë, që nga fillimi i Procesit të Berlinit në verën e vitit 2014, ky Samit do të zhvillohet në një vend që nuk është anëtar i BE. Procesi i Berlinit është një nismë diplomatike e ish-Kancelares gjermane, Angela Merkel, që nisi në verën e vitit 2014 për t’i dhënë impulse të reja procesit të hyrjes në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.