BDI ngriti përsëri dyshime për 3.5 milionë euro tenderë në Çair, komuna i hodhi poshtë akuzat

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka ngritur edhe sot dyshime lidhur me dhënien e kontratave publike në Komunën e Çairit, duke pretenduar se një kompani e themeluar në korrik 2024, NUM CONSTRUCTION LTD, ka fituar tenderë në vlerë mbi 3.4 milionë euro, transmeton Portalb.mk.

Sipas BDI-së, bëhet fjalë për katër tenderë të mëdhenj, dy gjatë mandatit të Visar Ganiut dhe dy gjatë periudhës së udhëheqjes së Izet Mexhitit. Partia kërkon sqarime për lidhje të mundshme personale, politike apo biznesore dhe kërkon ndërhyrje nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit dhe Prokuroria Publike.

BDI ngre disa pyetje publike, përfshirë se si një kompani e re ka mundur të fitojë kontrata milionëshe brenda një periudhe të shkurtër dhe nëse ka pasur ndikime në proceset e prokurimit publik.

“Publikimi i djeshëm ngriti dyshime serioze lidhur me mënyrën se si një kompani e themeluar vetëm në korrik të vitit 2024 ka arritur të sigurojë kontrata publike në vlerë prej mbi 3.4 milionë euro nga Komuna e Çairit. Sipas dokumenteve të publikuara, bëhet fjalë për katër tenderë të mëdhenj të fituar nga kompania NUM CONSTRUCTION LTD, dy gjatë mandatit të Visar Ganiut dhe dy gjatë periudhës kur me komunën udhëhiqte Izet Mexhiti. Ajo që e bën rastin edhe më shqetësues është fakti se Adnan Sinani, i cili në opinion njihet si pjesë e rrethit më të afërt të Izet Mexhitit, lidhet drejtpërdrejt me adresën nga e cila operon kjo kompani. Pikërisht për këtë arsye, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë transparencë të plotë dhe përgjigje të qarta. Kush e rekomandoi këtë kompani? Si është e mundur që një kompani e themeluar rishtazi të fitojë brenda një periudhe të shkurtër kontrata publike me vlerë prej mbi 3.4 milionë euro? A kanë ekzistuar lidhje personale, familjare, biznesore apo politike që kanë ndikuar në këto procese? Pse e njëjta kompani ka qenë përfituese e kontratave milionëshe si gjatë mandatit të Visar Ganiut ashtu edhe gjatë periudhës së Izet Mexhitit?”, pyesin nga BDI.

Nga ana tjetër, Komuna e Çairit i ka hedhur poshtë akuzat, duke theksuar se të gjitha procedurat e furnizimeve publike janë realizuar “në mënyrë transparente dhe në përputhje me ligjin”, përmes Sistemit Elektronik të Furnizimeve Publike dhe duke respektuar parimet e konkurrencës dhe trajtimit të barabartë.

Komuna sqaron se projektet përfshijnë rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në lagjet Sahat Kullë dhe Dizhon, si dhe ndërtimin e pishinës së mbyllur pranë SHFK “7 Marsi”. Financimi, sipas komunës, është siguruar përmes marrëveshjeve me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Në reagim theksohet gjithashtu se ligji nuk lejon kufizimin e pjesëmarrjes së kompanive në bazë të kohës së themelimit, por vlerësimi bëhet sipas kritereve teknike, financiare dhe profesionale. Komuna shton se kompania e përzgjedhur plotëson të gjitha kushtet ligjore dhe se nuk ka bazë për përjashtim në bazë të moshës së saj.

“Në përputhje me dispozitat e Ligjit për Furnizime Publike, organi kontraktues nuk ka bazë ligjore që ta marrë parasysh kohën e themelimit të operatorit ekonomik si faktor për vlerësimin e aftësisë së tij për pjesëmarrje në procedurat e furnizimit publik. Gjithashtu, organi kontraktues nuk guxon të përcaktojë kushte apo kritere që do të kufizonin pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë në bazë të periudhës së ekzistencës së tyre, respektivisht të kërkojë që ata të jenë të regjistruar ose të ushtrojnë veprimtari për një numër të caktuar vitesh para shpalljes së procedurës. Megjithatë, theksojmë se kompania e përzgjedhur, sipas dokumentacionit të paraqitur, është themeluar disa vite para se të zgjidhej si realizuese e projekteve konkrete. Kushte të tilla do të ishin në kundërshtim me parimet themelore të Ligjit për Furnizime Publike, veçanërisht me parimet e trajtimit të barabartë, mosdiskriminimit dhe sigurimit të konkurrencës ndërmjet operatorëve ekonomikë. Aftësia e operatorit ekonomik vlerësohet në bazë të përmbushjes së kushteve të përcaktuara me ligj, aftësisë teknike dhe profesionale, gjendjes financiare dhe kritereve të tjera të përcaktuara në dokumentacionin tenderik, e jo në bazë të datës së themelimit apo kohëzgjatjes së veprimtarisë së tij”, thonë nga Komuna e Çairit.