BDI: Megawin nuk po mbyllet sepse ka mbrojtje politike

Pas trajtimit të temës së Megawin nga Portalb.mk, sot ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), nga ku thonë se rasti është shembulli më i qartë i mospërputhjes mes premtimeve publike dhe veprimeve konkrete të Qeverisë. BDI rikujtoi, atë që ne e kemi theksuar, deklaratën e zëvendëskryeministrit të parë Izet Mexhiti, i cili më 26 shtator 2024 kishte paralajmëruar se kompania e basteve Megawin do të mbyllej në seancën e ardhshme të Qeverisë. Sipas tyre, kjo nuk ndodhi dhe një vit më vonë arsyetimi është pritja e Ligjit të ri për Lojërat e fatit. BDI vlerëson se ndryshimi i qëndrimeve lë hapësirë për dyshime politike dhe ngre pyetje për seriozitetin institucional në trajtimin e industrisë së bixhozit. Ata shtojnë se kjo bastore online nuk mbyllet sepse ka mbrojtje politike, raporton Portalb.mk.

“Rasti “Megawin” është shumë i qartë. Më 26 shtator 2024, Izet Mexhiti deklaroi publikisht se Megawin do të mbyllej në seancën e ardhshme të Qeverisë. Seanca kaloi. Vendimi nuk u mor. Kompania vazhdon të operojë. Një vit më vonë, Qeveria thotë: po presim Ligjin e ri. Çfarë ndryshoi? Asgjë. Ndryshoi vetëm guximi për ta thënë të vërtetën. Nëse Megawin do të mbyllej me vendim qeverie, pse nuk u mbyll? Nëse duhej ligj i ri, pse u premtua mbyllje e menjëhershme? E vërteta është e thjeshtë: Megawin nuk po mbyllet sepse ka mbrojtje politike”, thonë nga BDI.

Nga kjo parti theksojnë se 2.8 miliardë euro kanë qarkulluar vitin e fundit në bixhoz në këtë shtet.

“Kjo është industri e fuqishme. Dhe kur industria është kaq e madhe, ajo nuk kërkon reklama — ajo kërkon mbrojtje. Sot, duket qartë se disa politikanë nuk po e kontrollojnë industrinë e bixhozit. Industria e bixhozit po i kontrollon ata. Çairi dhe qytetet tjera po mbytet nga bastoret. Të rinjtë po ekspozohen çdo ditë. Familjet po varfërohen. Dhe qeveria jep përgjigje burokratike. Nëse ka guxim politik, le ta mbyllin. Nëse nuk e mbyllin, qytetarët do ta kuptojnë pse”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Në tajtimin e çështjes, Portalb.mk ngriti pyetje drejtuar Qeverisë: në çfarë faze është procedura për Megawin, çfarë e pengon vendimin përfundimtar, si ndikon Ligji i ri për Lojërat e Fatit dhe a ka afat për zgjidhjen e rastit.

Përgjigjja e Qeverisë ishte e përgjithshme, duke theksuar se po vepron në përputhje me kompetencat ligjore dhe se është në proces miratimi një ligj i ri. Megjithatë, nuk u dhanë sqarime për fazën procedurale, pengesat konkrete apo afatet kohore.

Kontradikta kryesore mbetet ndryshimi i narrativës, nga një premtim për mbyllje të menjëhershme me vendim qeverie, në një qëndrim që e lidh zgjidhjen me miratimin e një ligji të ri, i cili prej muajsh ndodhet në procedurë parlamentare.

Në mungesë të një sqarimi të detajuar institucional, çështja e Megawin vazhdon të mbetet pezull, mes premtimeve politike, procedurave ligjore dhe dyshimeve për ndikime të interesave të fuqishme ekonomike.