BDI me akuza ndaj komunës së Tetovës: Përgatitet shitja e pronave publike për 1 euro
BDI-ja ka akuzuar sot Komunën e Tetovës për, siç thotë, shitje të pronave publike me çmim simbolik prej një euro për metër katror. Në shenjë revolte, anëtarë të degës së BDI-së në Tetovë vendosën ngjitëse në dyert e komunës, duke simbolizuar “mbylljen” e institucionit dhe duke shprehur pakënaqësinë ndaj vendimeve të autoriteteve komunale, transmeton Portalb.mk.
Nga partia paralajmëruan edhe masa ligjore lidhur me vendimet për shitjen e tokës shtetërore, duke vlerësuar se ato janë në kundërshtim me interesin publik.
Zëdhënësja e degës së BDI-së në Tetovë, Lindita Aliu, deklaroi se komuna duhet të fokusohet në projekte me interes për qytetarët, në vend të shitjes së tokave publike.
Ajo kërkoi që në hapësirat ku ka nevojë, Komuna e Tetovës të ndërtojë çerdhe dhe objekte të tjera në shërbim të qytetarëve.
“Kjo që ata po mundohen ta promovojnë si zhvillim ekonomik dhe menaxhim me tokën ndërtimore, paraqet në fakt grabitje e organizuar e pronës publikes dhe pasurim të individëve të afërt me pushtetin. Komuna po mbyllet nga qytetarët, për shitje dhe krim ndaj pronës publike. BDI – Dega Tetovë nuk do të heshtë. Ne do t’i informojmë qytetarët për çdo parcelë, çdo vendim dhe çdo tentim për tjetërsim të pronës së tyre. Dhe jo vetëm kaq. Kemi informata akoma më alarmante të cilat do ti shpalosim ditëve në vijim. Dega Tetovë do të ndërmarrë edhe masa ligjore ndaj të gjithë atyre që keqpërdorin pozicionet publike, marrin vendime në dëm të tetovarëve dhe janë shndërruar në tregtarë të pronës publike”, tha zëdhënësja e degës së BDI-së në Tetovë, Lindita Aliu.
Më 18 maj, plotësimi dhe ndryshimi i Programit për menaxhimin me tokën ndërtimore në Komunën e Tetovës ka nxitur debat dhe protestë brenda sallës së Këshillit Komunal. Opozita akuzoi se komuna do të shesë disa parcela me çmim prej 1 euro metër katror, ndërsa nga komuna thonë se kjo nuk do të ndodhë, këshilltari i Më Mirë për Tetovën i tregoi se cilat parcela janë në plan për tu shitur.
Kujtojmë se vitin e kaluar opinioni mësoi se Komuna e Tetovës në mënyrë jotransparente e ka lejuar shitjen e tokës shtetërore te ish-Monopolli prej 6,817 metër katrorë për 70 denarë metër katrori, dhe se aty do të ndërtohen ndërtesa.
Hulumtimi i Portalb-it tregoi se e gjithë kjo procedurë pati filluar në vitin 2019 kur në krye në komunës ka qenë Teuta Arifi.
Ky bllok edhe pse ishte i paraparë si zonë industriale, Këshilli Komunal i përbërjes 2021/25 i Tetovës, shumicën e të cilit e përbënin Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE, në nëntor 2024 e kthyen në zonë banimi, me çka u dha drita e gjelbër që në këtë zonë mund të ndërtohet.mPra, ka qenë në dorën e udhëheqësisë aktuale të Komunës së Tetovës që të vendosë nëse tek ish-Monopolli do të ndërtohen banesa ose jo.
Kryetari i komunës Bilall Kasami nuk është treguar tërësisht i sinqertë kur thotë se gjithçka është ‘gatuar’ më herët. Ai gjithashtu ka pasur mundësi të pezullojë Planin Detal Urbanistik e përgatitur në kohën e Teuta Arifit ose të privatizojë tokën shtetërore pas ri-destinimit në zonë për banim kolektiv.