BDI: Janë shpenzuar rreth 25 milionë euro për importe të rrymës që nga fillimi i vitit, mund të rritet çmimi për qytetarët

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka publikuar të dhëna lidhur me gjendjen në sektorin energjetik, duke kundërshtuar deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski për performancën e EMV-së. Sipas tyre, vetëm në dy muajt e parë të vitit 2026 janë shpenzuar mbi 24 milionë euro për import të energjisë elektrike. Këto shifra, sipas BDI-së, tregojnë mungesë kapacitetesh prodhuese vendore. Ata paralajmërojnë se kjo situatë mund të reflektohet me rritje të çmimeve për qytetarët, transmeton Portalb.mk.

Në reagimin e tyre, nga Bashkimi Demokratik për Integrim theksojnë se “këto të dhëna hedhin poshtë plotësisht pretendimet dhe dezinformatat që vijnë nga menaxhmenti i EMV-së dhe Ministria e Energjisë”. Sipas tyre, kompania shtetërore Elektrani na Severna Makedonija (EMV) është detyruar të ndërhyjë në tregun ndërkombëtar për të siguruar energji për konsumatorët.

“Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) publikon fakte specifike, duke marrë parasysh deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickovski në lidhje me punën e EMV-së. Këto të dhëna hedhin poshtë plotësisht pretendimet dhe dezinformatat që vijnë nga menaxhmenti i EMV-së dhe Ministria e Energjisë”, thonë nga kjo parti.

BDI bën të ditur se gjatë muajit janar janë blerë 104,160 MWh energji elektrike me çmim 119.50 euro për MWh, me një kosto totale prej 12.4 milionë eurosh. Ndërkohë, në shkurt janë importuar 94,080 MWh me çmim më të lartë prej 126.90 euro për MWh, duke arritur në afro 11.9 milionë euro shpenzime.

“Vetëm që nga fillimi i vitit 2026, EMV, për të mbuluar nevojat e familjeve dhe konsumatorëve të vegjël, është detyruar të blejë energji elektrike në të paktën dy raste:

• Janar: 104,160 MWh me çmim prej 119.50 euro për MWh

Gjithsej: 12.447.120 euro

• Shkurt: 94,080 MWh me një çmim prej 126.90 euro për MWh

Gjithsej: 11,938,752 euro

Në total, vetëm në dy muaj, janë shpenzuar 24,385,872 euro për importin e energjisë elektrike”, thonë nga BDI.

Sipas tyre, sistemi energjetik në vend po përballet me sfida serioze dhe pasojat e, siç e quajnë ata, “menaxhimit joekonomik dhe joprofesional” do të reflektohen drejtpërdrejt në faturat e qytetarëve në periudhën në vijim.

“Këto shifra tregojnë qartë se EMV nuk ka kapacitet të mjaftueshëm prodhimi për të mbuluar nevojat e tregut të rregulluar. Kjo çon drejtpërdrejt në rritjen e presionit mbi çmimin e energjisë elektrike për qytetarët. Sistemi i energjisë elektrike po përballet me sfida serioze, dhe pasojat e menaxhimit joekonomik dhe joprofesional do të përballen nga qytetarët, përmes rritjes së faturave”, thonë nga BDI.

Përndryshe, sipas Entit Shtetëror të Statistikave, në Maqedoninë e Veriut u regjistrua rënie e madhe e prodhimit të termocentralet, ndërkohë rritje më e madhe u regjistrua te hidrocentralet dhe turbinat e erës.

Te hidrocentralet u regjistrua rritje për 57.7 përqind, te turbinat 38.7 përqind, ndërsa te centralet me bimë 24.9 përqind, te panelet solare kemi rritje për 23.8 përqind. Ulje më e madhe është te termocentralet 34.3 përqind.

“Në muajin dhjetor të vitit 2025, konsumi i përgjithshëm sipas llojeve të energjisë është 821 436 МËh energji elektrike, 47.058 mil. nm3 gaz natyror, 261 591 ton qymyr dhe 100 606 ton produkte nafte”, raporton Enti Shtetëror i Statistikave.

Maqedonia e Veriut ka arritur të prodhojë energji elektrike sa të mbulon vetëm 78.4 % e energjisë që e ka shpenzuar.

Në hidrocentrale prodhohet 33.7 % e sasisë së përgjithshme, në centralet me bimë 26 %, në termocentrale 24.8 %, në panele solare 9.9 %, te turbinat e erës 4.9 % dhe te centralet biogaz kemi 0.6 përqind.