BDI: Institucionet kompetente të ndërhyjnë menjëherë dhe të hetojnë rastin e Kasamit për shkeljen e autorësisë
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar lidhur me akuzat e shtëpisë botuese Onufri drejtuar Bilall Kasamit dhe Komunës së Tetovës. Siç thonë nga kjo parti janë “thellësisht të shqetësuar dhe shprehin indinjatë të madhe për skandalin e fundit që rëndon mbi kryetarin aktual të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami”, transmeton Portalb.mk.
“Siç është bërë publike nga botuesi i njohur shqiptar, z. Bujar Hudhri nga Shtëpia Botuese “Onufri”, në Tetovë janë shpërndarë dhe shitur libra të autorit të madh të letërsisë shqipe, Ismail Kadare, pa të drejta autori, një akt i papranueshëm dhe i dënueshëm si nga ana morale ashtu edhe ligjore”, thonë nga BDI.
Sipas BDI-së, për ironi, i njëjti Kasami, që publikisht e shpalli Ismail Kadarenë “Qytetar Nderi” të Tetovës, është tashmë i përfshirë në një skandal ku figura e Kadaresë është përdorur për përfitime politike dhe materiale përmes shpërndarjes së veprave të tij në mënyrë të paligjshme.
“Dëmi është i trefishtë:
1. Shkelje e të drejtave të autorit, që cenon rëndë moralin dhe ligjin.
2. Mashtrim ndaj qytetarëve të Tetovës, të cilëve u ofrohen libra pa vlerë ligjore dhe me origjinë të dyshimtë.
3. Fyerje ndaj figurës së Ismail Kadaresë, një simbol kombëtar i kulturës shqiptare, që përdoret për propagandë politike pa dinjitet”, thonë nga BDI.
BDI kërkon që institucionet kompetente të ndërhyjnë menjëherë dhe të hetojnë këtë rast, ndërkohë që opinioni publik meriton transparencë të plotë dhe përgjegjësi konkrete nga kryetari Kasami dhe Komuna e Tetovës.
“Kultura dhe figura të tilla si Kadare nuk mund të përdoren si mallra për manipulime politike dhe nuk do të lejojmë që emri i Tetovës të njolloset në këtë mënyrë. Zëri i ligjit, i kulturës dhe i përgjegjësisë duhet të mbizotërojë”, thonë nga BDI.
Kujtojmë se shtëpia botuese Onufri nga Shqipëria në prokurorinë e Tetovës, dje dorëzoi padi ndaj komunës dhe kreut saj Bilall Kasami, për shkelje të të drejtave të autorësisë. Nga kjo shtëpi botuese thonë se Komuna ka blerë libra nga një shtëpi botuese e cila nuk i ka të drejtat për botimin e librave të Ismail Kadaresë.