Zgjedhjet në BDI, Ahmeti publikoi emrat e fituesve

Bashkimi Demokratik për Integrim mbajti zgjedhjet brendapartiake për konsolidimin e organeve partiake në 14 degë të saj, njofton Portalb.mk.

Nga BDI-ja informojnë se këto zgjedhje brendapartiake është aplikuar parimi “një anëtar, një votë”.

Gjatë këtij procesi zgjedhor të udhëhequr nga Komisioni zgjedhor partiak i BDI-së është votuar për zgjedhje të kryetarëve të degëve, anëtarëve të kryesisë së degëve, kryetarëve të këshillave vendor dhe anëtarëve të kryesisë së këshillave vendor në degën e Butelit, Çairit, Dibrës, Jegunovcës, Kërçovës, Krushevës, Kumanovës, Likovës, Manastirit, Petrovecit, Pllasnicës, Prespës, Shuto Orizares dhe Velesit.

Për udhëheqës të degës së BDI-së në Likovë është zgjedhur Mirsad Ibraimi, në Kumanovë – Ridvan Asani, në Çair – Bekim Neziri, në Butel – Muharem Asani, në Shuto Orizare – Ilaz Leskovica, në Petrovec – Naser Haliti, në Jegunovcë – Eldin Ademi, në Kërçovë – Ardita Dani, në Dibër – Artin Spahiu, në degën e Krushevës – Abib Vexhiu, në Manastir – Lutfi Ameti, në Pllasnicë – Bajram Karamaleski, në Veles – Lokman Salija dhe në degën e Prespës është zgjedhur Arjan Mujedini.

Nga BDI-ja thonë se zbatimi i këtij modeli në përzgjedhjen e organeve partiake dëshmon qasjen dhe kapacitetin demokratik të partisë.

Fraksioni i BDI-së përmes një kumtese me shkrim ka reaguar ndaj zgjedhjeve të sotme brendapartiake, duke i cilësuar ato si “jostatutare dhe me diktat”. 

“Edhe pse të mbuluara me petkun e zgjedhjeve të brendshme me demokraci të lartë 1 anëtarë 1 votë, duam ta informojmë opinionin e gjërë që ky proces është edhe një farsë, pasiqë kryekëput është antistatutar dhe për më tepër kryetarët veçmë janë përzgjedhur me diktat të kryetarit Ali Ahmeti kohë më parë. Rrjedhimisht kjo që po ndodh sot kinse dikush voton është vetëm një teatër i lirë për defokusim të opinionit. Ky proces assesi nuk mund të jetë demokratik sepse që në fillim ka qenë përjashtues, që don të thotë se aktivistët që nuk mendojnë që duhet të votojnë si në komunizëm, me diktat, kanë qenë të pamundësuar që të regjistrohen edhepse janë themelues, aktiv dhe meritorë për fitoret e Bashkimit Demokratik për Integrim që nga viti 2002″, thuhet në reagimin e Fraksionit brenda BDI-së.

Nga Fraksioni rikujtojnë procese të ngjashme si këto, të dirigjuara, të diktuara, siç thonë, nga lartë, janë mbajtur edhe në Pollog, por rezultati është se BDI del humbës dhe po e humb primatin tek partitë politike shqiptare, siç është rasti me Degën e Tetovës.

BDI-ja tani e disa muaj është e ndarë në dy grupe: “Ahmetistët” dhe “Grupi i Zjarrit”.

Përçarja në BDI filloi më 24 shtator 2022 në një letër të shpalosur publikisht nga disa anëtarë të BDI-së, kanë numëruar disa ankesa e këshilla për drejtimin e partisë në vitet e fundit. Ata theksuan që gjithë pushteti politik është përqendruar tek individi, duke anashkaluar strukturat partiake.

Më 1 prill 2022, pas përfundimit të mbledhjes “Grupi i zjarrit” informoi se do të funksionojnë si fraksion brenda BDI-së. Ata më 6 prill shpalosën fraksionin e tyre brenda partiak, duke theksuar disa nga arsyet pse nuk janë të kënaqur me udhëheqësinë e BDI-së.

Më 20 maj, BDI njoftoi se Kryesia Qendrore e partisë ka konstatuar “vetëlargimin” nga kryesia qendrore e partisë të pesë anëtarëve të kryesisë që vinin nga “Grupit të Zjarrit”. Ndërkaq, nga “Grupi i Zjarrit” mohuan të jenë vetë përjashtuar.

Ndryshe, Bashkimi Demokratik për Integrim u themelua menjëherë pas konfliktit të 2001 në Maqedoninë e Veriut.