RMV, fraksioni brenda BDI-së: Nuk jemi vetëpërjashtuar, por kemi lëshuar mbledhjen në shenjë proteste si pasojë e mospajtueshmërisë

Fraksioni brenda BDI-së i ashtuquajtur “Grupi i zjarrit” ka reaguar pas komunikatës së partisë në të cilën pas mbledhjes së djeshme shprehej keqardhje për vetpërjashtimin e pesë anëtarëve të Kryesisë Qendrore të partisë. Ata potencojnë se nuk janë vetëpërjashtuar, por kanë lëshuar mbledhjen në shenjë proteste si pasojë e, siç thonë, mospajtueshmërisë dhe manipulimit të statutit të partisë, njofton Portalb.

“Me indinjatë dhe zhgënjim të thellë mësuam nga mediat për takimin dhe vendimet e ndërmara në mbledhjen tinëzare të Kryesisë e BDI-së, epilog i së cilës ishte manipulimi i opinionit publik përmes lojës së fjalëve, ndaj me përgjësi të plotë njoftojmë opinionin e gjërë se: nuk jemi vetëpërjashtuar, por kemi lëshuar mbledhjen në shenjë proteste si pasojë e mos pajtueshmërisë dhe manipulimit të statutit të partisë”, thuhet në kumtesën e fraksionit brenda BDI-së.

Potencojnë se nuk kanë qenë të ftuar në mbledhjen e partisë si anëtarë të Kryesisë, që paraqet , siç thonë, shkelje të statutit dhe detyrimeve ligjore të organeve të partisë. Sipas tyre, ky lloj kryesimi me organin partiak është arbitrar dhe jodemokratik.

Përmes kumtesës ata rikujtojnë se antarët e Kryesisë përzgjidhen nga Këshilli i Përgjithshëm dhe se vetëm ai mund t’i shkarkon përmes proceduarave ligjore statutore.

“Kërkojmë që të ndërpritet manipulimi i opinionit publik përmes fjalëve, ti kushtohet vëmendje serioze mospajtimeve brenda partiake, si pasojë e përdhosjes së demokracisë, meritokracisë dhe statutit partiak. Qëndrojmë stoik në bindjet tona që BDI të mban pergjegjesi për origjinën e saj, historinë, vlerat demokratike dhe shpirtin unifikues, vlera këto që e kanë mbajtur fitues absolut të dy dekadat e fundit”, thuhet në kumtesë.

Nga fraksioni brenda BDI-së thonë se si fraksion do të vazhdojmë të luftojnë me të gjitha mjetet demokratike, politike dhe meritokratike për të ruajtur dhe konservuar vlerën dhe kontributin e të gjithë shqiptarëve që nuk kanë rreshtur të mbeshtesin dhe çojnë në fitore absolute formacionin politik të UÇK-së, të emeruar si Bashkimi Demokratik për Integrim.

Përndryshe, Kryesia Qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim përmes një kumtese pas mbajtjes së mbledhjes së djeshme informoi se konstaton dhe shpreh keqardhje të thellë për vendimin e pesë anëtarëve të kryesisë për “vetëlargim” nga Kryesia Qendrore e partisë, vendim që ata e morën në mbledhjen e KQ më 1 prill 2023.

Ata informojnë se në mbledhjen e mbrëmshme janë analizuar dhe diskuruar rrethanat dhe zhvillimet në vend dhe në parti.

“Kryesia Qendrore, duke konstatuar në bazë të analizave dhe informacioneve kredibile se në rajonin tonë po krijohet një dinamikë e re si mundësi unike për një rrugë të përshpejtuar për integrim të vendit në Bashkimin Evropian, nënvizon domosdoshmërinë e përmbushjes së detyrimeve tona si shtet përmes ndryshimeve kushtetuese të cilat do të mundësojnë që të kapim këtë moment historik dhe të sigurojmë të ardhme evropiane për vendin tonë”, njoftojnë nga BDI.

Në kumtesën partiake potencohet se Kryesia Qendrore ka zyrtarizuar vendimin për procesin e ardhshëm zgjedhor në degët e Bashkimit Demokratik për Integrim që do të mbahet në 2 korrik 2023.

“Këto zgjedhje brenda degëve të BDI-së që do të mbahen sipas parimit “një anëtar” një votë, do të shërbejnë si platformë për vendimmarrje kolektive dhe do të forcojnë më tej vlerat demokratike që e karakterizojnë partinë tonë”, theksojnë nga BDI.

Më 1 prill të këtij viti, pas përfundimit të mbledhjes “Grupi i zjarrit” informoi se do të funksionojnë si fraksion brenda BDI-së. Ata më 6 prill të këtij viti shpalosën fraksionin e tyre brendapartiak, duke theksuar disa nga arsyet pse nuk janë të kënaqur me udhëheqësinë e BDI-së

Kujtojmë, më 24 shtator në një letër të shpalosur publikisht nga disa anëtarë të BDI-së, janë numëruar disa ankesa e këshilla për drejtimin e partisë në vitet e fundit. Ata theksojnë që gjithë pushteti politik është përqendruar tek individi, duke anashkaluar strukturat partiake.

Megjithatë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë një takim me bashkëpartiakët në Gostivar më 15 janar, u dërgoi porosi funksionarëve të “Grupit të Zjarrit” se nuk do ta largojë nga pozita zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi, pasi siç deklaroi, për atë ka vendosur shumica në parti. Ai shtoi se funksionarët e pakënaqur nuk kanë hequr keq pasi që tërë jetën kanë pasur funksione.