BDI-ja e përçarë për ditëlindjen e 21: “Ahmetistët” në Shkup, “Grupi i Zjarrit” në Tetovë
21 vjetori i themelimit, Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) e gjen të ndarë në dysh. Derisa “Ahmetistët” nesër (5 qershor) do shënojnë këtë përvjetor në Shkup, “Grupi i Zjarrit” ka zgjedhur Tetovën, shkruan Portalb.mk.
Nga BDI njoftuan se nesër në ora 12:00, kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti organizon panel debat me temën “Fronti evropian” në hotelin Aleksandar Palace në Shkup. Ndërsa më pas në ora 14:00 do të ketë koktej me rastin e 21 vjetorit të BDI-së.
Në të njëjtën orë (14:00) në Tetovë ditëlindja do të shënohet edhe nga fraksioni i BDI-së, i njohur si grupi i të pakënaqurve në parti apo “Grupi i Zjarrit”. Siç njoftuan ata, kjo ngjarje do të shënohet pranë Pallatit të Kulturës në Tetovë.
Përçarja në BDI filloi që vitin e kaluar. Më 24 shtator 2022 në një letër të shpalosur publikisht nga disa anëtarë të BDI-së, kanë numëruar disa ankesa e këshilla për drejtimin e partisë në vitet e fundit. Ata theksuan që gjithë pushteti politik është përqendruar tek individi, duke anashkaluar strukturat partiake.
Më 1 prill 2022, pas përfundimit të mbledhjes “Grupi i zjarrit” informoi se do të funksionojnë si fraksion brenda BDI-së. Ata më 6 prill shpalosën fraksionin e tyre brenda partiak, duke theksuar disa nga arsyet pse nuk janë të kënaqur me udhëheqësinë e BDI-së.
Më 20 maj, BDI njoftoi se Kryesia Qendrore e partisë ka konstatuar “vetëlargimin” nga kryesia qendrore e partisë të pesë anëtarëve të kryesisë që vinin nga “Grupit të Zjarrit”. Ndërkaq, nga “Grupi i Zjarrit” mohuan të jenë vetë përjashtuar.
Ndryshe, Bashkimi Demokratik për Integrim u themelua menjëherë pas konfliktit të 2001 në Maqedoninë e Veriut.
- LEXO: RMV, fraksioni brenda BDI-së: Nuk jemi vetëpërjashtuar, por kemi lëshuar mbledhjen në shenjë proteste si pasojë e mospajtueshmërisë
- LEXO: RMV, BDI me keqardhje konstaton “vetlargimin” e 5 anëtarëve të Kryesisë
- LEXO: “Grupi i zjarrit” vendos të funksionojë si fraksion brenda partisë, Ahmeti kundërpërgjigjet – fraksione nuk lejohen
- LEXO: Deputetë, kryetarë e anëtarë të BDI-së e qortojnë Ali Ahmetin për sjelljen e Grubit përmes një letre publike
- LEXO: Fraksioni “Grupi i zjarrit” tregoi disa nga arsyet pse e kritikon BDI-në