Kuvendi e konfirmoi dorëheqjen e zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, Arben Fetai

Dorëheqja e zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, Arben Fetai, u njoftua sot gjatë seancës së 104-të parlamentare. Kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, tha se ishte informuar se Fetai nuk do të jepte shpjegime për dorëheqjen e tij dhe deklaroi se në përputhje me nenin 246 të Rregullores së Punës, detyra e ministrit ndërpritet, transmeton Portalb.mk.

Fetai paraqiti dorëheqjen e tij më 1 qershor, dhe e njoftoi këtë në një postim në profilin e tij në Facebook. Ai shkroi se po largohet nga detyra me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër.

Fetai thotë se gjatë dy viteve të fundit, ndërsa ishte në detyrë, ka kontribuar në reformat që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe sundimit të ligjit, duke shtuar se gjithmonë ka vend për më shumë dhe më mirë.

Në dorëheqjen e tij drejtuar kryeministrit, të cilën Fetai e publikoi në Facebook, shprehu mirënjohje për besimin që i është dhënë për të kryer funksionin e zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, por shtoi se në rrethanat aktuale nuk ekzistojnë më kushtet e nevojshme që ai ta kryejë funksionin me efikasitetin e nevojshëm dhe për këto arsye ai po tërhiqet nga posti i tij.

Zëvendëskryeministri Arben Fetai nuk është paraqitur në punë për një kohë të gjatë, dhe sipas informacioneve nga periudha e kaluar, aktivitetet e tij të fundit publike si mbajtës i këtij pozicioni datojnë që nga marsi. Në prill të këtij viti, kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se Fetai personalisht ia ka përcjellë atij se nuk e sheh veten në qeverinë që drejton në të ardhmen dhe se planifikon të kthehet në Bruksel, ku ka përvojë të mëparshme profesionale.

Kjo pasoi pasi ministri i Shëndetësisë Azir Aliu tha në një intervistë se kolegu i tij në Qeveri dhe bashkëpartiak në VLEN nuk ka marrë pjesë në seancat qeveritare në periudhën e fundit.

Fetai, tani pritet të emërohet përfaqësues special në Bruksel. Kështu bëri të ditur bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti.