BDI: BNJVL po keqpërdoret për motive politike, shqyrtojmë largimin e kryetarëve tanë të komunave nga ky organ

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar për zhvillimet e fundit në Bashkësinë e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale që nga formimi i Qeverisë së re, nga ku thonë se kjo bashkësi ka filluar të keqpërdoret politikisht nga Qeveria, siç thonë ata, monoetnike dhe pa legjitimitet dhe në vend që të afirmoj kërkesat e komunave dhe qytetarëve, pa dallim; vërehet tendenca e centralizimit dhe ambicieve për të marrë kompetenca nga komuna opozitare, transmeton Portalb.mk

“Tendenca për ta centralizuar zhvillimin e punëve të BNJVL me qëllim të anashkalimit të kryetarëve të komunave nga radhët e Frontit Evropian është e papranueshme. Pas shkeljes së legjitimetit në nivel qendror me rastin e formimit të pushtetit ekzekutiv, tani Qeveria VMRO-VLEN ka filluar ta keqpërdor në të gjitha format edhe punën e BNJVL-së”, thonë nga BDI.

Kjo mospërfillje e krerëve të komunave nga radhët e opozitës shqiptare, shtojnl nga kjo parti, ka tendencë të asgjësimit të vullnetit politik dhe partive shqiptare edhe në nivel lokal.

“Andaj edhe në BDI janë ngritur inciativa serioze nga krerë të komunave të udhëhequra nga opozita shqiptare për të shqyrtuar pozicionin e pjesëmarrjes së kryetarëve të komunave në Bashkësinë e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, organ ky ku koordinohen aktivitetet për punën e komunave”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Kujtojmë se Bashkësia e njësive të vetëqeverisjes lokale të Republikës së Maqedonisë së Veriut (BJVL) më 16 qershor mbajti mbledhje të Kuvendit të përgjithshëm, ku krahas numrit të madh të kryetarëve të komunave, i pranishëm ishte edhe Hristian Mickoski, si dhe kryetari i BNJVL-së, Orce Gjorgjievski.

Mickoski u bëri thirrje të gjithë kryetarëve të komunave, pa dallim nga cila parti politike vijnë, të punojnë në projekte deri në miratimin e tyre dhe t’i përgjigjen thirrjes që do të publikohet nesër deri në gjysmën e parë të shtatorit, me të cilën qeveria do të sigurojë minimum 100 milionë euro.

Kujtojmë që shumica e komunave në Maqedoninë e Veriut udhëhiqen nga partitë e koalicionit të ardhshëm qeveritar, ku bëjnë pjesë VMRO, VLEN dhe ZNAM.