BDI: Bashkëshortja e shefit të kabinetit të Mexhitit mori 18.000 euro nga Agjencia e Filmit

Albana Mustafa nga Sektori i Kulturës i Bashkimi Demokratik për Integrim, ka akuzuar se Agjencia e Filmit i ka ndarë 18.000 euro Jehona Ajdinit, bashkëshortes së Halil Lumjanit, i cili është shef i kabinetit të Izet Mexhitit. Ajo shton se Ajdini është regjisore e re pa asnjë projekt serioz, duke përfituar me një film të shkurtër studentor, transmeton Portalb.mk.

“Ndërkohë që regjisorët seriozë shqiptarë me vite punë e përvojë ndërkombëtare injorohen, të afërmit e Mexhitit përfitojnë para. Ky është një poshtërim për komunitetin kulturor shqiptar. Nga mbi 650 mijë euro të ndara këtë vit, autorët shqiptarë morën vetëm 128 mijë euro pa asnjë mbështetje për film të gjatë artistik”, tha Mustafa.

Ajo ka përmendur edhe dy anëtarët shqiptarë të Këshillit Drejtues në Agjencinë e Filmit, e për të cilët tha se janë familjarë dhe persona politik të VLEN-it.

“Katër projekte serioze të regjisorëve shqiptarë u refuzuan pa asnjë shpjegim. Në të njëjtën kohë, një regjisor maqedonas mori plot 309 mijë euro për vetëm një projekt. Skandali thellohet edhe më tej nga fakti se në Bordin Drejtues të Agjencisë janë emëruar persona me përkatësi të qartë partiake: Shkëlqim Islami, nip i sekretarit organizativ të Alternativës, dhe Mensur Aliti nga BESA. Agjencia e Filmit është shndërruar në filial partiak të VLEN-it dhe të afërmve të Izet Mexhitit. Ne pyesim publikisht: a është kjo vizioni i Mexhitit për kulturën shqiptare? Deri kur do të poshtërohen dhe eliminohen artistët tanë?”, tha Mustafa.

BDI kërkon publikimin e të gjitha vendimeve dhe arsyetimeve të komisioneve dhe dorëheqjen e atyre që punojnë për Izet Mexhitin.

Akuzat dhe kundër-akuzat vijnë në përpara fushatës së zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 19 tetor – rrethi i parë dhe 2 nëntor – rrethi i dytë. 

Sipas afateve të përcaktuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, fushata zgjedhore për raundin e parë fillon më 29 shtator dhe do të zgjasë vazhdimisht deri më 17 tetor, ndërsa fushata për raundin e dytë zgjedhor do të zgjasë deri më 31 tetor. Megjithatë duket se partitë e kanë nisur para kohe fushatën.