BDI akuzon Komunën e Tetovës për asfaltim “sy e faqe” të rrugëve, komuna thotë se rruga KRD nuk ka përfunduar

Rrugët si KRD, Braqa Milladinov (ose rruga te Burgu i Tetovës) dhe rruga 108 vazhdojnë të jenë në gjendje të mjerueshme, edhe pas asfaltimit të tyre sa për sy e faqe. Me këto akuza kanë reaguar sot këshilltarët komunal të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) të Tetovës. Ndaj akuzave reagoi Komuna e Tetovës, thonë se rruga KRD nuk ka përfunduar ende, raporton Portalb.mk.

Këshilltari Liridon Disha tha se nuk kanë kaluar as tre muaj që kur janë shtruar rrugët e lartpërmendura, ndërsa sot ato janë veç se më të shkatërruara dhe qytetarët i vuajnë pasojat.

“Pyesim administratën e komunës dhe kryetarin se cili është qëllimi që rrugët mos asfaltohen sipas standardeve dhe kush përfiton nga ky mashtrim. Qindra-mijëra euro përsëri do merren nga buxheti i qytetarëve për të riasfaltuar rrugë që tashmë janë asfaltuar para tre muajve, por që janë dëmtuar veç më, për shkak të punës jocilësore”, tha Disha.

Zëdhënësja e Komunës së Tetovës, Besarta Ramadani bëri të ditur se rruga KRD u asfaltua në kohë dimri për shkak se ishte me gropa dhe se e panë të arsyeshme që t’i shtrojnë një shtresë për arsye që banorët ta kenë më të lehtë kalimin në atë rrugë.

“Nuk është bërë përfundimi. Do të shtrohet edhe një shtresë dhe në momentin që do përfundojë rregullimi do të bëjmë edhe promovimin e rrugës, shumë shpejtë”, tha Ramadani.

Reagimet e këshilltarëve të BDI-së ndaj Komunës së Tetovës janë shpeshtuar kohëve të fundit, ndërsa komuna nuk ka ngelur pa u përgjigjur ndaj tyre.

Përndryshe, sot në Tetovë filloi asfaltimi i një pjese të rrugës “Vëllezërit Milladinov” për të cilën Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.