Bashkimi Evropian miratoi rregullore të re për mbeturinat nga paketimet, çfarë e pret Maqedoninë?

Këtë muaj në Bashkimin Evropian u arrit marrëveshje për ta rishikuar Direktivën për paketimin e mbeturinave të reviduar jo edhe aq shumë kohë më parë, në vitin 2018. Pse ishte i nevojshëm ky revizion? Komisioni Evropian e pranon se Direktiva, e cila është pjesë e paketës së ekonomisë rrethore, nuk ia ka dalë mbanë t’i përmbushë qëllimet bazë, ta reduktojë ndikimin e këtyre mbeturinave ndaj mjedisit jetësor, si dhe të sigurojë funksionimin e tregut të brendshëm.

 

Malinka Ristevska Jordanova, foto nga arkivi personal
Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Vlerat e synuara (ose me fjalë të huaja: “targetet”) të përcaktuara në Direktivë nuk janë arritur në të gjitha shtetet anëtare. Kështu, për shembull, vlera e synuar e 55% mbeturinave të ricikluara nga pesha e mbeturinave të përgjithshme nga paketimet e përcaktuar për vitin 2008 nuk është arritur as në vitin 2021 në katër shtete anëtare.

Agjencia Evropiane për Mbrojtjen e Mjedisit Jetësor ka vlerësuar se ekziston rreziku që 10 shtete anëtare të mos e përmbushin vlerën e synuar deri në vitin 2025, 65%. Në mesin e tyre janë shtetet fqinje anëtare të rajonit: Bullgaria, Greqia, Rumania, Hungaria dhe Kroacia.

Problem edhe më i madh është se sasia e përgjithshme e mbeturinave nga paketimet po rritet. Kështu, sipas Eurostatit, në vitin 2021, në BE janë krijuar mesatarisht 188.7 kg. mbeturina nga paketimet për banor, që është për 32 kg. më shumë se vlerat nga viti 2011. Kjo është 10.8 kg. më shumë se në vitin 2020, që është rritja më e lartë në 10 vitet e fundit. Prandaj, megjithëse përqindjet e mbeturinave të ricikluara dhe mbeturinave të rikuperuara nga paketimet po rriten në nivelin e mesatares të BE-së, sasia e tyre e përgjithshme është ende në rritje. Kjo sigurisht që ka kontribuar që të ndizet alarmi dhe të kërkohen zgjidhje të tjera.

Përveç kësaj, revizioni i ri i legjislacionit është në formën e një rregulloreje, jo një direktive. Kjo shpjegohet me nevojën për rregulla të harmonizuara, sepse forma aktuale ligjore “direktiva”, çoi në qasje të ndryshme në shtetet anëtare, dhe rrjedhimisht pabarazi në tregun e vetëm evropian.

Si planifikohet të tejkalohet kjo garë e vdekur? Propozohen tre grupe masash:

  1. Reduktimi i gjenerimit të mbeturinave nga paketimet, nëpërmjet ripërdorimit ose rimbushjes së ambalazheve, duke eliminuar paketimet e panevojshme;
  2. Të gjitha paketimet në BE të mund të riciklohen deri në vitin 2030;
  3. Zvogëlimi i nevojës për lëndë të para natyrore.

Në mënyrë më figurative, kjo do të thotë, për shembull, që në restorante nuk do të ketë shërbim në ambalazhe për një përdorim ose në hotele nuk do të ketë nga pakot e vogla të shampove dhe preparate të tjera. Propozohet gjithashtu aplikimi i detyrueshëm i depozitave për të inkurajuar kthimin e shisheve dhe kanaçeve, një sistem garancie për paketimin, i cili tani është vendosur në disa shtete anëtare dhe është një opsion edhe sipas ligjit tonë në Maqedoni. Të moshuarit e mbajnë mend kohën kur pothuajse të gjitha ambalazhet ishin të ripërdorshme, ndaj këto masa janë “déjà vu” për ta. Parashikohen edhe masa për standardizimin e etiketave, në mënyrë që të jetë më e qartë se cilat mbeturina, ku deponohen.

Koha do të tregojë nëse masat janë mjaftueshëm ambicioze. Mbrojtësit e mjedisit jetësor janë me disponim kritikues, me mendimin se institucionet evropiane kanë bërë shumë lëshime nën presionin e fuqishëm të industrive më të interesuara – veçanërisht atë të ambalazheve për një përdorim. Dhe disa shtete anëtare kanë ende rezerva.

Si qëndron Maqedonia në këtë fushë?

Sa i përket sasisë së përgjithshme të mbeturinave të krijuara nga ambalazhet, megjithëse ka një tendencë rritjeje, Maqedonia është ende larg mesatares evropiane, kështu që 40 kilogramë për banor është pothuajse dy herë më pak se sasia më e vogël e regjistruar në BE, në Kroaci, me 73 .8 kg për banor. Megjithatë, vlerësohet se në Maqedoni të paktën një e katërta e këtyre mbeturinave janë jashtë sistemit.

Dy vjet e gjysmë më parë u miratua Ligji i ri për Menaxhimin e Paketimeve dhe Mbeturinave të Paketimeve, i cili është në masë të madhe në harmonizim me Direktivën përkatëse të BE-së. Është vendosur edhe sistemi i të ashtuquajturës përgjegjësi e zgjeruar e prodhuesve për menaxhimin e rrjedhave të veçanta të mbeturinave, sipas llojeve të mbeturinave – qelqi, plastika, letra, metali, druri. Kjo do të thotë se prodhuesit e mbeturinave kanë detyrim ligjor për të organizuar një sistem për grumbullimin, përzgjedhjen dhe riciklimin e mbeturinave të tyre të paketimeve, të cilat përfundojnë te përdoruesit përfundimtar. Për ta arritur këtë, ata mund të lidhin marrëveshje me operatorët kolektivë, të cilët janë disa kompani (tani katër) që menaxhojnë mbeturinat e paketimeve, disa prej tyre prej më shumë se një dekade. Kjo do të thotë se ka supozime ligjore dhe institucionale, dhe ajo që është shumë e rëndësishme, sektori privat është gjithashtu i zhvilluar. Në fakt, rrjedhat e posaçme të mbeturinave dhe përgjegjësia e zgjeruar e prodhuesve janë një përjashtim pozitiv nga vlerësimi i përgjithshëm për moszbatimin e ligjeve ekologjike, i konstatuar në Raportin e pavarur në hije për kapitullin 27 për vitin 2022, të përgatitur nga organizatat e shoqërisë civile.

Diferenca kohore e përcaktuar për arritjen e vlerave të synuara të përcaktuara në ligjin në Maqedoni në raport me BE-në nuk është e madhe, pesë vjet.

Tabela mbeturinat e recikluara dhe të ripërpunuara në BE dhe RMV

Të dhënat tregojnë se vlera e vendosur e synuar e riciklimit për mbeturinat totale të paketimeve për vitin 2021 u arrit në vitin 2022. Megjithatë, ajo që është befasuese është rritja e papritur e përqindjes së riciklimit nga viti 2021 në 2022 me 17% që është një kërcim i palogjikshëm.

Ndoshta kjo mund të shpjegohet me problemet me mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave, të konstatuara nga vetë Ministria kompetente e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor. Për më tepër, pavarësisht se numri i tyre është në rritje, një numër i konsiderueshëm i prodhuesve të mbeturinave nuk përfshihen në sistemin e operatorëve kolektivë, të cilët janë burimi kryesor i të dhënave. Dhe së fundi, ekziston një konstatimi kronik i mangësive serioze në inspektim dhe mbikëqyrje.