Banorët e Nikushtakut, Orllancës dhe Grushinës morën premtim nga Mexhiti se nga e hëna do të mbyllet deponia

Banorët e Nikushtakut, Orllancës dhe Grushinës në takimin e sotëm me ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikim Hapësinor, Izet Mexhiti kanë marrë premtim se nga e hëna do të mbyllet deponia, njofton Portalb.mk.

“Sot, më datë 13.09.2025, u vazhdua takimi që na mbeti në gjysëm ditën e djeshme! Edhe pse pati diskutime që t’u japim pak kohë, ne përsëri këmbëngulëm që këtu më “NUK KA DEPONI”! Deklarata e ministrit ishte që deponia mbyllet dhe për këtë do na jep vendim zyrtar ditën e hënë, shkaku që sot ishte ditë e shtunë dhe nuk mundi të na e siguroj një të tillë!”, thuhet në njoftimin e qytetarëve të fshatit Nikushtak.

Potencojnë se pas takimit me qytetarët, ministri ka mbajtur mbledhje vetëm me kryetarët e komunave për, siç thonë, të gjetur zgjidhje alternative se ku t’i hedhin mbeturinat deri në ndërtimin e deponisë regjionale.

“Sidoqoftë ne mbetemi të vendosur që tek ne “JO MË”!”, thuhet në informinin e qytetarëve.

Banorët e Nikushtakut, Orllancës dhe Grushinës gjatë ditës së djeshme, 12 shtator 2025, mbollën pesëdhjetë fidanë dhe vendosën pllakatën ‘Ndalohet hedhja e mbeturinave’ në deponinë e Nikushtakut. Ata theksuan se do të vazhdojnë të protestojnë deri sa të ndalet hedhja e mbeturinave sepse institucionet ende nuk kanë gjetur zgjidhje permanente për këtë problem.

 

Institucionet luajnë ping-pong me përgjegjësitë, banorët kërkojnë zgjidhje të përhershme

Për të njejtën arsye protestuan dhe me 5 shtator 2025, duke kërkuar nga institucionet të pastrohet me urgjencë si dhe mos të mbulohet me dhe për sy e faqe, por të largohet njëherë e përgjithmonë. Një ditë pas protestës, (6 shtatorministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti fajin ia hodhi komunës së Likovës. Ai tha se do të vendosen kamera dhe do të ndëshkohet NP “Pisha”.

Asnjë masë konkrete nuk u ndërmor prandaj me 9 shtator, u protestua sërish nga banorët duke penguar kamionët e N.P.K “Pisha” të hedhë mbeturina në deponi. Në vendngjarje ishte edhe policia. Ata këtë herë biseduan me kryetarin e komunës së Likovës, Erkan Arifi përmes një bisede telefonike. Ai tha se “po veprohet në mënyrë institucionale”. 

Më 12 shtator ishim dëshmitarë se ende asgjë konkrete nuk është ndërmarrë, mbeturinat e hedhura ende nuk ishin pastruar kurse vazhdoi ndotja e ajrit nga djegia e mbeturinave në të.

Pamje nga deponia në Nikushtak. Foto nga Portalb.mk (12.09.2025)
Pamje nga deponia në Nikushtak. Foto nga Portalb.mk (12.09.2025)

Premtuan pastrim dhe gjelbrim

Ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti dhe zëvendëskryeministri Arben Fetai në mënyrë pompoze mblodhën përfaqësues nga partitë e tyre si dhe funksionerë të tjerë më 25 gusht duke premtuar para banorëve se “pastrimi pritet të bëhet brenda dhjetë ditëve me 5 milionë denarët e ndarë nga Ministria e Mjedisit Jetësor.”

Ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti tha se me këto 5 milionë denarë është paraparë pastrimi, pajisje mekanike për menaxhim të sigurt të mbeturinave, si dhe është përgatitur edhe elbaorat gjeodetik.

Zëvendëskryeministri Arben Fetai gjatë ngjarjes tha se: “Deponia po mbyllet, do pastrohet dhe ky ambient këtu do rregullohet, do gjelbërohet”.

Paraprakisht për pastrimin e kësaj deponie pati dështuar tenderi. 

Kujtojmë se për më shumë se mbi dy dekada kjo deponi është pa zgjidhje, duke rrezikuar shëndetin e banorëve dhe mjedisin jetësor.